Infrakos” eliminon Gjermaninë dhe fut Grekët në tender

Ekonomi

Infrakos” eliminon Gjermaninë dhe fut Grekët në tender

Më: 10 korrik 2016 Në ora: 13:26
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri

Gjendja infrastrukturore në hekurudhat e Kosovës është e mjerueshme, ngase nuk janë në funksion shumica prej hekurudhës së Kosovës. “Infrakos” për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore Han i Elezit-Leshak i Mitrovicës edhe pse ka hyrë në proces të finalizimit për përzgjedhjen e operatorit nuk është transparent fare. Madje, ka dyshime për manipulime të përzgjedhjes së operatorit për restaurimin e këtij projekti që ka gjetur edhe mbështetje financiare nga institucionet ndërkombëtare.

Në dokumentin e siguruar nga KosovaPress mësohet se është eliminuar kompania gjermane (hekurudha Gjermane, Deutsche Ban), mjaft prestigjioze, me qarkullim miliarda euro dhe me renome botërore, kurse, ka hyrë në listë të ngushtë një kompani greke, Obermyer Hellas, Greece.

Kjo kompani Gjermane (ëëë.bahn.com), vetëm në Gjermani ka nënshkruar kontratë për t’i shtruar 17000 kilometra hekurudhë të re, për 4 vite (2015-2019), në vlerë prej 28 miliardë euro.

Drejtori ekzekutiv në “Infrakos”, Agron Thaçi, edhe pse është kontaktuar tash e dy javë rresht nga KosovaPress, ai nuk ka “gjetur” kohë për përgjigje lidhur me këtë projekt. Kompania “Infrakos” është një nga kompanitë më të mbyllura për komunikim.

Për këtë projekt, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, ka nënshkruar kredi 42 milionëshe me Bankën Evropiane të Investimeve investimet në këtë hekurudhë.

Vlera e marrëveshjes e nënshkruar është 42 milionë euro për rehabilitimin e një pjesë të hekurudhës nga Hani Elezit në Leshak, me gjatësi prej 149 kilometrash nga gjithsej 330 kilometra sa është linja totale e hekurudhës që pritet te rehabilitohet në të ardhmen, e në total do të kushtojë 195.5 milionë euro.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, për KosovaPress ka kërkuar arsyesh-mëri dhe transparencë për projektin e hekurudhor të linjës Han i Elezit – Leshak i Mitrovicës, ngase sipas tij, mjetet e taksa paguesve duhet të menaxhohen sa më mirë, e jo të keqpërdoren, qofshin ato kredi dhe donacione.

Derisa, ai i quajti si të rëndësishme projektet infrastrukturor dhe si të domosdoshëm për zhvillimin ekonomik për qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, tha se ky veprim që po ndodhë në "Infrakos" dhe gjetiu flet për një vazhdimësi të disa veprimeve të parregullta dhe të paligjshme që po ndodhin edhe në projekte të tjera kapitale gjatë proceduarave tenderuese për përzgjedhje të operatorit ekonomik.

Shatri: Përzgjedhja dhe favorizimi i operatorit obligohet prej dikujt tjetër

“Kjo flet për një vazhdimësi të disa veprimeve të parregullta, të paligjshme që po ndodhin edhe në projekte të tjera kapitale... në kuptimin e proceduarve për tenderim dhe për dhënie ose për përzgjedhje të operatorit. Nuk është e para herë që ndodhë kjo... Mund të jetë edhe kjo që përzgjedhja e një operatori na obligohet prej dikujt tjetër, na imponohet një operator që nuk është i aftë...dhe eliminimi i njërit dhe favorizimit i tjetrit është i paligjshëm në bazë të dispozitave ligjore”, thotë Shatri. 

Ai shprehet se ofertat për përzgjedhjen e operatorëve duhet të janë në bazë të kritereve ligjore, duke pasur më shumë operatorë konkurrues dhe serioz. Sipas tij, çdo ndërhyrje seleksionuese për eliminim krijon parregullsi.

Shatri: Përzgjedhja seleksionuese e operatorit është i kundërligjshëm

“Pra, duhet në bazë të parimeve të tregut, me i hap ofertat dhe me konkurruar sa më shumë operator dhe me u bërë përzgjedhja në bazë të parametrave që i parash ligji. Çdo ndërhyrje dhe eliminim sjell deri te një monopolizëm dhe vendimi për me u përzgjedhë në mënyrë seleksionuese një operator është i pa ligjshëm dhe kundërligjshëm”, tha ai.

Shatri thotë se nuk e din se ka pasur një studim të fizibilitetit për arsyesh-mërinë e riparimit të hekurudhave. Andaj, sipas tij, ishte dashur të bëhet një studim fizibiliteti për të parë koston, standardet e projektit, benefitet që vijnë nga ky riparim, dhe me pa nevojën e ekonomisë.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave për KosovaPress kanë treguar vetëm për shumën e kredisë, derisa thonë se për çështje të implementimit të projketit në fjalë është INFRAKOS dhe kanë projektin e detajuar.

“Shuma dhe kushtet e kredisë së nënshkruar me Bakën Evropiane Investive për Projektin e Linjës Hekurudhore, janë: shuma e kredisë: 42 milionë euro. Kushtet financiare të kredisë: determinohen me rastin e tërheqjes së secilit. Ndërsa, sa i përket kompozimit të projektit, ju për këtë çështje të kontaktoni me “Infrakos” si agjencinë implementuese i projektit, të cilët në kuadër të ekipit kanë negociuar për detajet e projektit përkatës”, thuhet në përgjigjen elektronike të MF-së.

Kredinë e nënshkruar do ta marrë “Infrakos-i”, ndërsa garantuese e saj është Ministria e Financave.

Për projektin në fjalë, po hesht edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e cila është menaxhuese dhe mbikëqyrëse e ndërmarrjeve publike. MZHE nuk ka treguar pse është aprovuar nga kjo ministri një projekt i tillë pa instalim të rrymës, duke pasur parasysh se të gjithë trenat në Evrope janë me rrymë dhe kjo e rritë koston.

Në dhjetor të vitit të kaluar kur është nënshkruar kredia me Bankën Invetive, është thënë se punimet e rehabilitimit të një pjese të hekurudhës do të fillojnë në vjeshtë të këtij viti, projekti do të zgjasë 4 vjet.

Kompania “Infrakos”-it, është pranë kolapsit financiar.  Agron Thaçi, kryshef i “Infrakos”-it, ka kërkuar nga ministri i MZHE-së, Blerand Stavileci, që me rishikimin e buxhetit të ndahen edhe mjetet për kompaninë në krye të së cilës është, në mënyrë që të mos vijë deri të bllokimi i lëvizjes së trenave.

Këtë kërkesë, Thaçi ia kishte bërë, ministrit Stavileci, në maj të këtij viti, i cili për herë të parë ishte në vizitë si aksionar tek Hekurudhat e Kosovës.

Se kjo kompani është në kolaps, për shkak të keqmenaxhimit është dëshmuar në shumë raste.

Në një emision të realizuar kohë me parë në KTV, Pal Lekaj, anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe Infrastrukturë në Parlamentin e Kosovës kishte deklaruar: “Që të gjitha janë për hetim nga prokuroria, duke filluar nga kontratat, prokurimi, punësimi. Keqpërdorimi i parasë publike është evident dhe duhet prokuroria të merret me to. Kjo ndërmarrje është në falimentim dhe kanë përfituar individët”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat