OAK: Bizneset kërkojnë më shumë përkushtim nga shteti për rritje të eksportit

Ekonomi

OAK: Bizneset kërkojnë më shumë përkushtim nga shteti për rritje të eksportit

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 13:57
Foto Ilustrim

Kriteret që duhet të plotësojnë bizneset e sektorit të mishit për eksport të produkteve, nevoja për përkrahje nga institucionet, kontrolli i kufirit për të ndaluar qarkullimin e produkteve në mënyrë jo legale dhe bashkëpunimi i inspektoriatit komunal me atë qendror ishin disa nga temat kryesore të diskutimit në takimin virtual të realizuar ndërmjet Odës së Afarizmit të Kosovës, drejtorit të Shëndetit Publik në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) Flamur Kadriu dhe bizneset e sektorit të mishit.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi përgëzoi AUVK për arritjen e eksportit të mishit të ardhur nga Evropa me prejardhje nga shpezët.

“Ky mish të mundësohet të ketë prejardhje edhe nga Kosova, e jo të jetë obligim prejardhja nga vendet e Bashkimit Evropian apo vendet e lejuara nga BE”, shtoi Krasniqi.

Kadriu tha se momentalisht është arritur të eksportohet vetëm mishi i shpezëve, prejardhja e të cilave është nga BE apo vendet e pranuara nga BE.

“Për të arritur këtë, AUVK ka kaluar një proces për tri vite, ndërsa një nga vështërësitë e hasura ishte mos qartësia e statusit të shëndetit të kafshëve në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas Kadriu, Kosova fillimisht duhet të kontrollojë kufinjët ashtu që të mos lejohet futja joformale e shtazëve e gjithashtu duhet të anëtarësohet edhe në Organizatën për Shëndetin e Kafshëve sepse momentalisht AUVK nuk ka të drejtë të raportojmë sëmundjet e kafshëve.

Ai shtoi se mungesa e bashkëpunimit të Inspektorëve të Veterinarisë në nivel komunal me ata qendror, po e vështirëson edhe më shumë kontrollën në teren.

Adil Spahiu nga “Industria e Mishit Malësia”, theksoi që shteti duhet të mbrojë bizneset prodhuese duke iu lehtësuar qasjen në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, duke shtuar se bizneset e këtij sektori janë të gatshme të përkrahin AUVK në çdo mënyrë ashtu që të tejkalohet situata aktuale.

Gëzim Selimi nga “Industria e Mishit Calabria”, kërkoi të informohet në detaje për eksportin e produkteve të mishit të shpezëve, prejardhja e të cilave është nga vendet e BE – së.

Sipas një komunikate të OAK, bizneset prezente në këtë takim virtual patën mundësitë të informohen për nga afër lidhur me mundësitë e zhvillimit të veprimtarive të tyre, ku në fund të takimit u dakorduan që të zhvillohet edhe një sesion informues me biznesin e parë që ka arritur të eksportojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat