Oda Amerikane nënshkruan deklaratën për fuqizim ekonomik të grave

Ekonomi

Oda Amerikane nënshkruan deklaratën për fuqizim ekonomik të grave

Më: 23 maj 2022 Në ora: 09:31
Foto ilustrim

Për të njohur kontributin e grave anembanë botës dhe krijimin e një mjedisi ku gratë shquhen si udhëheqëse, ndërmarrëse dhe inovatore, për të mbështetur Agjendën 2030 të Kombeve të Bashkuara për arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave, si dhe Deklaratën e Përbashkët të Organizatës Botërore të Tregtisë mbi Tregtinë dhe Fuqizimin e Grave të vitit 2017, si dhe duke kuptuar faktin se barazia gjinore dhe diversiteti janë parakushte fondamentale për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka nënshkruar deklaratën e Përkrahjes së Fuqizimit Ekonomik të Grave, bashkë me Administratën për Tregti Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ITA) dhe odat amerikane të Evropës.

Nënshkrimi i këtij memorandumi është bërë në kuadër të iniciativës së përbashkët të odave amerikane me Administratën e Tregtisë Ndërkombëtare, “Fuqizoje atë” (Empower Her), të lansuar në mars nga ana e Sekretares së Tregtisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gina Raimondo.

Synimet e kësaj iniciative përfshijnë avancimin e fuqizimit ekonomik të grave dhe barazisë gjinore në tregtinë ndërkombëtare, nxitjen e kompanive amerikane dhe evropiane në diversifikimin e vendeve të tyre të punës dhe përkrahjen për ndërmarrjet në pronësi të grave, përmirësimin e veglave dhe shërbimeve ndaj grave, si dhe rritjen e vetëdijes së grave ndërmarrëse për shërbimet që lidhen me tregtinë, investimet dhe eksportin.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë fton Qeverinë e Kosovës, sektorin privat dhe pjesëtarët e komunitetit ndërkombëtar të përkrahin përpjekjet për avancimin e barazisë dhe diversitetit gjinor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat