Kosova me borxh të ulët publik, Qeveria pa plan për ta shfrytëzuar

Ekonomi

Kosova me borxh të ulët publik, Qeveria pa plan për ta shfrytëzuar

Më: 7 tetor 2020 Në ora: 21:04
foto ilustrim

Edhe pse përgjatë viteve borxhi publik i Kosovës është në rritje, prapë mbetet një prej borxheve më të ulëta në rajon. Megjithatë, Qeveria, përkundër situatës së pandemisë, nuk ka ndonjë plan për ta shfrytëzuar. Ekspertët vlerësojnë se borxhi publik është një instrument i mirë për t’u shfrytëzuar.

Nën shifrën prej  1.4 miliardë euro, borxhi publik i Kosovës mbetet një prej borxheve më të ulëta në rajon. Edhe pse vendi ndodhet në një krizë ekonomike, Qeveria përmes pakos së rimëkëmbjes po tenton që të ketë kujdes, që ky borxh të mos rritet.

Alban Hashani, drejtor në Institutin Riinvest thotë se në një raport të tyre të publikuar para disa viteve, kanë gjetur se disa projekte të cilat janë financuar me borxh publik, nuk janë ekzekutuar.

“Ne para disa viteve kemi publikuar një raport interesant për borxhin publik, ku kemi identifikuar se kemi projekte që janë financuar me borxh publik e që më pas nuk janë ekzekutuar. Me fjalë tjera, ne kemi marrë kredi dhe jemi ngarkuar me borxh, mirëpo nuk po mundemi ta ekzekutojmë kredinë e që ngarkohemi me penallti për këtë shkak”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Alban Hashani.

E për profesorin Sejdi Rexhepi, Qeveria e Kosovës është dashur që me kohë t’i shfrytëzojë fondet të cilat i ka pasur në dispozicion.

“Nga fondet që ka pasur në dispozicion qeveria është dashur të krijohet një fond zhvillimor që do të mund të përdorej për kreditim të sektorëve të caktuar që janë me interes. Vetëm PTK-ja dikur ka pasur në dispozicion 450 milion euro fonde të pashfrytëzuara”, deklaroi Sejdi Rexhepi.

Përgjatë viteve, borxhi publik i Kosovës është në rritje. Edhe pse ky vit akoma nuk ka përfunduar, borxhi publik është për më shumë se 100 milionë euro më i lartë së në vitin 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat