AKB e sheh si ide të mirë Ligjin për Trepçën

Ekonomi

AKB e sheh si ide të mirë Ligjin për Trepçën

Më: 10 nëntor 2016 Në ora: 16:28
Pamje nga takimi

Ligji i Trepçës, mundësi e re apo sfidë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, ishte tema e konferencës së realizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Komuna e Mitrovicës, në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2016”, “Unë konsumojë produkte vendore, po ju?”

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se funksionalizmi i Kombinatit Trepça do ta zhvillojë vendin dhe për këtë të gjithë sytë i kanë nga Trepça. Edhe pse Ligji i Trepçës është miratuar, shumë gjëra mbeten ende të paidentifikuara apo të mjegulluara.

"Trepça vazhdon të mbetet sfidë edhe përkundër faktit se është miratuar ligji, ajo vazhdon të mbetet në gjendje shumë të vështirë dhe institucionet duhet të nisin zbatimin e ligjit. Besojmë se sponsorisuesit e ligjit do të nisin funksionlizimin e kombinatit në mënyrë që të ketë zhvillim të vendit, punësim e mirëqenie më të mirë", tha Agim Shahini.

Kryetari i AKB-së shtoi se Trepça, si një aset shumë i rëndësishëm i shtetëror, duhet zhvilluar si kompleksi më zhvillimor i së ardhmes së ekonomisë vendëse.

Sipas tij vite më parë ishte kombinati më i zhvilluar që punësonte më së shumti në vendin tonë dhe ishte i njohur si gjigant ekonomik jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan, Evropë e më gjerë, ndërkaq sot është në gjendje jo të mirë, por është bërë kompani të cilën po e lakmojnë edhe të tjerët

Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës, tha se kompleksi Trepça është shumë i rëndësishëm jo vetëm për Mitrovicën, por për tërë Kosovën dhe nuk duhet pritur më, duhet nisur me punë.

Shyqri Kelmendi, ish-drejtor i Trepçës, tha se vendi ka nevojë që Trepça të ringjallet dhe për këtë duhet përkushtim nga të gjithë.

Ai tregoi se puna për Ligjin e Trepçës, ka qenë një proces pesë vjeçar dhe se me miratimin e tij është shpëtuar ky gjigant ekonomik, i cili do të kontribuoj në zhvillimin e vendit dhe nuk është lejuar të shkatërrohet.

"Mendoj se ligji ofron idenë e zhvillimit dhe për këtë duhet të joshen e sillen investitorë të huaj për funksionalizimin e kompleksit", tha Kelmendi.

Ai tregoi se sot Kosova ka rreth 58 milionë tonë xehe dhe parashihet që në asetet e Trepçës të investohen qindra miliona euro që janë të mirëpritura. Plani për rivitalizimin e saj është shumë i rëndësishëm dhe duhet që sa më parë të nisë funksionalizimi.

Nenad Rashiq, deputet i Kuvendit, tha se ideja e ndarjes së aksioneve është e mirë, por duhet definohet mënyra e përcaktimit të vlerës së aksioneve për secilin prej punëtorëve.

Nazmi Mikullovci, ish-drejtor i Trepçës, tha se ky kombinat dikur ishte kompania më e fuqishme jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, ku kishte mbi 20 mijë punonjës. Kishte zhvillim të bujshëm dhe ishte ndër pesë eksportuesit më të mëdhenj të xeheve.

"Kompleksi Trepça, mundet të lulëzoi përsëri fuqishëm, por po nënçmohet nga institucionet, ku pos xehetarisë, duhet zhvilluar edhe metalurgjia dhe sketorët tjerë", tha Mikullovci.

Ai shtoi se duhet sjell investitorë të fuqishëm botëror e të cilët do të ndërtonin qindra fabrika dhe jo që shteti të bëjë investime të kota.

Behxhet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, tha se Trepça duhet zhvilluar e jo në emër të saj vetëm të përfitohet nga disa individë. Sipas tij asnjëri nga punonjësit nuk do të mund të marrin 20 përqindshin, gjë edhe për të cilën shtroi pyetje.

"Sot në emër të Trepçës vidhet, përfitohet nga persona të caktuar, por punonjësit nuk fitojnë asgjë. Shteti nuk ka dashuri ta zhvilloi këtë. Shteti nuk ka kredibilitet për të marr kredi e zhvilluar kombinatin", tha Pacolli.

Ai akuzoi se ata shitën tërë pasurinë e vendit (fabrikat) dhe i shndërruan ato sikur të ishin shkatërruar.

Behxhet Pacolli, tha se Trepça do zhvillim e jo fjalë, derisa paraqiti edhe disa modele për ecjen përpara të kompleksit Trepça nga e cila do të punësohen shumë qytetarë.

Edhe të pranishëm të tjerë kanë kërkuar që sa më parë të funksionalizohet Trepça, e cila do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat