Murati: 200 mijë qytetarë çdo muaj po përfitojnë nga kursimi i energjisë elektrike

Ekonomi

Murati: 200 mijë qytetarë çdo muaj po përfitojnë nga kursimi i energjisë elektrike

Më: 11 janar 2023 Në ora: 12:36
Hekuran Murati

Qeveria ka aprovuar sot kërkesën e Ministrisë së Financave, për ndarjen e 5 milionë eurove për mbulimin e subvencionimit të qytetarëve për kursimin e energjisë. Si dhe 25 mijë për pagesa që janë bërë po ashtu në kuadër të pakos për përballjen me inflacionin.

Ministri i këtij dikasteri Hekuran Murati tha se 200 mijë qytetarë çdo muaj po përfitojnë për kursimin e energjisë elektrike.

Murati: Shuma 5 milionë euro shfrytëzohet për mbulimin e subvencionimit të kursimit të energjisë elektrike

“E para ka të bëjë me ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 5 milionë e 25 mijë eurove të cilat pra do të shfrytëzohen si vijon: Shuma 5 milionë euro shfrytëzohet për mbulimin e subvencionimit të kursimit të energjisë elektrike, pra është masa që kemi lansuar me pakon për përpalljen me inflacion në muajin shtator dhe kjo parashihet që të mbulojë në vijimësi mbështetjen për qytetarë, ku po përfitojnë përafërsisht rreth 200 mijë qytetarë çdo muaj nga kjo masë mbështetëse e të cilët po kursejnë edhe mjetet e tyre, por edhe mjetet e shtetit për shkak se importohet më pak energji elektrike. Pjesa e dytë prej 25 mijë euro ka të bëjë me disa pagesa që janë bërë po ashtu në kuadër të pakos për përballje me inflacionin por për shkak të gabimeve në llogarit bankare janë kthyer prapa dhe duhet riekzekutohen. Mjetet merren nga programi i ringjalljes ekonomike”, tha ai.

Ministri i Financave, Hekuran Murati kërkoi edhe mbështetjen e ekzekutivit për të ndarë për këtë vit edhe shumën prej 24.6 milionë euro në kuadër të masës 3.7 për mbështetje për tejkalim të krizës energjetike.

Murati: 24.6 milionë euro këtë vit do të ndahen në kuadër të masës 3.7 për mbështetje për tejkalim të krizës energjetike

“Ka të bëjë me kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë, pra për ndarje të mjeteve buxhetore shtesë në kuadër të zotimit që kemi dhënë si qeveri gjatë konsultimeve që kanë qenë gjatë shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor nga ZRRE ku si qeveri jemi zotuar që do të mbështesim me 90 milionë euro pra mos ndikimin apo përballueshmërinë e tarifave të energjisë elektrike ashtu që ato të mos rriten për shumicën e qytetarëve siç edhe ka ndodhur. Në kuadër të këtij zotimi në vitin e kaluar kemi ndarë 65.4 milionë euro kurse të mbetura janë pjesa tjetër që do të ndahet këtë vit e që është 24.6 milionë euro në kuadër të zbatimit të masës 3.7 mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike”, theksoi Murati.

Gjatë mbledhjes së sotme Qeveria e Kosovës ka miratuar projekt-propozimin për ndarjen e 70 mijë eurove për promovimin e librit “Reçaku”.

Qeveria ka ndarë mbi 58 mijë franga zvicerane për mbajtjen e forumit të investimeve, që parashihet të promovojë investimet nga Zvicra në Kosovë.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme është miratuar edhe drafti i strategjisë për transport multimodal për vitin 2023-2030, si dhe koncept-dokumenti për fushën e automjeteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat