​Hajdari thotë se kanë nisur reforma serioze për tërheqjen e investimeve të huaja

Ekonomi

​Hajdari thotë se kanë nisur reforma serioze për tërheqjen e investimeve të huaja

Më: 23 prill 2022 Në ora: 21:07
Albin Kurti dhe Rozeta Hajdari

Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se për të krijuar një mjedis më të mirë dhe më të sigurtë, për tërheqjen e investimeve të huaja, kanë nisur një reformë serioze strukturore siç janë reforma në drejtësi me legjislacion të mirë në përputhje me standardet e BE-së, reforma në administratën publike dhe reforma për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznesi dhe zhvillimin e konkurrencës në sektorin privat.

Ajo ka shkruar se bashkë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin dhe me bashkëpunëtorë e kolegë, kanë marrë pjesë në Forumin Ekonomik të organizuar në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë me temën “Klima ekonomike dhe e investimeve në Kosovë”, me qëllim të intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit për zgjerimin dhe diversifikimin e tregtisë dypalëshe dhe rritjen e investimeve.

“Në këtë Forum Ekonomik theksova se Qeveria Kurti me parimet e qeverisjes së mirë, me politikat dhe legjislacionet e reja për përkrahjen dhe mbrojtjen e investimeve, me potencialet konkurruese ‘nearshoring’ dhe me bashkëpunimin e afërt dhe transparent, ka rritur besimin për të investuar në Republikën e Kosovës. Për të krijuar një mjedis më të mirë dhe më të sigurtë, për tërheqjen e investimeve të huaja, ne kemi nisur një reformë serioze strukturore siç janë: reforma në drejtësi me legjislacion të mirë, në përputhje me standardet e BE-së, reforma në administratën publike dhe reforma për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznesi dhe zhvillimin e konkurrencës në sektorin privat.

Gjithashtu, me kënaqësi sjella në pah përparësitë konkurruese për investime " nearshoring" , fleksibilitetin që ju ofron Kosova kompanive austriake, gjatë operimit të tyre në të njëjtën zonë kohore, por me kosto më të ulët operacionale. Infrastruktura e zhvilluar rrugore dhe dixhitale dhe afërsia me portin e Durrësit, janë mundësi për rritjen e mundësive tregtare dhe investimeve, rinia kreative e shumëgjuhëshe dhe me aftësi të mira dixhitale, tatimet e ulëta dhe valuta Euro janë përparësi për të ulur kostot e transaksioneve dhe rreziqet e kursit të këmbimit, janë faktorë ideal që afrojnë investitorët austriakë dhe ndërkombëtarë për të investuar në vendin tonë. Republika e Kosovës është përherë falënderuese ndaj Republikës së Austrisë dhe zotohemi për bashkëpunimin e ngushtë bilateral në aspektin politik dhe ekonomik, në të mirën e dy vendeve të renditura së bashku, për paqë e prosperitet dhe të ardhme të ndritur për qytetarët tanë”, ka shkruar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat