Qumështarët, ministres Bajrami: Mos e pengoni vendimin që ndalon vajin e palmës

Ekonomi

Qumështarët, ministres Bajrami: Mos e pengoni vendimin që ndalon vajin e palmës

Më: 14 shtator 2020 Në ora: 09:32
Foto Ilustrim

Kryetari i këshillit koordinues ndërmjet shoqatave prodhuese dhe përpunuese të qumështit, Ramadan Memaj ka bërë një kërkesë publike për ministren e Financave, Hykmete Bajrami, duke i kërkuar asaj që mos ta pengojë vendimin e Ministrisë së Tregtisë për ndalimin e vajit të palmës në Kosovë.

Memaj në letrën publike, thuhet se kanë marrë informacione se ministrja Bajrami dhe ministria që drejton janë duke e stopuar vendimin e marrë të premten nga MTI-ja për ndalimin e përkohshëm të importit të vajit të palmës.

“Kemi marrë informacion që ju dhe ministria që ju e udhëhiqni jeni duke e stopuar vendimin e marrë të premten nga MTI-ja për ndalimin e përkohshëm të importit të vajit të palmës. Ne nuk i dimë saktësisht arsyet e këtij veprimi nga ana juaj, por ne i dimë arsyet pse duhet të ndalohet importimi i vajit të palmës”, thuhet në letrën publike.

Përdorimi i vajit të palmës detyron fermerët të derdhin qumështin

Letra e plotë pa ndërhyrje

E nderuara ministre Bajrami,

Kemi marrë informacion që ju dhe ministria që ju e udhëhiqni jeni duke e stopuar vendimin e marrë të premten nga MTI-ja për ndalimin e përkohshëm të importit të vajit të palmës.

Ne nuk i dimë saktësisht arsyet e këtij veprimi nga ana juaj, por ne i dimë arsyet pse duhet të ndalohet importimi i vajit të palmës.

Fillimisht duhet sqaruar, që siç edhe ju me siguri e dini, vaji i palmës është vërtetuar si kancerogjen dhe gjenotoksik edhe nga Agjencia Evropiane e Ushqimit.

Më tutje, me importin e pakontrolluar të vajit të palmës është ngopur tregu me produkte kinse të qumështit, të cilat për shkak të përmbajtjes së lartë të këtij vaji kanë çmim jashtëzakonisht të ulët në treg, duke e bërë të pamundshëm ekzistencën e produkteve me qumësht të vërtetë që gjithsesi dalin më çmim më të lartë.

Për shkak të kësaj janë duke u krijuar nga 70,000 litra tepricë qumështi për çdo ditë, të cilat fermerët janë të detyruar t’i asgjësojnë.

Për shkak të importit të pakontrolluar të vajit të palmës, rrezikohet ekzistenca ekonomike e 5000 fermerë, 30 mijë të punësuarve direkt dhe indirekt në këto ferma, rrezikohet ekzistenca ekonomike e 100 pikave grumbulluese me qindra të punësuar, rrezikohet ekzistenca e mbi 30 përpunuesve të qumështit dhe rreth 1000 të punësuarve në këto fabrika. Thjesht rrezikohet ekzistenca e sektorit të qumështit.

Por mbi të gjitha, mos harroni: ky vaj është kancerogjen e gjenotoksik dhe rrezikon drejtpërdrejt shëndetin publik, duke krijuar kështu edhe një kosto të paimagjinueshme.

Andaj, e nderuara ministre Bajrami ju lusim që të obligoni doganat që janë nën ombrellën e ministrisë suaj të ndalojnë importin e këtij vaji sipas vendimit të MTI-së, ndërkohë që grupet punuese të caktojnë modalitetet për furnizimet e prodhuesve të veçantë të produkteve tjera. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat