BQK, OEK dhe OEAK koordinojnë propozimet për rimëkëmbje ekonomike

Ekonomi

BQK, OEK dhe OEAK koordinojnë propozimet për rimëkëmbje ekonomike

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 10:27
Foto nga takimi

Në kuadër të takimeve të rregullta me qëllim të koordinimit të propozimeve të përbashkëta për rimëkëmbjen ekonomike pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti priti në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi si dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Mehmeti prezantoi propozimet e Bankës Qendrore të Kosovës për institucionet qeveritare duke theksuar nevojën e mbështetjes më të madhe për industrinë e prodhimit në vend.

Në të njëjtën kohë ai sqaroi edhe dispozitat e Udhëzuesit për Ristrukturimin e Kredive për Shkak të COVID-19 duke shprehur besimin se bankat komerciale do t’u dalin në ndihmë ndërmarrjeve të prekura.

Drejtuesit e odave ekonomike në anën tjetër elaboruan propozimet e të dyja odave përkatëse të cilat përfshijnë rekomandime për përkrahjen financiare por edhe për lehtësira fiskale për bizneset.

Propozimet e përbashkëta të Bankës Qendrore të Kosovës, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë përfshijnë edhe pikat e intervenimit legjislativ të cilat do të mundësonin zbatimin e masave të propozuara. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat