​Të mërkurën pritet të mbahet seanca për rishikimin e buxhetit

Ekonomi

​Të mërkurën pritet të mbahet seanca për rishikimin e buxhetit

Më: 27 korrik 2020 Në ora: 13:02
Foto nga takimi

Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim sot dështoi të shqyrtonte Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, me raport amendamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere, ani pse seanca për këtë çështje pritet të mbahet të mërkurën.

Kështu, në mungesë të kuorumit, kryesuesi i këtij komisioni Albert Kinolli theksoi se prej 18 anëtarëve vetëm shtatë deputetë janë të pranishëm dhe nuk ka kuorum për shqyrtimin e rishikimit të buxhetit, që ishte pikë e vetme e rendit të ditës.

Deputeti Kinolli, që është edhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit, theksoi se për aq sa është në dijeni, seanca për rishikimin e buxhetit do të mbahet pasnesër (të mërkurën).

Kinolli: Seanca pritet të mbahet ditën e mërkurë

“Siç po e shihni në këtë takim jemi duke u ballafaquar në mungesë kuorumit, për ta mbajtur këtë takim na nevojiten prej 18 anëtarëve sa janë pjesë e këtij Komisioni që u bien 10 deputetë. Ne për momentin jemi vetëm shtatë dhe jemi në pamundësi që ta mbajmë takimin… Në të kundërtën ne mund t’i rekomandojmë apo propozojmë seancës që në mungesë të kuorumit pa rekomandim të Komisionit për Komunitete dhe Kthim që në seancë të vendoset. Ne jemi një nga katër Komisionet e përhershme, ne mund të dalim me një rekomandim për t’u vendosur në seancë në mungesë kuorumi, duke përkrah dy propozimet nga parafolësit kolegët që ne pa paragjykim t’i shtjerrim të gjitha mundësitë për shkak se sipas asaj që ne jemi në dijeni seanca plenare do të mbahet ditën e mërkurë”, tha Kinolli.

Deputeti nga LDK-ja Fetah Rudi theksoi se derisa në karrocë iu ka përgjigjur mbledhjes së këtij komisioni, nuk arrin të kuptojë përse deputetët e tjerë nuk janë në mbledhje.

Rudi: Derisa unë në karrocë vij dhe i përgjigjem të tjerët nuk kanë arsye

“Nuk është vetëm një buxhet, por janë interesat e qytetarëve që dalin prej këtu. Mund të jetë një i infektuar, por të gjithë janë prekur, duhet të me marrë pjesë, të punojnë, të mbajnë përgjegjësinë dhe jo vetëm të bojkotojnë. Derisa unë në karrocë vij dhe i përgjigjem të tjerët nuk kanë arsye”, deklaroi Rudi.

Edhe deputeti Elmi Reçica theksoi se për hir të gjendjes së vështirë nga pandemia, PDK mbështet rishikimin e buxhetit dhe për hir të qytetarëve deputetët duhet të jenë të përgjegjshëm për punën e tyre.

Reçica: Mos të bëjmë kuorum në këtë kohë pandemie është papërgjegjësi

“Kemi një situatë që për çdo ditë e më tepër jemi duke pasur të infektuar, të vdekur, një gjendje vërtet veç nuk e ka formën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa ne as kuorum s’mund të bëjmë. Në anën tjetër shihen këto amendamente ku mendohet se është krejt gjendje normale. Këtë buxhet me amendamente pa amendamente e kisha votuar vetëm për hir të qytetarëve, përndryshe kurrë buxhet më të panatyrshëm dhe më jo të qartë nuk kam parë… Kur nuk ka vendimmarrje nëpër Komisione, seanca vendosë secilin rast”, tha Reçica.

Të pranishëm nuk ishin kryetarja e Komisionit nga radhët e Listës serbe Miljana Nikoliq dhe deputetët e tjerë nga kjo parti.

Këtë projektligj janë të obliguara të shqyrtojnë edhe Komisioni për Legjislacion dhe ai për Integrime Evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat