“Vetëm ajrin e minierës ta thithësh, është mjaft”

Ekonomi

“Vetëm ajrin e minierës ta thithësh, është mjaft”

Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 17:58
Një minator në minierën e Stantërgut. Foto nga arkivi

Qazim Hyseni, 61 vjeç nga Mitrovica, që nga viti 1983 punon në minierën e Stantërgut në kombinatin metalurgjik Trepça.

Punën në minierë, ai e përshkruan si punën më të vështirë që mund ta bëjë dikush.

“Miniera është minierë, vetëm ajrin e minierës ta thithësh është mjaft, edhe nëse asnjë punë tjetër nuk bën aty brenda”, thotë ai.

Thellësia deri në horizontin e 12-të, sa ka miniera e Stantërgut, është deri në 800 metra nën sipërfaqen e tokës.

E puna, nën këtë sipërfaqe të tokës, thotë Qazimi, është shumë e rrezikshme.

“Duhet pasur kujdes, përndryshe pëson. Një gabim e humb jetën”, thotë ai.

Në minierat e kombinatit metalurgjik "Trepça", nuk kanë munguar incidentet.

I fundit ka ndodhur në qershor të këtij viti, kur dy minatorë kanë vdekur si pasojë e shembjes së dheut në minierën e Artanës.

Ata vdiqën pasi që kishte ndodhur një shembje e papritur e masës shkëmbore në minierë.

Një incident të shembjes në minierën e Stantërgut e tregon edhe Qazimi, i cili kishte shpëtuar siç thotë, ai “nga më e keqja".

“Unë vetë kam pasur një rast. Kur kam shkuar të rregulloj një makinë ku ngarkohet xehja, edhe derisa e kemi rregulluar e kemi ngritur lart është shembur xehja dhe e ka zënë makinën, ka qenë një minutë që unë kam lëvizur nga vendi ku ka rënë xehja, përndryshe do të pësoja keq”, tregon Qazimi.

Kushtet në të cilat punohet në minierë, thotë Qazimi, janë të vështira, pasi që edhe vetë puna është e tillë.

“Teknologjia është e vjetruar, por ka edhe makina të reja, makinat që unë i mirëmbaj, janë të vjetra diku 70 vite, por janë në gjendje të mirë, e kushtet e punës janë ashtu siç i ka miniera, të vështira ”, thotë ai.

Trepça po shkatërrohet

Trepça, e cila llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi, që nga paslufta në Kosovë e vitit 1999, nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Qazimi thotë se kjo ndërmarrje po shkatërrohet nga mosmenaxhimi.

“Për mua është e dhimbshme kur po e shoh Trepçën kështu, në këtë gjendje të rëndë. Është e tmerrshme, çfarë po bëhet. Ka inxhinierë të ri, që çdo ditë rrinë këtu, nuk po punohet si duhet, nuk po udhëhiqet Trepça si duhet, prandaj jemi në këtë situatë”, thotë ai.

Trepça, sipas tij, me një menaxhim të duhur dhe me një ndihmë financiare nga Qeveria e Kosovës, do të mund të ri-funksionalizohet.

Pagat herë pas here nuk jepen me kohë, minatorët hyjnë në greva

Qazimi, i cili ka një familje prej shtatë anëtarësh, thotë se paga që ai merr nga puna si mirëmbajtës i makinave në Trepçë është 700 euro, që gjatë viteve të fundit për shkak të problemeve financiare në këtë kompani, herë pas herë nuk i është dhënë paga me kohë.

“Tani nuk e kemi marrë ende pagën e tetorit. Është e vështirë se kemi kredi. Me këto rroga jetojmë, nuk kemi të ardhura tjera”, tregon ai për Radion Eropa e Lirë.

Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça”, kanë hyrë të mërkurën në grevë brenda minierës, pasi që nuk kanë marrë pagat e tetorit.

Greva është ndërprerë, pasi që minatorët kanë marrë njoftimin se pagat do t'iu dalin në xhirollogari.

Pas kësaj situate të krijuar, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të ndërmarrjes "Trepça", Hysen Vrajolli, ka dhënë dorëheqje. Pas dorëheqjes së Vrajollit në këtë detyrë është emëruar Enes Muzaqi.

Trepça në borxhe

Ndërmarrja Trepça tani e sa kohë është duke kaluar në një krizë financiare.

Ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të ndërmarrjes "Trepça", Hysen Vrajolli, pati deklaruar javë më parë për Radion Evropa e Lirë se kjo ndërmarrje ka një borxh prej rreth pesë milionë eurosh ndaj Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) dhe operatorëve tjerë.

Qeveria e Kosovës më 13 nëntor ka ndarë mbi një milion euro për kombinatin metalurgjik “Trepça”, si zgjidhje për t'i tejkaluar problemet financiare që ka akualisht kjo kompani.

Aktualisht, Trepça merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut dhe është e vetmja prodhuese e këtij lloji në Kosovë.

Por, prodhimi është shumë i ulët me vetëm rreth 150 mijë tonë xehe në vit, ndërsa në periudhën para vitit 1999, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit.

Edhe kapacitetet e saj humane janë zvogëluar, po ashtu, përgjatë viteve, duke u reduktuar në rreth 1,500 punëtorë nga më shumë se 20,000 sa ishin të punësuar në këtë kombinat dikur.

“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Kombinati metalurgjik "Trepça", gjendet në Mitrovicë. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat