Sëmundja e lopëve, a duhet konsumuar mishi?

Ekonomi

Sëmundja e lopëve, a duhet konsumuar mishi?

Më: 10 shtator 2016 Në ora: 08:07
Ilustrim

Meqë festa e Kurban Bajramit është javën e ardhshme dhe qytetarët therin kurban, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci tregoi se nëse therja bëhet nëpër vende të autorizuara atëherë nuk ka fare rrezik.

Ai gjithashtu tha se kjo sëmundje e gjedheve nuk prek njerëzit.

“Sëmundja e tillë nuk është e rrezikshme për njerëzit, por për kafshët. Ajo prek vetëm kafshët nuk prek llojet e tjera, vetëm bartet nga kafshët tek kafshët”.

“Për të gjitha ato therje të cilat realizohen në thertore të autorizuara nuk ka vend për shqetësim dhe ato produkte mund të përdoren”.

“Në thertoret e autorizuara do të jenë të pranishëm inspektorët. Në këtë drejtim në koordinim edhe me inspektorët e komunave do të jemi prezent në thertoret e autorizuara”.

Gjinovci u shpreh se e gjithë vendi është prekur nga kjo sëmundje e gjedheve, mirëpo tregoi se nga cilat vende pati më shumë ngordhje të kafshëve.

“Qysh nga fillimi e kemi paraqitur situatën, nuk është gjendja alarmante, por ka përhapje të sëmundjes në pjesën më të madhe të vendit. Tani si më e përfshirë është Komuna e Kaçanikut, por edhe rrafshi i Dukagjinit si Istogu dhe Deçani që kanë edhe numrin më të madh të kafshëve të ngordhura”.

Ai ka treguar se numri i kafshëve të ngordhura po rritet dita – ditës.

“Statistikat ndryshojnë nga dita në ditë, deri më tani janë mbi 150 kafshë që janë të ngordhura në nivel vendi, statistikat ndryshojnë dhe mund të sillet edhe më shumë pas festës mund të kalojë në 200”.

Por ai ka treguar se kur do të fillojë vaksinimi masiv i gjedheve.

“Vaksinimi masiv do të fillojë javën e ardhshme, do të jemi të përgatitur për vitin në vijim. Do të jemi të kujdesshëm në sigurimin e vaksinave dhe do të veprojmë me kohë”, ka thënë Gjinovci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat