Rusia falimenton!

Ekonomi

Rusia falimenton!

Nga: I. Morina Më: 27 qershor 2022 Në ora: 13:06
Pamje nga lufta e ukrainasve kundër pushtimit rus

Media botërore tashmë kanë dhënë paralajmërimin e madh se Rusia po falimenton për shkak të luftës dhe sanksioneve ndaj saj, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Ekonomisti shqiptar, Emanuel Bajra, ka përmbledhur disa informacione të rëndësishme, të cilat parashikojnë rrjedhën e ngjarjeve financiare lidhur me Rusinë, dhe shpresën e ndikimit në sjelljen politike, por edhe rritjen e rrezikut rus për sulm më agresiv në Ukrainë, duke përdorur armatimin e papërdorur deri më sot.

Sipas të dhënave të karakterit historik, Emanuel Bajra, evidenton se që nga viti 1918 Federata Ruse për herë të parë dështon në shlyerjen e obligimeve të borxhit ndërkombëtar!

Në fakt Rusia është përpjekur t’i dërgojë pagesat për borxhet, por sanksionet ia kanë pamundësuar këtë.

“Rusia është munduar të bëjë dërgesën prej $100 mln dollarëve nëpërmjet transaksioneve në Euroclear, por sanksionet ia pamundësojnë shlyerjen e borxhit duke e shndërruar këtë vend gjigand në ekonominë e parë të G20-ës në një ekonomi që nuk i përmbush obligimet ndërkombëtare”, shkruan Bajra, në faqen e tij në fb.

Kjo, sipas tij, e bën edhe zyrtarisht, ekonominë ruse të falimentuar. “Edhe zyrtarisht, prej sot, ekonomia Ruse futet në ciklin e ekonomive që falimentojnë, në të njejtën situatë sikurse Sri Lanka”.

Ai këtë e quan rëni të “Dominos” së dytë.

Ai e vlerëson këtë si mbështetje për muri të Rusisë, dhe se tash mund të shihet se çfarë mund të veprojë Putini.

“Putini ka pësuar mbështetjen e parë për muri nga forcat perëndimore. Ta shohim tash hapin tjetër të tij: A do ti përdorë format ushtarake më të egra në Ukrainë? Armët nukleare? Mbetet të shihet në ditët në vazhdim!”, shkruan Bajra, i cili për herë të parë pas gati katrë muajsh luftime, e vlerëson si një rezultat ku: Perëndimi ka një 1, Rusia 0!

Bajraj jep edhe informacionet e gjendjes financiare të Rusisë, para pushtimit të Ukrainës. Ai evidenton se Federata Ruse kishte $640 miliardë rezerva në valuta të huaja kryesisht në dollar, dhe obligimet ndërkombëtare ishin $40 miliardë.

Por, ai si borxh të akumuluar jep të dhënën, se Rusia e kishte 478 miliardë dollarë. “Borxhi i përgjithshëm i akumuluar (thellësisht i shpërndarë në indekset perëndimore dhe ato aziatike: SHBA, BE, Britani të Madhe, Azi dhe Amerikë Latine) $478 miliardë”.

Sipas tij, Rusia ende ka një sasi likuide të KESH-it, prej $178 miliardë, por janë sanksionet ato, që ia pamundësojnë Bankës Qendrore Ruse ‘shkëmbimin e rubles dhe remnbi’ në dollar pasi që investitorët i duan paratë e tyre në $.

“Tashmë të gjitha këstet e pagesave të borxhit të jashtëm Rus janë të bllokuara dhe të pa ripagueshme përderisa sanksionet e perëndimit tërhiqen ose reduktohen”.

Sipas tij, Kina përkundër ndoshta synimit për ta ndihmuar Rusinë, ajo mund t’i krijojë vetit probleme.

“Kina mund të ndihmojë, por ajo vetëm sa ia komplikon vetes situatën ekonomike sepse në vete ekonomia kineze i ka borxh SHBA-ve rreth $7 trilion të borxhit të “revolvuar” (pra borxhi i përditshëm nga shkëmbimet nga remnbi në dollar që bëhet i përditshëm) si edhe $6 trilion të tjera që e mbajnë ekonominë kineze “Peng” të dollarit në tregjet e bursave dhe të kapitalit”, thotë ish-banikeri Bajra.

Ai thotë se pritet që Rusia të deklarohet shtet i falimentuar edhe zyrtarisht nga agjencitë e rejtingut (vlerësimit) botëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat