Të rinjtë shqiptarë po bëhen milionerë nga puna online për të huajt

Ekonomi

Të rinjtë shqiptarë po bëhen milionerë nga puna online për të huajt

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 18:48
Ilustrim

D. H. është një i ri shqiptar i cili ka fituar deri më tani 200 mijë dollarë nga puna online për individë dhe kompani jashtë vendit. Profesioni i tij është i lidhur me zhvillimin e web-eve dhe i shet shërbimet e tij në platformën “upworks” kundrejt një pagese 75 dollarë për orë.

Është mbresëlënëse se Doriani, ende një djalë i ri, ka arritur të fitojë shumë para duke jetuar në Shqipëri. Si ai janë edhe qindra të rinj dhe të reja nga Shqipëria që shesin njohuritë e tyre në internet. Fitimet e për punën e tyre online janë të konsiderueshme që shkojnë në mijëra dhe qindra mijë dollarë, në disa raste.

Platforma “Upwork” është një aplikacion që liston për punë online profesionistë nga e gjithë bota. Gjatë periudhës së pandemisë regjistrimet nga Shqipëria janë rritur në mënyrë të dukshme. Banka Botërore, në një raport të posaçëm për zhvillimin e e-commerce gjatë pandemisë, vuri në dukje se Shqipëria pati një numër të lartë të profesionistëve që u regjistruan në platformën “upworks”.

Numri i shqiptarëve të regjistruar në këtë platformë shpesh kaloi atë të vendeve të zhvilluara.

Elda. K, një arkitekte me përvojë 12-vjeçare, ka fituar 90 mijë dollarë nga puna e saj online, sipas të dhënave nga platforma “upworks”.

Profesionistët shqiptarë përfshijnë fusha të ndryshme që nga shërbime IT, arkitekt, përkthyes, menaxherë, këshillues, ekonomistë, inxhinierë IT, etj.

Të rinjtë shqiptarë profesionistë kanë marrë përgjithësisht vlerësime pozitive nga punëdhënësit, për shkak se ofrojnë shërbime të mira kundrejt një pagese jo shumë të lartë.

Një e re nga Tirana raportohet të ketë fituar 60 mijë dollarë nga përpunime të avancuara të të dhënave në excel. Punëdhënësit e saj ishin të mahnitur për cilësinë e lartë të punës në një afat të shkurtër.

Profesionistët shqiptarë ofrojnë punë kundrejt një pagese që shkon nga 10 dollarë deri në 80 dollarë ora sipas shkallës së vështirësisë së punës. Por për disa shërbime si arkitektura dhe përkthimi, profesionistët shqiptarë kërkojnë pagesa shumë më të ulëta se kolegët e tyre në rajon dhe në Evropë.

Banka Botërore e sheh e-commerce si një mundësi jo vetëm për profesionistët shqiptarë, por edhe për kompanitë shqiptare, të cilat mund të shesin prodhimet e tyre në tregje më të mëdha se popullsia e vogël e Shqipërisë prej 2.8 milionë banorësh.

Në një raport të fundit, “Diagnostikimi i e-commerce në Shqipëri”, Banka Botërore tha se karantina nxiti e-commerce globalisht dhe ashtu si kudo në Shqipëri, bizneset u përpoqën që të përshtateshin me kushtet që kishin drejt një tregtie online, edhe pse të cunguar.

“Në 2020, kriza e COVID-19 ka çuar në një nxitje të madhe drejt dixhitalizimit të ekonomisë shqiptare. Një anketë e Bankës Botërore me Sipërmarrjet për vitin 2020 tregon se 20 për qind e firmave shqiptare të anketuara ose kanë nisur ose kanë rritur aktivitetin e biznesit online gjatë pandemisë së COVID-19. Në një anketë me konsumatorët, Banka Botërore tregoi se 55 për qind e të anketuarve ishin përgjigjur se kishin rritur përdorimin e shopping-ut online që nga nisja e pandemisë”, vlerëson Banka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat