​Projektligji për Identifikimin Elektronik ndihmon bizneset dhe synon zhdukjen e letrës

Ekonomi

​Projektligji për Identifikimin Elektronik ndihmon bizneset dhe synon zhdukjen e letrës

Më: 27 shtator 2021 Në ora: 11:52
Pamje nga takimi

(E plotësuar 13:45) - Përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë gjatë shqyrtimit të projektligjit për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kanë thënë se ky projektligj është i nevojshëm për vendin dhe nuk do t’i bankrotojë bizneset, por do t’i ndihmojë ato.

Ani se e mirëpritën përfaqësuesit e bizneseve një ligj i tillë, gjatë diskutimit në komision, kërkuan gjithëpërfshirje në hartimin e akteve nënligjore.

Nënkryetarja e këtij komisioni, Jeta Statovci theksoi e projektligji në fjalë përveç që është i domosdoshëm, është në trendët e zhvillimit për krijimin e pavarësisë nga letra.

Derisa ka shtuar se ka mjaft anë pozitive për operim më të lehët dhe kosto me të ulët.

Statovci: Projektligji ulë koston dhe lehtëson operimin e bizneseve

“Është një ligj i një rëndësie të veçantë, i cili merr për bazë faktin që jemi duke operuar në një botë e cila është mjaft e ndërlidhur, edhe që trendët tregojnë se për shkak të rrethanave të fundit siç ishte edhe në raport me pandeminë, tregojnë se duhet krijuar mekanizma që ta mundësojnë edhe pavarësimin nga letra. Kështu që mendoj se ky ligj i cili ka qenë ndër vite i kërkuar, ofron një infrastrukturë të mirë ligjore mbi të cilën mund të operacionalziohen çështjet e tilla. Pra, ka mjaft anë pozitive të tij që kanë të bëjnë me ulje të kostos, operim më të lehtë dhe ndërlidhje më e mirë mes palëve”, theksoi Statovci.

Kosovare Alaj Bajrami nga Banka Qendrore e Kosovës(BQK) duke vlerësuar si të domosdoshëm këtë ligj, ka kërkuar nga Ministria e Ekonomisë krijimin e kushteve njerëzore, buxhetore dhe teknike për implementimin e këtij ligji.

Alaj Bajrami: Kërkohen kushte njerëzore dhe teknike për implementimin e këtij ligji

“Përveç udhëzimeve administrative që duhet me i nxjerr Ministria e Ekonomisë, kjo duhet me planifikuar buxhet dhe resurse njerëzore e teknike për me implementuar një ligj të tillë. Ka kërkesa shumë të mëdha si njerëzore, si teknike. Prandaj, ky ligj është i domosdoshëm si për bankat komerciale, edhe Bankën Qendrore për zhvillimin e ekonomisë në këtë fushë”, u shpreh ajo.

Agim Kukaj nga Ministria e Ekonomisë, ministri kjo që është sponsorizues i këtij projektligji, tha se ky ligj tenton që t’ua lehtësojë punën bizneseve dhe institucioneve të shtetit.

Kukaj ka thënë se kanë siguruar 4 milionë euro nga IPA për zbatimin e këtij ligji, teksa është përgjigjur se do të jenë edhe gjithëpërfshirës në hartimin e akteve nënligjore.

Kukaj: Ky ligj nuk do t’i bankrotojë bizneset

“Jemi të përgatitur me i bërë këto punë, është njëra prej shtyllave të infrastrukturës digjitale në Kosovës që është ky ligj dhe zbatimi i tij… Shërbimet mund të jenë edhe prej qeveritarëve nëpërmjet ‘E-qeverisjes’, shërbimi financiar, shërbimi bankar, shërbimi shëndetësor, ATK, regjistrimi i bizneseve. Ky ligj nuk do t’i bankrotoj bizneset në Kosovë, por do t’i ndihmojë ato. Kjo nuk vihet në dilemë që do të ketë dikush ndikim. Ne nuk mundemi gjatë natës ta zhdukim letrën, mirëpo duhet të insistojmë me rregullore të caktuara që letra vërtet të zhduket për dy arsye”, tha Kukaj.

Emrush Ujkani nga Këshilli Investitorëve Evropian, ka mirëpritur këtë projektligj, i cili tha se është kërkesë që sa më shpejt të procedohet.

Derisa, shtoi se kjo fushë digjitale është e ndjeshme dhe ka vlerësuar se duhet një qasje sa më gjithëpërfshirëse.

Ujkani: Për aktet nënligjore të ketë një qasje sa më gjithëpërfshirëse

“Mendoj, se përveç kësaj është e domosdoshme që edhe në pjesën e draftimit të akteve nënligjore të jenë të kyçur edhe pjesa e atyre që afektohen nga zbatimi i këtij ligji, me arsyen që do t’i jepte kuptim më të mirë edhe vet zbatimit. Flasim për një fushë, e cila është pak më e ndjeshme, njerëzit që vijnë nga sektori i IT-së dhe që janë ekspert të kësaj fushe flasin pa asnjë problem, mirëpo për një pjesë të madhe të njerëzve mundet me qenë një ‘shkencë në vete’, prandaj, për këtë arsye gjykojmë dhe vlerësojmë që jo vetëm te ligji që jemi ftuar tash dhe që është një gjë e mirë, por edhe në procedimin tutje të miratohet dhe aktet nënligjore të ketë një qasje sa më gjithëpërfshirës . ndryshe, ne nuk kemi ndonjë koment në përmbajtje, konsiderojmë që drafti tash për tash është në vij me kërkesat e komunitetit biznesor”, theksoi Ujkani.

Partin Pruthi, përfaqësues i njërit nga bankat në Kosovë, në këtë diskutim tha se ligji për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike është i nevojshme për veprimtarinë e bankare, megjithëse siç tha ai edhe duhet të zbatohet.

Pruthi: Ligji është i nevojshëm për bankat

“Pavarësisht pandemisë, ne si shoqëri aksionare shumicën e punëve i kryejmë me telefon dhe kompjuter, prandaj ky ligj është i nevojshëm për jeton të përditshme për me blerë dhe shitë shërbime përmes pajisjeve tona. Ajo çka është me rëndësi, është që ky ligj me u zbatuar… Neve si bankë na hyn në përdorim më së shumti”, tha Pruthi.

Ministria e Ekonomisë pret që deri në tetor të këtij viti Kuvendi ta aprovojë, pasi që është edhe kërkesë e Bankës Botërore.

***

Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti gjatë shqyrtimit të projektligjit për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, kanë thënë se ky projektligj nuk do t’i bankrotojë bizneset, por do t’i ndihmojë ato.

Ndërsa, nënkryetarja e këtij komisioni Jeta Statovci, theksoi e projektligji në fjalë përveç që është i domosdoshëm, është në trendet e zhvillimit për krijimin e pavarësisë.

“Ka mjaft anë pozitive për operim më të lehët dhe kosto me të ulët”, tha ajo.

Edhe Kosovare Bajrami nga Banka Qendrore e Kosovës(BQK), tha se ky ligj është i domosdoshëm si për BQK-në, ashtu edhe për bankat, i cili ndikon për zhvillimin ekonomik.

Edhe Emrush Ujkani nga Këshilli Investitorëve Evropian, ka mirëpritur këtë projektligj, i cili tha se është kërkesë që sa më shpejt të procedohet.

Derisa, shtoi se kjo fushë digjitale është e ndjeshme dhe ka vlerësuar se duhet një qasje sa më gjithpërfshirëse.

Kurse, Agim Kukaj nga Ministria e Ekonomisë, ministri kjo që është sponsorizues i këtij projektligji, tha ky ligj tenton që t’ua lehtësojë punën bizneseve.

“Ky ligj nuk do t’i bankrotoj, bizneset, por do t’i ndihmojë, kështu që letra duhet të zhduket. Ky projektlligj është një prej shtyllave digjitale në Kosovë. Prej vitit 2018 është zvarritur, prandaj duhet me u aprovuar së pari, dhe momentin që aprovohet ky ligj do të krijohen grupet punese për plotësim ndryshim”, tha ai.

Ai pret që deri në tetor të aprovohet ky projektligj në kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat