Ekonomistët nuk e mirëpresin 10 % e Trustit: Qytetarët në vjeshtë zhyten në varfëri

Ekonomi

Ekonomistët nuk e mirëpresin 10 % e Trustit: Qytetarët në vjeshtë zhyten në varfëri

Më: 22 korrik 2020 Në ora: 18:23
Safet Gërxhaliu

Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën (sot) Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, i cili mes ndihmesave tjera, parasheh që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë të tërheqin 10 për qind të kursimeve nga Trusti pensional.

E pjesa tjetër tash i takon Kuvendit. Do të jenë deputetët ata që votat e tyre do ta thonë fjalën përfundimtare për implementimin apo jo të kësaj mundësie e krejt Projektligjit në përgjithësi.

Për njohësit e ekonomisë vendimi i Qeverisë është i ngutshëm dhe jo i duhur.

Safet Gërxhaliu tha se Trusti Pensional tash e tutje mund të përdoret si “xhoker” nga partitë politike për interesa të tyre.

“Mungesa e unitetit politik është faktori kyç që po e dëmton situatën aktuale. Po e shohim që nuk po ratifikohet asnjë marrëveshje. Edhe kjo iniciativë që është miratuar sot do të jetë ndër ato që do të dështojnë në Kuvend. Nuk është rrugës që me çdo kusht të shfrytëzohet 10 % i Trustit”, u shpreh ai.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike thotë se do të ishte më e arsyeshme që Qeveria të marrë para hua nga Trusti dhe t`i menaxhojë vetë sesa t`i lë ato në duart e qytetarëve. Ai ka një arsye për këtë.

“Qeveria është më mirë të merr hua dhe jo qytetarët t`i shfrytëzojnë këto pare në sezonin turistik dhe në vjeshtë t`i pret varfëria”, tha ai.

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës është institucion publik i pavarur dhe jo fitimprurës, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ai është institucion zbatues i politikave që ndërmarrin institucionet mbikëqyrëse, Kuvendi i Kosovës e Banka Qendrore dhe nëse merret vendim për zbatimin e tij, Trusti obligohet ta zbatojë.

Mekanizmat financiarë ndërkombëtarë në raportet e tyre të publikuara për efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovë, kanë vlerësuar se janë shkaktuar dëme të mëdha.

Banka Botërore në raportin e saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4.5 për qind në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat