Gastronomët kërkojnë kompensim, tani masa kufizuese

Ekonomi

Gastronomët kërkojnë kompensim, tani masa kufizuese

Më: 27 gusht 2021 Në ora: 19:05
Kosovë, lokale gastronomie të mbyllura nga kufizime për mbrojtje nga përhapja e sëmundjes COVID-19.

Përfaqësues të komunitetit të bizneseve në Kosovë, po kërkojnë që të mbështeten në mënyrë financiare bizneset, të cilat do të preken nga masat e paralajmëruara, për ta vënë në kontroll përhapjen e koronavirusit që shkakton sëmundjen COVID-19.

Masat e paralajmëruara janë: ora policore nga 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit dhe orari i punës për gastronominë që pritet të reduktohet për një orë, nga 22:30 në 21:30, duke funksionuar vetëm në hapësirat e jashtme me vetëm 70 për qind të sipërfaqes. Në qendrat tregtare, gastronomia nuk do të funksionojë fare, kurse sallat e dasmave, klubet e natës, kinematë dhe të tjera do të vazhdojnë të jenë plotësisht të mbyllura.

Kjo masë është paralajmëruar nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit dhe nga Shoqata e Gastronomëve. Sipas tyre, për këtë masë, e cila është diskutuar edhe me ministrin e shëndetësisë, Arben Vitia, pritet të vendoset së shpejti. Por, deri më tani, qeveria e Kosovës nuk ka marrë ndonjë vendim zyrtar.

Hysen Sogojeva, udhëheqës i kësaj ode, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se për shkak të rritjes së numrit të të infektuarave, Oda është pajtuar për masa kufizuese. Mirëpo, për humbjet e shkaktuara duhet të kujdeset qeveria e Kosovës.

“Po mundohemi të gjejmë një mes, të ruhet shëndeti i qytetarëve, pasi shëndeti është primar por edhe mos të dëmtohen bizneset. Çdo masë që merret është në disfavor të bizneseve. Prandaj, në odë tashmë jemi të fokusuar që këto humbje të mbulohen nga qeveria. Le të gjejnë forma, alternativa, mënyra. Përndryshe do të ketë reagime, sepse humbjet financiare janë të mëdha”, thekson Sogojeva.

Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, thotë se nuk ka kuptim të bëhet një mbyllje e pjesërishme pa pasur mbështetje financiare. Në të kundërtën, ai shprehet se nuk do pajtohen me masat e propozuara. Vranica, thekson se gastronomët kanë operuar vetëm gjatë muajve të verës dhe kjo periudhë nuk ka mjaftuar për rikuperim të dëmeve nga masat e kaluara të qeverisë, për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit.

“Në këtë mbyllje të ketë një rialokim të mjeteve dhe të krijohet një pako e re financiare, në kuptim të kompensimit të dëmit apo fitimit të humbur në këtë kufizim që po pritet”, tha ai.

Rukiqi: Masa të rrepta duhet të zbatohen, për ata që nuk vaksinohen

Lufta me pandeminë, ka armë të tjera në dispozicion: vaksinimin masiv të kombinuar me masa të distancës sociale. Ora policore dhe kufizimet në orare, nuk janë zgjidhje, ka shkruar në rrjetin social Facebook, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

“Rastet me fatalitet dhe të hospitalizuarit, janë nga kategoritë që nuk po vaksinohen. Nuk mund te vazhdojmë të paguajmë dëmin, e të papërgjegjshmeve, të cilët nuk po vaksinohen dhe të jokonsistencës në menaxhimin e pandemisë. Kufizime të rrepta duhet te zbatohen, por në këtë rast, për ata që nuk po vaksinohen”, ka shkruar Rukiqi.

Javët e fundit në Kosovë, është rritur dukshëm numri i të infektuarve me koronavirus, ku dominues është varianti Delta. Gjatë kësaj jave, nga dita e hënë deri të enjten, (23-26 gusht) autoritet shëndetësore, kanë raportuar për 7.804 raste pozitive dhe 62 viktima nga koronavirusi i ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Ndërsa gjatë ditës se premte( 27 gusht) janë regjistruar 16 vdekje dhe 2.098 raste të reja me koronavirusin e ri.

Varianti Delta i koronavirusit, besohet se qëndron mbrapa kësaj rritjeje të shkallës së infektimit, derisa grupmosha që regjistron më së shumti raste, është ajo nga 20 deri në 39 vjeç.

Në spitalet e Kosovës, 55 pacientë janë në gjendje të rëndë shëndëtësore, njoftoi të premten Shërbimi Spitalor dhe Klinik Univeristar i Kosovës. Kurse numri i përgjithshëm i pacientëve me koronavirus, të shtrirë në spitale, është 1,051. Prej tyre, 952 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

Ramadani: Masat e mjaftueshme nëse zbatohen dhe qytetarët vaksinohen

Duke u bazuar në raportimet ditore të Ministrisë se Shëndetësisë, për rastet pozitive dhe numrin e viktimave, infektologu Hamdi Ramadani, vlerëson se masat e paralajmëruara janë të mjaftueshme për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit, nëse ato zbatohen në praktikë. Ai vlerëson se vaksinimi është arma më e fortë për luftimin e pandemisë, kurse në Kosovë, numri i personave të vaksinuar me te dyja dozat, është jashtëzakonisht i vogël.

“Për momentin, Kosova nuk është në fazën për mbyllje totale, por nëse masat e paralajmëruara zbatohen dhe monitorohen nga institucionet kompetente, mund të ndalin hovin e variantit Delta. Nëse respektohet distanca, mbajtja e maskës, higjiena dhe vaksinimi në masë i qytetarëve, për disa ditë do vërehen efektet e para të zvogëlimit të numrit të të infektuarëve”, vlerëson Ramadani

Edhe mjekët po bëjnë thirrje për vaksinim, pasi sipas tyre, që prej nisjes së fushatës së imunizimit, asnjë person i vaksinuar në Kosovë nuk ka vdekur si pasojë e koronavirusit.

Kosova deri më tani ka administruar 747,898 vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht janë 256.235 persona. Një person konsiderohet i imunizuar plotësisht, 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat