Paniku i reflektuar nga kriza artificiale

Ekonomi

Paniku i reflektuar nga kriza artificiale

Më: 11 mars 2022 Në ora: 16:16
Market në Prishtinë - Fotografi ilustruese.

Ngarendja e qytetarëve për t’u furnizuar shpejt e shpejt me produktet elementare të shportës familjare dhe rritja e shpejtë e çmimeve të këtyre produkteve nga tregtarët në Kosovë, e ushqejnë njëra-tjetrën dhe reflektojnë një panik të përgjithshëm në shoqëri, vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike dhe sociologjike.

Ata thonë se reagimi i qytetarëve, në një mënyrë, është i kushtëzuar dhe nuk duhet gjykuar, për shkak se atyre nuk u janë ofruar informacionet e duhura dhe në mënyrë të mjaftueshme lidhur me mundësitë e furnizimit të tregut, ndërkohë që tregtarët kanë shfrytëzuar momentin për rritjen artificiale të çmimeve për produktet bazike të shportës së qytetarëve.

Ngritja e shpejtë e çmimeve të karburanteve, në dy ditët e fundit, nga mesatarja prej 1.37 euro në mbi 1.80 euro për një litër naftë, u pasua me rritje të shpejtë të çmimeve të vajit, të miellit të grurit, të produkteve të drithërave, të qumështit dhe produkteve të tij, si dhe produkteve tjera të konsumit të përditshëm. Për shembull, çmimi për një litër vaj të lulediellit, deri më 9 mars, ka qenë nga 1.50 deri në 2 euro, ndërkaq në mëngjesin e 10 marsit është ngritur në 3,49 euro.

Image
Çmimi i vajit të lulediellit në një dyqan më 10 mars 2022, Prishtinë.

Ngritjen e çmimeve të produkteve bazë e ka cilësuar si artificiale edhe kryeministri Albin Kurti, duke thënë, se për momentin “çmimi i vajit ushqimor në Kosovë është më i larti në botë”.

Ramosaj: Mungesa e informacionit, burim i panikut

Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se informacionet që marrin qytetarët e Kosovës lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, kanë pasur ndikim psikologjik edhe te qytetarët në Kosovë.

Çrregullimet në tregjet botërore që ndërlidhen me sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë, aktualisht, sipas tij, janë keqpërdorur nga tregtarët për t’i rritur çmimet në mënyrë artificiale, ndërkohë që Qeveria e Kosovës nuk i ka informuar me kohë qytetarët lidhur me mundësitë dhe alternativat për furnizim të tregut të Kosovës.

“Shteti duhet të punojë në këtë drejtim, që të mos e sjellë situatën e panikut te qytetarët. Pra, t’i informojë drejt, të thotë që ka mallra të mjaftueshme, nëse ka ose të thotë që ky mall nuk do të jetë në treg. Do të thotë, të jetë korrekt me opinionin. Unë jam i bindur që kur opinioni apo qytetarët i marrin informacionet e sakta, atëherë ata padyshim që nuk vrapojnë. Por, në situatat e këtilla, qytetarët padyshim që vrapojnë, mund të krijojnë edhe rezerva të panevojshme”, thotë Ramosaj.

Sasi të kufizuara të naftës

Ai shton se në bazë të informacioneve që ka, tregtarët ende nuk kanë kontrata të reja për furnizim, të cilat eventualisht do t’i impononin edhe çmimet e reja.

Megjithatë, përballë rritjes së çmimeve të produkteve elementare, siç thotë ai, reagimi i qytetarëve nuk është për t’u gjykuar, sepse një pjesë domethënëse e tyre janëbuzë ekzistencës, për shkak të të ardhurave të ulëta.

“Në fakt, sjellja e tyre konkrete është në përputhje me gjendjen që e kanë. Ata i kanë pagat minimale, të cilat nuk i lejojnë ata dhe nuk u krijojnë tolerancën që të blejnë edhe me çmime të mëdha. Madje, me çmime mbi 10 për qind, nuk e kanë atë komoditet”, vlerëson Ramosaj.

Krasniqi: Efekti nga kujtesa për periudhat e mëhershme

Shemsi Krasniqi, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë që përshpejtimi i qytetarëve për të siguruar rezerva ushqimore, është një lloj impulsi që është krijuar nga dekadat e kaluara, kur jo rrallë qytetarët janë ballafaquar me mungesën e produkteve elementare në treg.

Mungesa të tilla janë shënuar që në vitet ’80 dhe ’90 të shekullit të kaluar, e në veçanti gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998 dhe 1999. Për më shumë, sipas tij, fillimi i pandemisë së koronavirusit, në marsin e vitit 2020, ishte një lloj testi që nxori në pah një reagim të tillë të qytetarëve, të cilët me panik u ishin drejtuar dyqaneve për t’u furnizuar me produktet elementare. Kjo sipas tij, po ndodh edhe tash.

“Ky panik ose kjo ngarendje me përshpejtim për krijimin e rezervave, mbase është efekt nga kujtesa për periudhat e mëhershme. Tash, sikur po harrojmë se kemi një shtet, që ka një Qeveri që ka një përgjegjësi dhe ka njëfarë kontrolli. Ishte dashur të kemi më shumë besim edhe në institucione, por edhe në mundësitë e reja që janë ofruar me tregjet e reja, sepse nuk jemi më ai vendi i mbyllur që kemi qenë, por vend i hapur dhe që ka tregti me shumë vende të botës dhe ka furnizime”, thotë Krasniqi.

Megjithatë, ai vlerëson se frika e qytetarëve se do të përballen me mungesë të artikujve ose që çmimi i tyre do të rritet edhe më tej krijon efektin edhe më negativ.

“Tash, tregtarët e shfrytëzojnë situatën, për shkak se kërkesa është e madhe dhe i rrisin çmimet, si dhe përfitojnë nga kjo situatë. Mendoj që ky është çrregullim i brendshëm që është duke ndodhur dhe do të duhej të ketë kujdes më të madh në përgjithësi, por edhe kontroll më të madh nga ana e shtetit, në mënyrë që të mos ndodhin çrregullimet e brendshme të tregut”, thekson Krasniqi.

“Të ndërhyhet në politikën e taksave”

Por, profesor Ramosaj vlerëson që institucionet shtetërore kanë dështuar që të mbikëqyrin parregullsitë eventuale me çmime në treg dhe t’i parandalojnë ato.

Për më shumë, sipas tij, deri më tash, Kosova nuk ka arritur as të grumbullojë dhe të ruajë rezerva shtetërore të mallrave dhe produkteve bazike. Siç thotë ai, ndonëse Kosova ka nxjerrë ligje për funksionimin e deponimeve të rezervave, ato ende nuk janë aplikuar.

Madje, sipas tij, nuk ekziston as minimumi i organizimit në këtë drejtim. Ajo çfarë i mbetet të bëjë Qeverisë së Kosovës, siç thotë ai, është rishikimi i politikës së taksave, ndërkaq në qoftë se trendi i rritjes së çmimeve ka karakter afatgjatë, atëherë ekzekutivi duhet të mendojë për rritjen e pagave.

“Në qoftë se shihet që është një fenomen afatshkurtër, padyshim ndërhyrjet duhet të jenë në politikën e taksave dhe të largohen akcizat ose barrierat tjera të ndryshme, me qëllim që të paktën ato çmimet që tatohen nga shteti, të jenë më të ulëta”, vlerëson Ramosaj.

Ramosaj thotë se për shumicën e produkteve elementare, përfshirë edhe drithërat dhe vajrat për ushqim, mund të ketë lëvizje çmimesh edhe për disa kohë, por nuk do të ketë mungesë të tyre në tregun vendor.

Luhatjet e çmimeve, sipas tij, do të vazhdojnë edhe për naftën dhe derivatet e saj, në qoftë se shteti nuk i heqë ose ulë barrierat tarifore, sikurse Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe akciza.

Por, ai konsideron se produkti që pritet të mungojë, mund të jetë energjia elektrike, për shkak të varësisë së Kosovës nga importi i një sasie të saj. Ai pret se mund të ketë reduktime në furnizimin e qytetarëve me energji elektrike./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat