A e dëmton ekonominë e Kosovës rënia e Euros?

Ekonomi

A e dëmton ekonominë e Kosovës rënia e Euros?

Më: 29 prill 2022 Në ora: 11:20
Foto ilustrim

Valuta Euro u zhyt në pikën e saj më të dobët që nga prilli i vitit 2017, me vlerën e saj tani të barabartë me 1,0524 dollarë.

Humbjet për Euron vijnë pasi Rusia pezulloi furnizimet me gaz në Poloni dhe Bullgari, duke shkaktuar një rritje të mprehtë të çmimeve evropiane të gazit.

Euro ka rënë që nga fillimi i shkurtit, pasi tregtarët iu përgjigjën sinjaleve nga Rezerva Federale e SHBA-së, e cila pritet të rrisë me shpejtësi normat e interesit teksa lufton inflacionin në rritje në një ekonomi që është kryesisht e izoluar nga pasojat e luftës në Ukrainë.

Por sa ka ndikim kjo në Kosovë, pasi që edhe vendi ynë përdor Euron si valutë? Klankosova.tv kontaktoi dy njohës të ekonomisë, Safet Gërxhaliun dhe Mustafë Kadrijaj, dhe të dytë e konfirmojnë efektin negativ.

“Në Kosovë duhet të jetë efekti falë inflacionit që është duke e përjetuar Kosova. Kjo, bazuar në faktin se Kosova importon afër 87 përqind të të gjitha produkteve, andaj ne krahas eksportimit të parasë së gatshme, importojmë edhe inflacion, dhe ky inflacion e godet në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarin e Kosovës, në veçanti shtresën e varfër, thotë ai.

Megjithatë, Gërxhaliu vlerëson se është fat që Kosova përdor valutën e Euros, pasi që edhe në krizë, Euro e ka një stabilitet.

“Besoj se është koha kur duhet të mendohet më tepër në një zhvillim ekonomik i cili bazohet në sundim të rendit dhe ligjit, në mbështetje të sektorit privat, në orientim drejt shërbimve dhe prodhimeve vendore, në përmirësim të bilancit të pagesave, në krijim të vendeve të reja të punës, dhe në veçanti, në tërheqjen e investitorëve të huaj, që për fat të keq në Kosovë janë duke munguar”, u shpreh Gërxhaliu.

Por, pavarësisht gjendjes, ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gerxhaliu, vlerëson lartë performancën e Bankës Qendrore të Kosovës.

“Është e vërtetë që Banka Qendrore në kohë krizash ka dhënë provimin e menaxhimit të mirëfilltë të sektorit bankar. Në rend të parë nuk ka pasur degradim të kapitalit apo të investimit, dhe në këtë drejtim besoj se ka pasur një kontroll e cila nuk e ka lejuar këtë para të jetë në vende të rrezikshme apo të goditura. E dyta, besoj se kjo është një kohë kur duhet të kërkohet shumë më tepër performancë nga parlamenti, në raport me Bankën Qendrore, sesa nga Banka Qendrore. Kjo, nënkupton , që duhet bordi të jetë i kompletuar, dhe të  kemi ligjin për banka, me miratimin e të cilit besoj se hapet një hapësirë e re për menaxhim, për hapësira dhe facilitim, por edhe për investime dhe atraktivitet, qoftë për bizneset vendore, qoftë për bankat komerciale vendore, por edhe për banka dhe kapital të freskët nga jashtë”, thotë Gërxhaliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat