OAK kërkon sërish heqjen e orës policore: Vendim tepër i dëmshëm për punëtorët dhe bizneset

Ekonomi

OAK kërkon sërish heqjen e orës policore: Vendim tepër i dëmshëm për punëtorët dhe bizneset

Më: 24 janar 2022 Në ora: 17:22
Foto ilustrim

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) në emër të komunitetit të bizneseve që përfaqëson ka kërkuar edhe njëherë nga Qeveria e Kosovës largimin e orës policore dhe kushtëzimin e vendosur për hyrje në Kosovë, me tre vaksina përmes vendimit nr. 01/55.

Në një komunikatë për media, OAK ka bërë të ditur se kërkesën e kanë përsëritur përmes një shkrese të përcjellë tek kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e linjës. 

Sipas OAK-së obligimi për vaksinim me tri doza të vaksinës po ndikon që edhe më shumë të kufizohet lëvizja e qytetarëve si dhe qarkullimi i bizneseve.

“Bazuar në pikën 14 të Vendimit Nr. 01/55 thuhet që ‘Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00’, përmes këtij vendimi vazhdon të kufizohet ushtrimi i veprimtarisë për sektore të veçanta”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, OAK kërkon që me urgjencë të përkrahen punëtorët dhe bizneset që u mbyllën apo u është kufizuar shfrytëzimi i hapësirës në 30%, 50% apo 70%., pasi që si rezultat i këtij kufizimi janë dëmtuar qindra biznese dhe kanë mbetur pa punë mijëra punëtor. 

“Oda e Afarizmit të Kosovës vazhdimisht bënë thirrje tek komuniteti i biznesit që të respektohen masat e vendosura nga Institucionet e Republikës së Kosovës, mirëpo gjithashtu po kërkon nga Qeveria e Kosovës që çdo vendim për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë apo përgjysmim i tij të përcillet me përkrahje financiare. Çdo qytetari të Republikës së Kosovës, përmes Kushtetutës së vendit, i sigurohet e drejta e ushtrimit të punës. Duke marrë parasysh që aktualisht jemi në një situatë të jashtëzakonshme, më e pakta që mund të bëjë shteti për qytetarin që nuk e lejon të punojë është t’i ofrojë përkrahje financiare”, thuhet po aty. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat