Paratë e Pakos Emergjente, eksperti i ekonomisë: Nuk i plotësojnë nevojat e qytetarëve, vërejtje vonesa

Ekonomi

Paratë e Pakos Emergjente, eksperti i ekonomisë: Nuk i plotësojnë nevojat e qytetarëve, vërejtje vonesa

Nga: G.B Më: 10 gusht 2020 Në ora: 23:35
Qeveria e Kosovës

Paratë për muajin maj dhe për disa kategori për muajin maj dhe qershor, qytetarët do të mund t'i marrin gjatë kësaj jave.

Ministria e Financave ka njoftuar se ka ekzekutuar paratë e Pakos Emergjente.

Paratë qytetarët do t'i marrin me vonesë, derisa tani jemi në muajin gusht. E gjithë kjo, për shkak të vonesës së votimit të Ligjit për rishikimin e buxhetit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Për këtë vonesë dhe se sa do tu ndihmojnë këto të holla qytetarëve, për gazetën "Bota sot" ka folur eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

Ai ka thënë se vonesa është vërejtje dhe këto të holla nuk i plotësojnë nevojat e qytetarëve, derisa për shkak të pandemisë kemi rënie ekonomike në vend.

Image
Mustafë Kadriaj

"Padyshim që çdo veprim i qeverisë që është në përkrahje të qytetarëve dhe bizneseve duhet vlerësuar dhe duhet përkrahur por se sa do e ngritë mirëqenien lë shumë për të dëshiruar, njëherësh ka vend për vërejtje për faktin e vonesës, njëherësh si shumë nuk i plotëson nevojat duke qenë dëshmitar për rënien ekonomike në vend, e cila ka ndikuar në tkurrjen e shportës së konsumit e mos të flasim për shportën e tekstilit dhe rrjedhimisht ka rritur nivelin e varfërisë e aq më shumë varfërisë ekstreme", është shprehur ai.

Sipas Kadriajt, habia më e madhe është tek deputetët që e thelluan krizën ekonomike, duke mos votuar për ligjin për rishikimin e buxhetit, ndërsa që qanin me lot krokodili, por që ata nuk e përfaqësojnë qytetarin e Kosovës.

"Por habia më e madhe është tek sjellja e deputetëve që për interesa partiake kanë thelluar krizën ekonomike në vend që derisa kanë qarë me lot të krokodilit edhe gjatë kohës së pandemisë nuk ju kanë ndalur pagat, përkundër mos angazhimit të tyre si rezultat i rrethanave të ditura. Pra me sjelljen e deputetëve lënë të kuptohet që këta mund të mbrojnë dhe të kenë kauza dhe pseudo kauza por nuk përfaqësojnë qytetarin e Kosovës, si në rrafshin intelektual dhe moral, për faktin që pesha e tyre është në ngritjen e dorës lart ku me atë ngritje nuk përfaqësojnë qytetarin por interesat klanore dhe partiake pra e gjithë pesha e tyre është në dorën e tyre por më së paku në kokën e tyre", ka deklaruar Mustafë Kadriaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat