​Qeveria mbulon shpenzimet për Kartonin e Gjelbër, remitencat shënojnë ngritje 7%

Ekonomi

​Qeveria mbulon shpenzimet për Kartonin e Gjelbër, remitencat shënojnë ngritje 7%

Më: 29 korrik 2020 Në ora: 18:38
Hykmete Bajrami

Ministria e Financave dhe Banka Qendrore e Kosovës kanë publikuar sot vendimin për heqjen e Kartonit të Gjelbër për bashkatdhetarët tanë deri në fund të këtij viti.

Me këtë vendim, qeveria siguron mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve të Kartonit të Gjelbër për diasporën për këtë vit.

Në një konferencë për media, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se remitencat që kanë ardhur në Kosovë janë rreth 7 për qind më të larta, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ajo ka thënë se deri më tani janë 433 milionë euro që kanë ardhur nga diaspora, derisa e ka cilësuar si kontribut të jashtëzakonshëm.

Bajrami ka thënë se primi i sigurimit që e kanë paguar në kufi nuk ka qenë kosto e madhe për ta, por shton se ka qenë maltretim me të cilin janë përballur në kufi.

Bajrami: 433 milionë euro kanë ardhur nga diaspora ose 7 për qind më shumë

"Si Ministri e Financave, me kërkesën e kryeministrit të Kosovës, kemi marrë barrën e mbulimit të primit duke filluar nga data 1 gusht deri 31 dhjetor të këtij viti. Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë obligim që të angazhohet intensivisht në reduktimin e numrit të veturave të paregjistruara. Byroja Kosovare e Sigurimeve ka marrë për obligim që të zbatojë këtë vendim, ndërkohë Banka Qendrore e Kosovës sot e ka bërë rishikimin e çmimit të primeve dhe ka marrë vendim që çmimi i primit duhet të zbritet 35 për qind. Kjo lehtëson barrën për Qeverinë e Kosovës. Një herësh, ne sapo u informuam nga përfaqësues të BQK-së që remitancat po vazhdojnë të vijnë në Kosovë e që në fakt janë për 7 për qind më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deri tani kemi diku 433 milionë euro që kanë ardhur nga diaspora. Kontributi i tyre është jashtëzakonshëm. Sigurimi ose primi që ata e kanë paguar në kufi ndoshta nuk ka përbërë shumë kosto të madhe për ta, mirëpo ka qenë një lloj maltretimi në kufi. Bashkatdhetarët tanë mund ta marrin primin onlajn dhe kështu do t'i tejkalojnë pritjet e gjata në kufi", tha Bajrami.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, ka thënë se janë ulur tarifat për policat kufitare për masën 35 për qind për auto-veturat dhe motoçikletat. Ai ka thënë se kjo bëhet me qëllim të lehtësimit të ardhjes së bashkatdhetarëve, derisa ka shtuar se ata duhet të pajisen me polica onlajn.

Mehmeti ka thënë se Qeveria merr për obligim që të mbulojë 100 për qind policën e sigurimit për bashkatdhetarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat