Hoti “vajton” qytetarët: Çmimet e mallrave janë rritur, pagat jo, e Qeveria mban 700 milionë në bankë

Ekonomi

Hoti “vajton” qytetarët: Çmimet e mallrave janë rritur, pagat jo, e Qeveria mban 700 milionë në bankë

Nga: N.E. Më: 5 dhjetor 2022 Në ora: 12:41
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se inflacioni varfëron buxhetin e familjeve, ndërkaq qeveria mban 700 milionë euro në bankë.

Hoti përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se “inflacioni mesatar në tetor 2022, krahasuar me tetorin 2021, ka arritur në 12.7%. Por mesataret ndonjëherë e shtrembërojnë realitetin”.

Tutje, Hoti ka thënë se çmimet për mallra janë rritur dhe kjo i ka varfëruar familjet.

Sipas tij, Qeveria nuk i ka rritur pagat, por krenohet me rritjen e të hyrave buxhetore.

“Njerëzit nuk blejnë çdo ditë frigoriferë, pajisje shtëpiake apo vetura. Ata nuk ndërtojnë çdo vit shtëpi apo nuk blejnë banesë. Por njerëzit çdo ditë, çdo javë apo çdo muaj blejnë bukë, qumësht, vezë, vaj ushqimor, sheqer, mish, si dhe paguajnë energjinë, mbushin veturën me naftë apo blejnë dru për dimër. Çmimet për këto mallra janë rritur nga 20% deri në 56%.

Kjo i ka varfëruar familjet. Qeveria nuk i ka rritur pagat, por krenohet me rritjen e të hyrave buxhetore. Sot janë rreth 700 milionë euro në llogarinë bankare të Qeverisë, e jo në xhepat e qytetarëve përmes uljes së TVSH-së në ushqime dhe në naftë, si dhe heqjes së akcizës në naftë.

Këto mjete nuk janë shpenzuar as për projekte kapitale në rrugë e çerdhe, në spitale apo në armatim të ushtrisë. Këto mjete po rrinë në bankë dhe po i zhvlerëson inflacioni”, ka shkruar Hoti.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat