​Projektligji për financimin e partive obligon partitë t’i bëjnë transparente donacionet

Ekonomi

​Projektligji për financimin e partive obligon partitë t’i bëjnë transparente donacionet

Më: 26 janar 2022 Në ora: 14:47
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në mbledhjen e sotme votoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për financimin e subjekteve politike, si dhe ligjin për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin 03/L-256 .

Arsyetimin e këtij projektligji e ka bërë Mentor Borovci nga Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit, i cili theksoi se në aspektin buxhetor është paraparë një kosto shtesë mbi gjysmë milion euro, ku përfshinë numrin e punëtorëve dhe mallra e shërbime.

Përveç kësaj, duke iu përgjigjur anëtarëve deputetë të këtij Komisioni, Borovci tha se ky projektligj është në përputhje me rekomandimet dhe standardet e Komisionit të Venedikut.

Madje, ai tha se projektligji adreson edhe transparencën e financimit të partive politike.

Borovci: Janë inkorporuar rekomandimet e Komisionit të Venedikut

"Mendoj që teksti i projektligjit ka mjaft rregull juridik për sa i takon donacioneve, ashtu siç na ka rekomanduar fjalë për fjalë Komisioni i Venedikut e deri te obligimi që donacionet të bëhen transparente nga ana e subjekteve politike. E po ashtu deri te Zyra që ka mandat ose kompetenca që të shqiptojë edhe gjoba në përputhje me Ligjin për kundërvajtje", tha Borovci.

Përkundër që deputetët e opozitës shfaqën kritikat e tyre për këtë projektligj, VV, LDK dhe AAK votuan pro procedimit për shqyrtim në seancë, me kërkesën e deputetit Avdullah Hoti, që mes dy leximeve të formohet një Grup punues për trajtimin e raportit të Komisionit të Venedikut.

Ish-kryeministri Hoti tha se është e nevojshme që Komisioni për Buxhet ta trajtojë raportin e Komisionit të Venediku.

Hoti: Ne duhet ta shqyrtojmë raportin e Komisionit të Venedikut

"Propozoj që ta procedojmë për në seancë, por përpara leximit të parë ne të kujdesemi që përmes stafit të Komisionit të pranojmë raportin e Komisionit të Venedikut, edhe një përmbledhje të diskutimit që kanë bërë në diskutimin publik që duket se kanë pasur Zyra e Kryeministrit me partitë politike. Jam i interesuar po ashtu që me këtë rast t'ia adresojmë edhe vërejtjet që kanë dhënë këto misione monitoruese në vazhdimësi, të Bashkimit Evropian", u shpreh Hoti.

Edhe deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj u shpreh I habitur se si zyrtari ligjor nga Zyra e Kryeministrit nuk bëri të qartë vërejtjet e Komisionit të Venediku. Derisa ka kërkuar që me anë të këtij projektligji të rregullohet strikt auditimi i brendshëm nga partitë.

Lekaj: Nuk u bë e qartë cilat ishin vërejtjet e Komisionit të Venedikut

"Sa i përket Komisionit të Venedikut, se cilat kanë qenë vërejtjet. me të drejtë e kërkoj këtë edhe ish-kryeministri, që ta dimë ne si deputetë se cilat kanë qenë ato vërejtje apo këshilla për këtë projektligj. Dhe nuk e pashë sa i përket auditimit të brendshëm, përveç atij të jashtëm, që me i propozua subjekteve politike të kenë rregulla strikte për auditimin e brendshëm. Sepse ka mjaft subjekte politike që mund ta keq përdorin sidomos në zgjedhje. Shumica e subjekteve nuk i financojnë në mënyrë të barabartë", u shpreh Lekaj.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Armend Muja kërkoj shpjegime për rregullimin e çështjes së Fondit për Demokratizim. Megjithatë, Muja mori një përgjigje të shkurtër nga Borovci se kanë bërë përpjekje për adresimin e kësaj çështje.

Muja: Si do të rregullohet çështja e Fondit 1 përqind për Demokratizim?

"Në lidhje me Fondin 1 për qind të Demokracisë për ato subjekte që nuk kanë mundësi me u mbuluar kostot e detyrimeve financiare, ndërkaq në koncept dokument thuhet se është propozuar me qenë financimi përmes fondit për demokratizim, e cila nuk është qartësuar në Ligjin aktual. A mund të na shpjegoni nëse kjo është adresuar në draftin e fundit?", pyet Muja.

Në anën tjetër, nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku i cili ka abstenuar ka konstatuar se Projektligji në fjalë bie ndesh me opinionin e Zyrës Ligjore.

Lushtaku: Projektligji bie ndesh me opinionin e Zyrës Ligjore

"Ne karshi këtij opinioni duhet të rishikojmë se a kemi të drejt me vendosur edhe për këtë Projektligj, sepse po bie në kundërshtim. Në këtë drejtim kërkoj nga ju të konsultoheni me Zyrën Ligjore nëse është i njëjti version që nuk kemi të drejt me vendos për një projektligj të tillë", tha Lushtaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat