​Komisioni hetimor për sektorin e energjisë 2006-2022 miratoi planin e punës e buxhetin

Ekonomi

​Komisioni hetimor për sektorin e energjisë 2006-2022 miratoi planin e punës e buxhetin

Më: 25 maj 2022 Në ora: 16:10
Foto ilustrim

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike ka miratuar planin e punës së veprimit dhe buxhetit të komisionit.

Në kuadër të planit të punës u përfshinë sigurimi i dokumentacioneve nga KEK, KOSTT, KEDS, KESCO dhe komunave Obiliq dhe Fushë Kosovë lidhur me shpronësimet.

Për këtë angazhim gjashtëmujor, deputetët do të kompensohen gjithsej me 10 mijë e 560 euro. Shuma që do t’i ndahet kryesuesit të komisionit për një muaj do të jetë 250 euro, ndërsa zëvendës kryesuesit 182 euro.

Mirëpo, anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja kërkoi që kompensimet shtesë deputetëve të bartën te ekspertët.

Muja: Kompensimet e deputetëve të barten te sigurimi i ekspertëve

“A është e zakonshme që anëtarët e komisionit të kompensohen ekstra për pjesëmarrje, ne nuk e kemi paraparë dhe menduar këtë. Unë po sugjeroj se potencialisht mjetet nga këto të barten tek ekspertët, në mënyrë që të kemi buxhet më të madh tek ekspertiza. Shuma në këtë kategori mendoj se është pak e vogël”, tha ai.

Por, kryesuesi i komisionit, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se çështja e kompensimit të deputetëve është e rregulluar me ligj dhe rregullore të Kuvendit.

Beqa: Çështja e kompensimeve është e rregulluar me ligj

“Këto çështje janë të rregulluara me ligj. Ne do të shohim edhe një herë, mirëpo në bazë të informatave që kam, deri në 800 euro në muaj mund të kompensohet një ekspert. Kurse çështja e kompensimit dhe të mbledhjeve janë të rregulluar. Çdo çështje të shtimit apo largimit të buxhetit e merr Kryesia e Kuvendit ose përmes seancave nëse duhet”, shtoi ai.

Krahas këtyre, deputetët diskutuan edhe për emërimet e mundshme të ekspertëve, për çka u vendos që të diskutohet sërish mbledhjen e radhës.

Ndërkohë, u bë e ditur dhënia e dorëheqjes së deputetit të LVV-së, Haki Abazi nga ky komision, ani pse nuk u theksuan arsyet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat