​“Vipa Chips” zgjeroi tregun, Kasumi: Rritëm eksportin, por duhet rishikuar taksat

Ekonomi

​“Vipa Chips” zgjeroi tregun, Kasumi: Rritëm eksportin, por duhet rishikuar taksat

Më: 9 janar 2023 Në ora: 15:06
Foto ilustrim

Kompania “Pestova shpk”, produkt kryesor i të cilës është “Vipa Chips”, përkundër vështirësive gjatë vitit të kaluar, arriti të zgjerojë tregun e rrjedhimisht edhe eksportin për produktet e saj.

Bedri Kasumi, pronar i kompanisë, tregon se Kroacia dhe Finlanda janë dy tregjet e reja ku tashmë tregtohen produktet e tyre.

Kasumi: Kemi shënuar rritje për 30 për qind të eksportit

“Ne eksportojmë si në rajon ashtu edhe në Bashkimin Evropian, kemi pas rritje 30 për qind, që është karakteristik nëse krahasojmë me vitin e kaluar, dhe kemi pas rritje të eksportit, tregje të reja, konkretisht ka qenë Kroacia dhe Finlanda, ndërsa në vendet tjera ku eksportojmë është Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Hungaria, Gjermania, Suedia... Pra, suksesi është se përkundër sfidave, kemi pas rritje 20 për qind të qarkullimit bruto”, theksoi Kasumi.

Kasumi tha se pavarësisht se viti 2022 ka qenë i vështirë, fillimisht me pandeminë dhe me pas me luftën në Ukrainë, tashmë janë stabilizuar. Ndërsa shtoi se për tejkalimin e këtyre sfidave nuk kanë pasur mbështetje nga shteti.

Duke folur për sfidat, Kasumi tha se një prej problemeve ka qenë furnizimi me gaz rus nga Serbia, me të cilën shkak luftës në Ukrainë janë detyruar të gjejnë alternativa të tjera.

Kasumi: Pas luftës në Ukrainë jemi detyruar ta ndalojmë furnizimin me gaz nga Serbia

“Ka qenë vit i vështirë, do të thotë lëvizjet e çmimit të lëndës së parë në shumëherë, jemi detyruar që edhe ne të lëvizim me çmime që nuk bie mirë para konsumatorit... Absolutisht nuk kemi pas mbështetje nga shteti. Një prej problemeve që e kemi pas më karakteristike prej disa kompanive tjera, ne jemi furnizuar me gaz rus nga Serbia, dhe ajo para dy muajve e ka ndërprerë eksportin, nuk na furnizon më dhe jemi detyruar të kalojmë në gaz tjetër, ky problem shtesë na ka shkaktuar shumë probleme, mirëpo jemi stabilizuar dhe ia kemi dalë”, tregon Kasumi për KosovaPress.

Mes tjerash, Kasumi tha se duhet të ketë një rishikim të taksave, pasi sipas tij, disa nga ato janë të pakuptimta.

Ai shpreson se viti 2023 do jetë më i mirë dhe nuk do ballafaqohen me problemin e rritjes së çmimeve për lëndën e parë.

Kasumi: Duhet të përshkallëzohen taksat, gjerat ushqimore të kenë tjetër taksë

“Duhet të përshkallëzohen taksat, gjerat ushqimore të kenë tjetër taksë, ndërsa ato që s’janë ushqimore të kenë taksë tjetër. Patatja ka TVSH 18%, kjo është diçka e pakuptimtë që neve na prek direkt... Kisha dashtë të besojë se këto probleme të shtrenjtimit të lartë të lëndës të parë të marrin fund, inflacioni të zvogëlohet dhe ne planet që i qesim në letër të jenë ato dhe jo të ndryshojnë faza e fazës sikur ka ndodh në vitin 2022”, tha Kasumi.

Kasumi njofton se gjatë vitit 2023 do të investojnë në teknologji dhe do të rrisin numrin e punëtorëve në prodhim.

Kasumi: Do të rritemi si biznes dhe do të kemi rritje të punëtorëve në prodhim

“Do të rritemi si biznes, definitivisht jemi duke investuar në teknologji tjetër. Kemi rritje të kapaciteteve, rritje të tregut, kjo po vazhdon dhe besoj se do të kemi rritje të punëtorëve që punojnë direkt në prodhim”, shton mes tjerash Kasumi.

Ndryshe, “Pestova” është kompani vertikalisht e integruar, e cila fillon nga prodhimi i farës së patates, kultivimit të patates për konsum dhe përpunim, si shitje dhe distribuimin e patates dhe produkteve të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat