Ekonomistët me kërkesë direkte: Pushteti të lejojë tërheqjen e 30% të TRUST-it

Ekonomi

Ekonomistët me kërkesë direkte: Pushteti të lejojë tërheqjen e 30% të TRUST-it

Më: 18 janar 2023 Në ora: 23:37
Ilustrim

Ekonomistët kërkojnë votimin e tërheqjes se mjeteve të TRUST-it të nesërmen në Kuvend, pasi që sipas tyre këto mjete janë të nevojshme që t’i kenë qytetarët e Kosovës në këtë krizë ekonomike.

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu konsideroi votimin e nesërm si qasje jo serioze për shkak se sipas tij, do të ketë fatin e njëjtë si në votimin e parë.

Sipas tij, zgjidhja më e mirë është që të bashkohet pozita me opozitën për tërheqjen e TRUST-it dhe shteti të garantojë për rimbursim.

“Në rend të parë duhet të kuptohet që votimi për tërheqjen e trustit nesër është një qasje jo serioze si shumë qasje tjera që po ndodhin në Kosovë. Për vetë faktin që në herën e parë ka dështuar një votim i tillë do të thotë do ta ketë të njëjtin fat. Do të kishte qenë shumë e rrugës që nesër të bëhen bashkë pozitë dhe opozitë e të kenë ujdi dhe bashkarisht të dalin me një kërkesë që për tërheqjen e TRUST-it duhet të garantojë shteti që do ta rimbursojë”, tha ai.

Gjithashtu ai tha se qeveria po krenohet për të arriturat e saj por në anën tjetër, sipas Gërxhaliut, Kosova po ballafaqohet me një inflacion prej 20 për qind, sipas Bankës Botërore.

Ai ka thënë se është koha e duhur shteti ta ndihmojë qytetarët duke dhënë 30 përqindëshin, por sipas tij shteti duhet të garantojë rimbursimin e TRUST-it pas tërheqjes. 

“Bazuar në faktin që qeveria krenohet për rezultatet edhe indikatorët krenohen duke filluar nga rritja e buxhetit arritja në ATK e shumë parametra të tjerë, në anën tjetër kemi një inflacion që synon bankën botërore 20 për qind dhe besoj që është koha që duhet qytetari i Kosovës ta liroj dorën shtetit dhe është koha për veprim dhe veprimi ka vetëm zgjidhje, shteti të garantoj rimbursimin e TRUST-it pas tërheqjes dhe në këtë drejtim të ndihmohen qytetarët”, u shpreh ai.

Gërxhaliu tha se nëse tërheqja bëhet pa garancionin se do të rimbursohen nga shteti, qytetarët do të dëmtohen dhe do të jetë situatë shqetësuese.

Ai tha se me mjetet e marra nga TRUST-i do ta rrisin paranë në qarkullim tek qytetarët, gjë që sipas Gërxhaliut do të ndikojë në rritjen edhe më shumë të inflacionit.

“Tërheqja pa garancion që shteti ta rimbursoj do të jetë një dëm për qytetarin edhe tani edhe në të ardhmen sepse askush nuk e dëshiron ardhmërinë e Kosovës të jenë në varfëri edhe pa pension”, tha ai.

“Nëse do të bëhet votimi dhe nuk do të ketë deklaratë që shteti do të rimbursojë tërheqjen do të jetë një situatë me të vërtetë mjaftë shqetësuese. Ato para do ta rrisin paranë në qarkullim, paraja në qarkullim do të ndikojë në rritjen e inflacionit pasi që përfshinë një shoqëri e varur ndaj kuotit dhe në këtë drejtim askush nuk garanton për qytetarët e Kosovës për një pleqëri të dinjitetshme”, shtoi ai.

Gërxhaliu e ka konsideruar vitin që lamë pas si vit që do të mbahet mend si mungesë e dialogut mes qytetarit dhe pushtetit.

Në fund ai tha se ka drojë për vendimin e nesërm sepse sipas tij mund të ketë fatin sikur të herës së parë.

“Viti 2022 ka qenë njëri ndër vitet i cili do të mbahet mend në mungesë të dialogut mes qytetarëve dhe pushtetit. Në këtë drejtim po shihet që sot në Kosovë më tepër votojnë ligjet të cilat përfundojnë në Gjykatë Kushtetuese se sa që ato të jenë në interes qytetar. Meqë nuk ka pasur një dialog paraprakë mes pozitës dhe opozitës dhe nuk ka pasur një ujdi që të dakordohen rreth kësaj çështje, për këtë ligj ka drojë që nesër ligji do ta ketë fatin sikur herën e parë ose nuk do të ketë forum ose nuk do të ketë vota të mjaftueshme”, përfundoi ai.

Edhe ekonomisti Mustafë Kadrijaj e ka konsideruar kërkesën e taksapaguesve si të drejtë, pasi që sipas tij qytetarët kanë të drejtë ta kërkojnë djersën e tyre.

 Kadrijaj ka thënë se qytetarët nuk po kërkojnë rimbursim përveç një përqindje të mjeteve të tyre të grumbulluara për shkak të krizës që ka kapluar vendin.

Kadrijaj tha se çdo arsyetim nga qeveria bie poshtë sepse sipas tij po flasim për një inflacion të lartë.

“Kjo është një kërkesë mbi partiake është një kërkesë qytetare dhe një kërkesë e taksa paguesve të cilët me plotë drejtë kërkojnë djersën e tyre duke mos e ngarkuar qeverinë për ta kaluar këtë situatë e ngarkuar nga ana ekonomike. Ata nuk po kërkojnë asgjë më shumë se ndjerën e vet dhe një për qind të djersës së vet duke mos e ngarkuar qeverinë e vet as me rimbursim dhe në këtë drejtim bie poshtë çdo arsyetim i qeverisë se po flasim për një kohë kur kemi krizë ekonomike, inflacion të lartë”, tha ai.

Ai tha se arsyeja pse qeveria nuk do ta kalojë këtë iniciativë të qytetarëve është se i bie humbje për qeverinë aktuale.

Ai rikujtoi vitin 2020 kur në Kuvendin e Kosovës është votuar për tërheqjen e 10 përqindëshit të mjeteve të TRUST-it për ringjalljen e vendit nga pandemia.

“Qeveria ka të vetëm arsye të në fakt që nuk mund ta shpreh që këtë iniciativë mos ta kalojnë deputetët e opozitës dhe në këtë rast tenton që mos ta kalojë keq sepse kjo i bie humbje për qeverinë aktuale. Nëse flasim për tregje financiare në fakt kriza kemi humbje siç kemi pasur edhe në këtë kohë tani por kur flasim për një stabilitet ekonomik atëherë jashtëzakonisht preket edhe tregjet ndërkombëtare. Kështu që mund të kujtojmë para dy viteve që edhe 10 përqindshi që ua ka dhënë qytetarëve në qeverinë e kaluar ajo është rimbursuar për një kohë shumë të shkurtë”, tha Kadrijaj.

Në fund ai tha se nëse krijohet stabilitet ekonomik, 30 përqindëshi rimbursohet shpejtë.

Sipas Kadrijajt, krejt çka duhet të bëjë qeveria është ta aprovoj këtë vendim.

Nëse krijon stabilitet ekonomik dhe stabilizim të çmimeve ajo mund të rimbursohet shumë shpejtë. Qeveria krejt çka duhet të bëjë duhet ta liroj dorën për të kaluar këtë iniciativë”, foli ai.

Në qershor të vitit të kaluar, përkundër debateve, propozimi për tërheqjen e kursimeve pensionale nuk kaloi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat