​BERZH: Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 8 %

Ekonomi

​BERZH: Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 8 %

Më: 6 nëntor 2021 Në ora: 18:13
Foto ilustrim

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vlerëson se rritja ekonomike në Shqipëri gjatë vitit 2021 do të jetë 8 %.

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Institutit të Vjenës (WIIW), është BERZH ai që raporton për rritje me ritme më të shpejta të ekonomisë shqiptare sesa parashikimet e fillimvitit.

Në raportin e saj të fundit të Perspektivave Ekonomike Rajonale (REP), të publikuar këtë javë, BERZH rriti ndjeshëm projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2021 nga 4.5 % në 8%.

“Ekonomia pritet të rritet me 8 % në 2021 dhe me 3.7 % në 2022”, parashikon BERZH.

Sipas raportit të BERZH-it, Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike pozitive për tre tremujorë radhazi, e nxitur nga zgjerimi i kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme.

Ky rishikim i rëndësishëm në rritje sipas BERZH-it, reflekton një prodhim më të mirë se sa pritej në gjysmën e parë të vitit dhe tregues të rritjes së vazhdueshme në tremujorin e tretë.

“Prodhimi industrial dhe eksportet në rritje në Bashkimin Evropian (BE) po mbështesin rritjen në Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, ndërsa Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi po përfitojnë nga një rikthim i fortë në sektorin e mikpritjes gjatë muajve të verës. Rimëkëmbja është nxitur edhe nga zgjerimi i konsumit të familjeve, i mundësuar nga rritja e remitancave, rritja e pagave nominale dhe rritja e kredisë në shumicën e ekonomive të rajonit”, thuhet në raport.

Sa i përket Shqipërisë, në raport theksohet se turizmi u ringjall fuqishëm në sezonin e verës së këtij viti me numrin e turistëve të huaj pothuajse të barabartë me shifrat para pandemisë në periudhën qershor-gusht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat