Kompanitë e Sigurimit dhe BKS nuk i paguajnë tatim shtetit?!

Ekonomi

Kompanitë e Sigurimit dhe BKS nuk i paguajnë tatim shtetit?!

Më: 27 nëntor 2016 Në ora: 13:05
Ilustrim

Përderisa kompanitë e sigurimeve realizojnë të hyra të mëdha nga veprimtaria e tyre e sigurimeve, ato janë të obliguara me Ligj t’i paguajnë tatim shtetit për fitimin nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS).

Zyrtarë të BSK-së dhe të Shoqatës së Sigurimeve nuk dëshirojnë të tregojnë se a i paguajnë tatimet për qarkullimin financiar.

KP për javë më radhë ka kërkuar nga këto dy institucione përgjigje lidhur me këtë, por ato, edhe përkundër pritjes së gjatë nga gazetari, nuk janë përgjigjur në asnjë formë.

Nga ana tjetër, Besnik Kada, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), për KosovaPress thotë se në bazë të ligjit, kompanitë e sigurimeve janë të obliguara që në baza tremujore të paguajnë tatimin në qarkullim për të gjitha të hyrat nga sigurimet, përfshirë edhe të hyrat nga sigurimet kufitare që aktualisht administrohen nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS).

Edhe për ish ministrin e Financave, Haki Shatri, sikur çdo subjekt tjetër ekonomik që realizon profit ashtu edhe kompanitë e sigurimit janë të detyruara të paguajnë tatimin në fitim.

Shatri tha se në industrinë e sigurimeve ka pasur ankesa dhe vërejtje për punën e tyre. Sipas tij, kjo sferë nuk është mirë e rregulluar dhe aty ka diçka që nuk po funksionon qysh duhet.

Ish ministri thotë se në këtë industri një grup i njerëzve i ka gjetur interesat e veta, Shatri thotë se ka kompani të sigurimeve që raportimet e tyre nuk janë reale dhe veprojnë pa ligjshëm

Shatri: Ka raportime jo reale, po veprojnë pa ligjshëm

“Pakkush ka qasje dhe është e mbyllur për nga natyra e punëve dhe vetëm ata që janë drejtpërdrejt të involvuar i din ato probleme. Por, banka (BQK) e ka përgjegjësinë si institucion shtetëror i pavarur për me i mbikëqyr institucionet e sigurimeve dhe asociacionin e tyre... Ka subjekte që ne paraqitjet e tyre formale, raportimet e tyre nuk janë shumë reale, të cilat veprojnë pa ligjshëm , por si çdo subjekt tjetër në Kosovë në një far forme e infektojnë ambientin biznesor... Kështu që ka diçka që këtë industri e baltos, sepse disa subjekte për te shpëtuar më lehtë ose për me u nxjerr nga situata të vështira në të cilat ndodhen shfrytëzojnë lidhjet e shkurta me nivelet e larta të pushtetit dhe në këtë mënyrë dëmtojnë industrinë”, thotë Shatri.

Ai tha se sektori i sigurimeve përveç se është industri interesante,  është zhvilluar mirë pas lufte në Kosovë.

Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrje Financiare, Faton Topalli, shprehu shqetësimin e tij se Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) nuk ka lajmëruar 185 milion euro, mjete të arktueshme. Topalli tha se fshehja e borxhlinjve mbetet problem serioz.

Topalli: Pagesa e tatimeve është një obligim

“Pagesa e tatimeve është një obligim të cilin e kanë të gjitha ndërmarrjet ekonomike në Kosovë dhe qytetarët. Mendoj se është një problem bukur shqetësues. Prej raportit të vitit 2015 të auditorit, e dimë që ATK-ja nuk ka lajmëruar 185 milion mjete të arktueshme, pra borxhlinj që i kanë pasur borxhe ATK-së për t’i futur pastaj në buxhet... Mendojë se është një problem serioz dhe tregon që përveç papërgjegjësisë totale karshi  Qeverisë - fshehja e borxhlinjve len shumë dyshime dhe a ka pasur për qëllim të mbroj organizatat e caktuara ekonomike që mos t’i kryejnë detyrimet ndaj shtetit respektivisht që mos të merën hapat ligjor për ta mbledhur tatimin.”, theksoi Topalli.

Ndërsa, zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës(ATK), nuk i janë përgjigjur pyetjeve se a i paguajnë tatimet kompanitë e sigurimit.  

Elird Xhemaili nga Byroja e Sigurimeve të Kosovës, pati premtuar se do të përgjigjen lidhur me pagesat e tyre tatimore, mirëpo të njëjtit nuk i lejuan KosovaPress-it as pamje të merren tek zyrat e BSK që gjinden në Fushë Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat