Para shpërthimit të “bombës Sociale”, ja sa është numri i të papunëve në Kosovë

Ekonomi

Para shpërthimit të “bombës Sociale”, ja sa është numri i të papunëve në Kosovë

Nga: Mimoza Lakna Më: 11 shtator 2016 Në ora: 12:19
Ilustrim

Papunësia është një nga problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës. Shumë të rinj e kanë të vështirë të gjejnë vende pune, ndërsa për shkak të kësaj edhe janë të detyruar që të largohen nga vendi qoftë edhe ilegalisht.

Në bazë të të dhënave statistikore të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies sociale, rreth 16 mijë e 86 punë kërkues vetëm të moshës 15-24 vjeç.

“Grup mosha 15 - 24 vjeç të regjistruar si të papunë dhe punëkërkues në Zyrat e Punësimit është 16086 punëkërkues, prej tyre 7352 janë femra. Kjo statistikë i referohet numrit të përgjithshëm të punëkërkuesve të rinjë të regjistruar si punëkërkues në Zyrat e Punësimit”, ka thënë për “Bota sot”, Musa Demiri zëdhënës në MPMS.

Sipas Demirit, MPMS-ja gjegjësisht Departamenti i Punës dhe Punësimit ofron shërbimet publike të punësimit dhe masat aktive të tregut të punës. “Shërbimet e punësimit janë: regjistrimi i punëkërkuesve, ndërmjetësimet në punësim, ndërmjetësimet në aftësime profesionale, hulumtim i tregut të punës, këshillime (për punësim, për intervistë për punë, për kërkim pune), orientim në karrierë, etj. Numri i punëkërkuesve të ndërmjetësuar në punësim të rregullt në vitin 2016 përmes Zyrave të Punësimit është 2408, prej tyre 836 janë femra. Ndërsa numri i punëkërkuesve të ndërmjetësuar në masat aktive të tregut të punës në vitin 2016 përmes Zyrave të Punësimit është 2120, prej tyre 629 janë femra”, ka nënvizuar ai.

Në anën tjetër, sociologu Fadil Maloku, ka vlerësuar se institucionet e Kosovës nuk kanë politika zhvillimore ku të rinjtë do të punësoheshin. “Institucionet e Kosovës, më shumë të prirura të krijojnë paradispozita nepotiste e konformiste, se sa politika zhvillimore, ku të rinjtë do të kishin mundësi të afirmonin shkathtësitë dhe kapacitetet e tyre profesionale”, ka thënë Maloku. Më tej, ai ka theksuar se Kosova është i vetmi vend në rajon që për të gjitha këto vite të pas luftës, shkallen e varfërisë së skajshme nuk ka arritur ta reduktoj nën 10%(!!!). “Përkundrazi, ka ngritje që nënkupton se papunësia po e ridimensionon vetën, në kuptimin e acarimit dhe krijimit të kundërthënieve gjithnjë e më të ashpra sociale. Pra, dallimet sociale po rriten dhe kjo në fakt është një "bombe sociale" që mund ti rrezikoj të gjitha të arriturat e gjertanishme. Duhen projekte dinamike, të cilat do e zbusin gangrenën e papunësisë”, ka nënvizuar Maloku.../BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat