Pse nuk po bien çmimet?

Ekonomi

Pse nuk po bien çmimet?

Më: 18 maj 2023 Në ora: 15:25
Foto ilustrim

Në Kosovë gjatë vitit të fundit çmimet në treg kanë marrë hov tash e sa kohë. Bizneset që shesin produkte gjithnjë e më të shtrenjta, këtë e lidhnin me çmimet e karburanteve. Por, në bursa çmimi i naftës ka rënë, ndërsa çmimet e produkteve esenciale në Kosovë s’janë ulur. Në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se stabilizimin e çmimores së tregut kosovar po e vonon shtrenjtimi i energjisë elektrike. Për këtë sektor, opozita është plotë kritika ndaj Qeverisë Kurti.

Çmimet e karburanteve kanë shënuar rënie. Për këtë arsye, ka kërkesa në publik që kjo të reflektojë edhe në çmimet e produkteve, që ndikohen nga kostoja e karburanteve.

Por, kjo duket se s’do të ndodhë me automatizëm pavarësisht se transportimi i mallrave tani mund të kushtojë më lirë,

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK),  ka thënë se stabilizimi kërkon kohë. Sipas tij, ka sasi të madhe të naftës që është blerë më çmim të vjetër – më shtrenjtë.

”Kjo e kërkon kohën e vetë, nuk reflekton menjëherë çmimi i naftës ditën e njëjtë apo të nesërmen te prodhimet, për shkak se kanë kriju stoqe të cilat janë blerë me çmim më të lartë e kërkon kohën e vet për stabilizim“, ka thënë Rafuna.

Ai thekson se arsye pse nuk po ulen çmimet e produkteve esenciale është ngritja e çmimit të energjisë elektrike.

”Duhet të kemi parasysh që përkundër që po bie çmimi i naftës ka rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe çmimi i energjisë elektrike është i lidhur direkt me procesin e prodhimit dhe kjo më pas ndikon në koston e prodhimit”, ka deklaruar ai.

I pari i Odës Ekonomike ka thënë se vazhdimisht kanë shtruar kërkesa ndaj Qeverisë që të subvencionohet pjesa e rritjes së energjisë elektrike.

”Kjo nuk ka ndodhur“, thotë Rafuna.

Energjia është segmenti më i kritikuar nga opozita gjatë kohës sa është duke qeverisur Kurti.

Që prej se Kurti mori pushtetin për herë të dytë, çmimi i rrymës ka shënuar rritje dy herë.

Fillimisht shkurtin e vitit 2022, kur në formë të kategorizuar kishte shtrenjtim për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh.

 Ndërkaq prillin e këtij viti faturat e energjisë elektrike janë ngritur për 15 për qind. Këtë vendim e ka marrë Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), që është institucion i pavarur. Por,Kryeministri Kurti në fillimin e vitit 2022 thoshte se janë në mes dy alternativave ”shtrenjtim të rrymës ose reduktime“.

Për qasjen e ekzekutivit ndaj energjisë, Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thotë se ekzekutivi është fajtor edhe për normën e inflacionit në Kosovë – duke e bërë kështu një lidhje me çështjen e energjisë dhe ndikimin që ka pasur në ngritjen e çmimeve.

Por shton se nafta dhe rryma s’janë dy faktorët e vetëm që ndikojnë në inflacion – shton se përgjithësisht politikat qeveritare ”kanë dështuar”.

”Nuk është vetëm faktori naftë dhe faktori energji që kanë ndikuar direkt në ngritjen e çmimeve.  Çështja e faktorit energji tashmë është e njohur për opinionin që kjo qeveri ka dështuar në të gjitha politikat e saj sektoriale dhe dështimi ka reflektuar edhe në ngritjen e çmimeve, por ka ndikuar edhe në prodhimtarinë vendore dhe kjo ka ndikuar edhe në sfera tjera“, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se sikur Qeveria të vepronte më mirë inflacioni nuk do të ishte i lartë sa ishte muajve e vitit të fundit.

”Çështja e inflacionit është edhe për shkak të politikave të brendshme. Qeveria ka qenë e pakujdesshme dhe nuk ka arritur asgjë të ndryshojë në politikat fiskale, por edhe politika të tjera“, ka thënë ai.

Deputeti opozitar e pranon që tregjet ndërkombëtare edhe kanë ndikuar në zhvlerësimin e parasë – por më shumë ndikim thotë se kanë pasur politikat vendore.

”Inflacioni është i ndikuar nga tregjet ndërkombëtare, por shumë më shumë ndikohet nga politikat e gabuara vendore që nga faza e atyre politikave që i kanë favorizu importet – kemi importe si asnjëherë tjetër nga Serbia. Nuk kemi asnjë politikë sa i përket çështjes së përkrahjes së prodhimit vendor. Sot nuk kemi investitorë të jashtë, i kanë largu investitorët e jashtëm”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë inflacioni në vend kalon shifrën dyshifrore. Ngritja e çmimeve erdhi sidomos pasi nisi lufta e Rusisë në Ukrainë, shkurtin e vitit të kaluar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat