Hoti premton ndihmë për prodhuesit e qumështit: Do të inspektojmë tregun në mënyrë rigoroze

Ekonomi

Hoti premton ndihmë për prodhuesit e qumështit: Do të inspektojmë tregun në mënyrë rigoroze

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 14:18
Ilustrim

Pasi qumështarët i dhanë afat deri më 29 shtator të ndërmarrë masa për heqjen e produkteve me vajin e palmës nga tregu, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është zotuar se do t’i ndihmojë fermerët dhe përpunuesve të qumështit me të gjitha kapacitetet ligjore që kanë.

Vendimi i fundit i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për ndaljen e importit të produkteve me vaji të palmës po konsiderohet se nuk ka dhënë rezultate për prodhuesit vendorë.

E derisa këta të fundit paralajmërojnë sërish derdhjen e qumështit për shkak të importit të produkteve të qumështit me vaj të palmës, i pari i Ekzekutivit thotë se po punohet për të përmirësuar situatën në sektorin e qumështit dhe se për këtë po bëhen edhe inspektime në terren.

Hoti: Kemi bërë analizat për t’u siguruar që konsumatorët e dinë se çka po blejnë në treg

“Gjatë këtyre ditëve kemi bërë edhe analizat e nevojshme në dy fronte, përmes Ministrisë së Tregtisë me Inspektoratin e Tregut, për t’u siguruar që në treg konsumatorët e dinë çfarë blejnë, sepse ka shumë vërejtje që konsumatorët nuk janë të qartë në produktin që blejnë, se a është me vaj palme apo është produkt me bazë qumështi. Inspektorati i Tregut dhe Ministria e Tregtisë, por edhe ministri, sot janë në terren, për t’u siguruar që në markete kudo që shitet qumësht dhe produkte të tjera, bëhet e qartë pra që shiten në lokacione të ndryshme brenda marketeve, produktet që janë me bazë të vajit të palmës dhe produktet që kanë bazë qumështin natyror”, tha Hoti.

Hoti pas takimit që ka mbajtur me drejtorin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Naser Krasniqi, tha se dy javë që prodhuesit e qumështit, fermerët kanë vështirësi në plasimin e qumështit të tyre.

Shefi i ekzekutivit tha se për shkak të situatës që është krijuar në treg, nga pandemia COVID-19, përpunuesit e qumështit e kanë të mundur ta shesin atë në treg.

Hoti: Do t’u qëndrojmë afër prodhuesve të qumështit

“AVUK-u është duke punuar intensivisht, duke marrë mostra në terren nëpër markete të ndryshme, për t’u siguruar që produktet që shiten e kanë përmbajtjen në bazë të etiketës. Unë e di sa problem është dhe sa vështirë e kanë sot i gjithë ky sektor i prodhimit dhe përpunimit të qumështit. Do t’ju qëndrojmë afër duke inspektuar në mënyrë rigoroze tregun, për t’u siguruar se konsumatorët ta dinë se çfarë po blejnë, pra kur të hynë në markete këto produkte të shiten në dy lokacione të ndryshme brenda marketit dhe në të njëjtën kohë AVUK-u do të jetë shumë i angazhuar në terren për të marrë mostra dhe për të bërë testet e nevojshme”, tha Hoti.

Ai tha se është kompetencë ligjore e AVUK-ut dhe Ministrisë së Tregtisë, dhe obligim ligjor që të funksionojnë, të jenë rigorozë në terren ndaj atyre që e shkelin ligjin për mbrojtjen e konsumatorit duke mos i shitur produktet ashtu siç shkruan në etiketë.

Hoti përmendi edhe premtimin që kanë dhënë për dyfishimin e subvencionimit për bujqësinë dhe tha se janë duke i bërë përgatitjet e nevojshme për këtë.

Ndryshe, vendimi i fundit i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për ndaljen e importit të produkteve me vaji të palmës po konsiderohet se nuk ka dhënë rezultate për prodhuesit vendorë.

Në vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, i cili ka hyrë në fuqi më 15 shtator për ndalimin e importit të produkteve me vaji të palmës, në pikën 5 thuhet se ‘Obligohet Inspektorati i Tregut të obligojë operatorët ekonomikë të bëjë ndarjen e produkteve të qumështit me yndyrë bimore (vaj palme) prej atyre me origjinë shtazore”.

E, kryetari i këshillit koordinues ndërmjet shoqatave prodhuese dhe përpunuese të qumështit, Ramadan Memaj ka paralajmëruar se nga dita e martë më 29 shtator, të gjithë fermerët, pikat grumbulluese dhe disa përpunues të qumështit do të fillojnë me protesta masive fillimisht në Prishtinë, e mandej në të gjithë Kosovën. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat