Bankat fitojnë miliona euro nga tarifat e shërbimeve

Ekonomi

Bankat fitojnë miliona euro nga tarifat e shërbimeve

Më: 12 janar 2022 Në ora: 16:59
Ilustrim

Mbi 74 milionë euro llogaritet vlera e të hyrave vetëm nga tarifat e shërbimeve dhe komisioneve në 11 bankat komerciale që operojnë në Kosovë.

“Vlera e të hyrave të bankave nga jointeresi deri në muajin nëntor të vitit 2021, ishte 78.3 milionë euro. Nga kjo shumë, 74.4 milionë euro janë të hyra nga tarifat dhe komisionet, dhe 3.9 milionë nga të ardhurat tjera operative”, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës.

Disa nga institucionet financiare në Kosovë kanë paralajmëruar klientët e tyre për rritje të çmimeve të tarifave për shërbime.

Në këto shërbime përfshihen mirëmbajtja e llogarisë, tërheqja e parave, trasferet, pagesat e faturave dhe shërbime të tjera.

Bankat komerciale, tarifat për shërbime i aplikojnë në bazë të politikave të brendshme, pasi BQK-ja nuk aprovon çmimoren e bankave.

“Sipas Rregullores për normën efektive dhe kërkesat për shpalosje, kërkohet nga bankat që çdo tarifë që e aplikojnë, ta ndërlidhin me koston përkatëse. Megjithatë, bazuar në trendët e bankingut digjital, aplikimi i tyre mund të ketë kosto të mirëmbajtjes së sistemeve, por që në fund bankat janë ato që specifikojnë çmimoret e produkteve në bazë të politikave dhe procedurave të brendshme”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Rritja e tarifave për shërbime vjen në kohën kur Kosova e përmbylli vitin 2021 me rritjen më të lartë të çmimeve të produkteve ushqimore dhe paralajmërimeve për shtrenjtim të faturave të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat