​Dhjetëra kërkesa të bizneseve i dorëzohen zëvendësministrit Durmishi

Ekonomi

​Dhjetëra kërkesa të bizneseve i dorëzohen zëvendësministrit Durmishi

Më: 12 maj 2022 Në ora: 16:52
Oda e Afarizmit të Kosovës

Oda e Afarizmit të Kosovës ka zhvilluar sot një takim me zëvendësministrin e Mjedisit Hysen Durmishi dhe bizneset anëtare.

Në këtë takim u diskutua mbi sfidat e sektorit të transportuesve, kufizimi i lejeve të transportit e lejet e vendeve të treta, taksa ekologjike për rimorkio, rritja e çmimeve furnizuese, mungesa e vizave për shoferë, mosnjohja e patentë shoferëve, sinjalizimi i rrugëve sipas standardeve si dhe pajisjet me leje mjedisore e ujore.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi falënderoi zëvendësministrin Durmishi për gatishmërinë për të realizuar një komunikim të drejtpërdrejtë me komunitetin e biznesit, pasi që konsideroi që kjo është mënyra më e lehtë për të identifikuar dhe zgjidhur së bashku sfidat e bizneseve duke i prezantuar me dhjetëra kërkesa të bizneseve.

Ai shtoi që institucionet vendore, me theks të veçantë MMPHI duhet të lobojë që Kosova të jetë anëtare e Rrjetit Evropian të Transportit CEMT, gjë e cila do të mundësonte realizimin e transportit ndërkombëtar, gjë që po i shkakton vendit tonë humbje në miliona euro.

Gjithashtu, sektori i transportit po dëmtohet edhe nga Ligji për Taksë Rrugore dhe Ekologjike të Automjeteve, me të cilin rregullohet edhe taksa ekologjike për rimorkio, e po ashtu u konsiderua si shumë e domosdoshme sinjalizimi i rrugëve sipas standardeve, pasi që në baza ditore po raportohen raste të aksidenteve me fatalitet.

Zëvendësministri Durmishi tha se janë duke punuar në trajtimin e çdo kërkese të deleguar nga bizneset si dhe janë duke trajtuar ligjet dhe udhëzimet administrative që janë në kuadër të MMPHI-së, në mënyrë që të thjeshtësohen procedurat burokratike.

Ai shtoi që aktualisht janë duke punuar në arritjen e marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë për numrin e lejeve të transportit, e gjithashtu po trajtojnë edhe kërkesat e adresuara nga bizneset për kontratat publike.

Sipas tij, MMPHI ka shënuar avancim në çështjen e kalimit nga tahografët analog në ato digjital, e për të cilën pritet që shumë shpejt Kosova të pajiset me kodin shtetëror, gjë e cila do të krijoj shumë lehtësira për ekonominë vendore.

Durmishi shtoi që MMPHI me të gjithë kapacitetin e saj është e angazhuar që të mbroj bizneset vendore si dhe të krijoj sa më shumë lehtësira për të njëjtat.

Në pjesën e diskutimit të hapur, bizneset parashtruan kërkesat e tyre për zëvendësministrin Durmishi, nga i cili u pranuan përgjigje konkrete.

Në fund u dakordua që në një kohë të shkurtër të realizohet takimi i radhës për të diskutuar me zëvendësministrin mbi realizimin e kërkesave të adresuara nga ana e OAK-ut.

Përmes takimeve të natyrës së tillë, Oda e Afarizmit të Kosovës në vazhdimësi po kontribuon në rritjen e bashkëpunimit e komunikimit të drejtpërdrejtë të komunitetit të biznesit me institucionet, pasi që beson fuqishëm që vetëm në këtë mënyrë do të arrihet deri tek krijimi i një ambienti sa më të favorshëm për të bërit biznes në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat