Alarmante rënia e të hyrave në ATK, Doganë dhe nga diaspora

Ekonomi

Alarmante rënia e të hyrave në ATK, Doganë dhe nga diaspora

Më: 18 korrik 2020 Në ora: 11:53
ATK

Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës përkundër gjendjes emergjente shëndetësore në vend, janë duke u angazhuar në zhvillimin e aktiviteteve të tyre, në mënyrë që të realizojnë objektivat e parapara. Mirëpo, ndikimi i pandemisë Covid-19, po rezulton dukshëm me rënie të inkasimit të të hyrave sipas projeksioneve të planifikuara.

ATK-ja prej muajt janar deri në maj, ka inkasuar rreth 220 milionë euro, që për drejtorin e administratës, Ilir Murtezaj, kjo e hyrë është realizuar në kohë mjaft të vështirë.

Ai thotë se rënia e të hyrave nga pandemia është rreth 50 milionë euro, gjë që thekson se tani është e vështirë të rikuperohet kjo pjesë e mjeteve.

Murtezaj: Kemi inkasuar 216 milionë euro, s’kemi rezultat ende për qershor

“Për gjashtë mujor është ende afati juridik dhe ligjor për deklarim dhe pagesë të tatimeve dhe nuk i kemi të dhënat ende zyrtare të cilat konfirmojnë periudhën gjashtë mujore. Për pesë mujor kemi të dhëna zyrtare që kemi pasur të hyra të inkasuara rreth 216 milionë euro që është një e hyrë e realizuar në kohë të rëndë. Muaj maj dhe muaj qershor, si muaj të veçantë kanë rezultuar që kemi tejkalim të parashikimeve për këta dy muaj, mirëpo muaj mars dhe muaj prill kanë qenë dy muaj të cilët kanë dhënë efektin mjaft të lartë negativ për inkasimin e të hyrave, ku totali i të hyrave të parealizuara të pritshme për muajin mars dhe prill ka qenë rreth 49 milionë euro”, ka thënë ai.

Edhe në Doganën e Kosovës gjatë muajve janar-qershor, janë inkasuar 473 milionë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë 526 milionë.

“Gjatë periudhës raportuese për të gjitha regjimet e importit, taksat kanë shënuar ulje në shumë prej 52 milionë e 472 mijë e 255 euro ose shprehur në përqindje 9,97%”, thotë për KosovaPress, zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka thënë për KosovaPress, se Kosova si pasojë e pandemisë po ballafaqohet me një pandemi ekonomike dhe sociale.

Gërxhaliu po ashtu thotë se rënia e të hyrave në ATK, Doganë dhe nga diaspora është shqetësuese për vendin.

Gërxhaliu: Rënia e të hyrave në ATK, Doganë dhe nga diaspora është alarmante

“Vet fakti që kemi tkurrje të të hyrave në Administratën Tatimorë të Kosovës, vet fakti që kemi tkurrje edhe në Doganën e Kosovës, dhe fakti që nuk e kemi kontributin e diasporës në formë indirekte me praninë e tyre në Kosovë. Kjo e dëshmon më së mirë që situata në Kosovë është vërtet alarmante. Kosova ka nevojë për para në qarkullim, duhet të gjinden mekanizmat jo vetëm për të mbështetur bizneset, por edhe qytetarët… Edhe më tutje mendojmë që mbi interesat e shtetit janë interesat politike dhe të grupeve të caktuara të interesit. Duhet të kuptohet që Kosova është në një situatë emergjente, edhe pse nuk është situatë e jashtëzakonshme. Kur te kemi situatë emergjente duhet të gjitha forcat të mobilizohen në interes të shtetit dhe qytetarëve, por për fat të keq nuk është duke ndodhë një gjë e tillë”, tha Gërxhaliu.

Këtë vit ka pasur të hyra nga mërgata 140 milionë euro ose 14 përqind më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, derisa kjo rënie pritet të thellohet edhe më tej në kohë pandemie.

Ndërsa, në një raport të institutit GAP me titull “Ndryshimet në buxhetin e Kosovës si pasojë e pandemisë COVID-19”, thuhet se të hyrat buxhetore të Kosovës në periudhën janar-maj 2020, sipas të dhënave të MF-së, ishin rreth 621 milionë euro apo 106 milionë euro (14.6%) më të ulëta se në periudhën e njëjtë të vitit 2019.24. Kurse, vetëm në periudhën mars-maj të këtij viti, që paraqet periudhën e pandemisë COVID-19, kur edhe ishin ndalur shumica e aktiviteteve në sektorin privat dhe atë publik në Kosovë, të hyrat buxhetore ishin 337 milionë euro apo 133 milionë euro ose 28.2% më të ulëta së në periudhën mars-maj 2019.

“Këto të dhëna tregojnë që rënia në të hyrat buxhetore, siç edhe pritej, ishte shkaktuar në periudhën e pandemisë kur aktiviteti ekonomik ishte i vogël. Sikur kjo rënie në të hyra gjatë pandemisë të mos neutralizohej deri në një masë nga performanca e mirë gjatë muajve janar dhe shkurt, rreth 27 milionë euro më shumë se në vitin paraprak, atëherë rënia e të hyrave buxhetore në pesë mujorin e parë të vitit2020 do të ishte edhe më e lartë”, thuhet në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat