Pritet të emërohet bordi i ri i ‘Trepçës’, minatorët kërkojnë të jetë profesional dhe jo politik

Ekonomi

Pritet të emërohet bordi i ri i ‘Trepçës’, minatorët kërkojnë të jetë profesional dhe jo politik

Më: 15 shtator 2020 Në ora: 11:28
Foto Ilustrim

Ndërmarrja Publike “Trepça” ka mbetur pa Bord Mbikëqyrës që prej 6 shtatorit, pasi iu ka skaduar mandati anëtarëve të këtij bordi të përkohshëm të emëruar nga Qeveria Kurti më 28 shkurt kur kishte shkarkuar bordin e kësaj ndërmarrje në atë kohë.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Avdullah Hoti ka hapur konkurs për Bordin Mbikëqyrës të Ndërmarrjes Publike “Trepça” më 15 korrik, i cili është mbyllur më 14 gusht.

Minatorët e kësaj ndërmarrje po kërkojnë të emërohet një bord profesional dhe jo politi.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka thënë se janë në fund të procesit të përzgjedhjes së bordit të ri të kësaj ndërmarrje dhe emërimin e bordeve për disa kompani të tjera.

“Ne jemi në proces të përzgjedhjeve të të gjitha bordeve. Pra, nga kalimi i bordeve të përkohshme në bordet e rregullta. Pra, veç jemi në përfundim të procesit”, tha Kuqi.

Ish-anëtari i Bordit të përkohshëm, Shyqeri Sadiku thotë se, ndërmarrjes i nevojitet një bord profesional dhe jo politik për ta zhvilluar këtë ndërmarrje.

Sadiku i cili ka konkurruar sërish për anëtar të Bordit si përfaqësues i minatorëve po thotë se “Trepça” çdo herë ka pasur borde politike në të kaluarën, për çka edhe janë shfaqur problemet të shumta në këtë ndërmarrje.

Ai në bazë të informatave që ka, thotë se në këtë konkurs për anëtarë të Bordit janë rreth 100 aplikantë.

“Kam konkurruar, bordit i ka skaduar mandati më 6 shtator ka qenë një bord i përkohshëm gjashtë mujor. Për momentin ‘Trepça’ është pa bord. Sa i përket konkursit, kanë konkurruar shumë, rreth 100. Jo vetëm tash, por edhe më herët kur kam qenë pjesë e bordit të kaluar, gjithmonë si një aksionar i dytë (përfaqësues i punëtorëve) kam kërkuar që ‘Trepça’ të jetë një bord profesional, i cili e njeh problemin e ‘Trepçës’ dhe i cili mund ta bëjë zhvillimin e saj. Assesi as sot nuk pajtohem me u emërua një bord politik për ‘Trepçën’. Ne edhe në të kaluarën jemi ballafaquar me borde politike jo vetëm në ‘Trepçë’, por në të gjitha ndërmarrjet publike dhe, për këtë po shihen edhe problemet me të cilat po ballafaqohen ndërmarrjet publike. Po shpresoj që do ta kuptoj qeveria aktuale që ‘Trepçës’ i nevojitet një bord profesional, jo një bord politik”, thotë Sadiku.

Ai më tej ka thënë se situata në “Trepçë” është rëndë dhe është në prag të falimentimit pasi ka rënë çmimi në bursën ndërkombëtare, edhe pse prodhimi është rritë për 30 për qind në ndërmarrje.

Sadiku edhe anëtar në sindikatën e minatorëve ka thënë se fatkeqësisht edhe pas krijimit të Ligjit për Trepçën, qeveria nuk ka trajtuar problemet më të cilat përballet ndërmarrja.

“Gjendja në Trepçë dihet, e kemi thënë edhe më parë, me këtë menaxhim Trepça ka shkuar drejt falimentimit. Nuk është gjendja e mirë edhe për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, ani pse këtë vit, 2020 krahasuar me 2019 prodhimi është më i lartë për 30 për qind, por nuk mund të mburremi ne me këtë prodhim që fatkeqësisht na ka godit rënia e çmimit në burën ndërkombëtare për shkak të pandemisë. ‘Trepça’ është në një krizë bukur të madhe financiare, ndaj qeveria duhet të investojë në ‘Trepçë’. Fatkeqësisht edhe pas krijimit të Ligjit për Trepçën, Qeveria si aksionar asnjë herë nuk është marrë me problemet e ‘Trepçës’ me të cilat po ballafaqohet. Qeveria është aksionar 80 përqind, andaj duhet të mendoj për zhvillimin e ‘Trepçës’. Prandaj, Qeverisë i nevojitet një bord profesionist jo politik”, thekson ai.

Në bazë Ligjit për Trepçën, bordi ka 9 anëtarë, prej tyre 7 të përzgjedhur nga Qeveria dhe 2 anëtarë nga punëtorët e Trepçës.

Megjithatë, tre prej 9 anëtarëve i takojnë Njësisë së Trepçës në veri të Mitrovicës, por për shkak të rrethanave politike në atë pjesë, komuniteti serb nuk ka aplikuar asnjë herë në bordin e ndërmarrjes të emëruar nga Qeveria e Kosovës.

Kujtojmë se më 6 mars, Qeveria Kurti kishte emëruar Bordin e Përkohshëm. Sylejman Hyseni, kryesues dhe drejtor, Bahri Hyseni, drejtor, Shyqeri Kelmendi, drejtor dhe Shqyeri Sadiku, drejtor dhe përfaqësues i punëtorëve.

Pavarësisht gjendjes së rënd financiare në Trepçë, minatorët kanë marrë pagat me rregull së fundmi falë mbështetjes me 3.5 milionë euro nga Qeveria e kaluar në pandemi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat