​Fabrika “Relux” gjatë 2022-ës eksportoi 70% të prodhimeve vendore në Evropë

Ekonomi

​Fabrika “Relux” gjatë 2022-ës eksportoi 70% të prodhimeve vendore në Evropë

Më: 10 janar 2023 Në ora: 11:04
Ramiz Gashi

Fabrika “Relux” vitin që lamë pas ka eksportuar rreth 70 përqind të prodhimeve të saj. Përkundër sfidave, ajo ka arritur të shtrijë prodhimet e saj në Evropë.

Pronari i fabrikës “Relux”, Ramiz Gashi tregon për KosovaPress disa nga sfidat dhe sukseset që ka arritur kjo kompani gjatë vitit 2022.

Sipas tij, sigurimi i lëndës së parë, ngritja e çmimeve dhe mungesa e mbështetjes së qeverisë ishin disa nga sfidat me të cilat u përballën si biznes.

Gashi: Sfidat ishin në sigurimin e lëndës së parë, ngritjen e çmimeve por qeveria nuk ka dhënë mbështetje

“Jo vetëm ky vit por edhe ai paraprak ishte i vështirë. Ky vit na përcolli me problemet e pandemisë që patëm, viti që filloi lufta në Ukrainë, sfidat ishin në sigurimin e lëndës së parë, ngritjen e çmimeve... Vështirësi kemi pasur me import, ka qenë vështirësia e sigurimit me lëndën e parë, duke pasur parasysh çmimet kanë qenë të çrregulluara në ngritjen e lëndës së parë, kjo ka qenë vështirësia më madhe... Një prej sfidave kryesore është edhe ngritja e lëndës së parë që derisa po flasim më njoftuan nga një kompani që punojmë më ta se ka ngritje e çmimit të lëndës së parë deri në 25 për qind, ky është një paralajmërim që viti nuk do të jetë shumë i lehtë... Deri më tash asnjëherë nuk kemi pasur mbështetje prej qeverisë së tanishme apo qeverive të kaluara”, thotë Gashi.

Përkundër vështirësive, ai përmend edhe disa nga sukseset që kanë arritur si kompani, derisa shton se gjatë vitit 2022 kanë eksportuar rreth 70 për qind të prodhimeve vendore jashtë Kosovës.

Sipas tij, ky është lajm i mirë për eksport, ndërkaq shprehet i pakënaqur me neglizhimin e institucioneve për prodhimet vendore.

Gashi: Kompania jonë sivjet ka eksportuar rreth 70 për qind

“Kompania jonë sivjet ka eksportuar rreth 70 për qind, ndërsa 30 për qind kanë qenë në shitje vendore, që ky është lajm i mirë për eksport, ndërsa lajm i keq që prodhimet vendore nuk adhurohen në Kosovë, ndërsa shtetet tjera siç janë Franca, Gjermania, Austria apo Belgjika i pranojnë prodhimet e tona pa dyshime, ndërsa tek ne është neglizhencë në produktet tona... Sukses tjetër për kompaninë tonë është edhe investimi në laboratorin më modern që mund të jetë në kohën e sotit. Kemi laborator që nuk e kemi pasur më herët, kemi bërë investim afro 100 mijë euro që do të na mundësojë neve për testimin e produkteve tona para se të dalin në prodhim”, vijon Gashi.

Pronari i fabrikës “Relux” tregon edhe planet që kanë si kompani për vitin 2023. Ndërkohë që apelon Qeverinë e Kosovës që të përkrah prodhimet vendore.

Gashi: Do të shtohen disa produkte të reja, por kërkojmë nga qeveria përkrahje më të madhe

“Vitin e ardhshëm mendojmë se do të jetë edhe një sukses i joni sepse sivjet jemi përgatitur për zhvillimin e disa produkteve të reja që i kanë munguar tregut të Kosovës deri tash, sidomos nga prodhuesit vendor. Ndërsa kisha bërë kërkesë qeverisë që sa më shumë t’i përkrahin prodhimet vendore, sidomos kur shohim shumë herë edhe disa institucione të rëndësishme që janë në Kosovë, punuar me prodhues apo me materiale të ndryshme që importohen nga shtetet e tjera të rajonit”, thotë Gashi.

Sipas Gashit, viti 2023 nuk do të jetë më i lehtë për kompaninë, pasi sipas tij edhe këtë vit do vazhdojë ndikimi i luftës në Ukrainë në furnizimin me lëndë të parë

Gashi: Ukraina është furnizues i mirë i lëndës së parë, nuk besoj se viti 2023 do të jetë më lehtë

“Nuk besoj se do të lehtësohet (viti 2023) , duke pasur parasysh se lufta në Ukrainë nuk po përfundon dhe se Ukraina është një furnizues i mirë i lëndës së parë në gjithë rajonin dhe nuk besoj se do jetë më lehtë”, shton ai.

Gashi tregon se nuk kanë pasur probleme me rekrutim te stafit dhe kualifikimin e tij.

Ndërmarrja vendore “Relux” është e fokusuar në prodhimin e ngjyrave, fasadave dekoruese, bazave të shumta, si dhe ngjitësve të ndryshëm. Gama e produkteve të cilat ofrojnë përbëhet edhe nga gleti dekorues, betonkontaktit, antirostiti (lëng për pastrimin e korrozioni).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat