Stavileci: Ndërmarrjet publike në gjendje të rëndë

Ekonomi

Stavileci: Ndërmarrjet publike në gjendje të rëndë

Më: 14 shkurt 2017 Në ora: 16:23
Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Blerand Stavileci

Ndërmarrjet publike në Kosovë ndodhen në pozitë jo të favorshme, madje, disa prej tyre, ballafaqohen me probleme të natyrave të ndryshme.

Kështu tha sot vetë ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Blerand Stavileci, gjatë prezantimit të planeve që ka ministria e tij në këtë vit. Sipas Stavilecit, për të përmirësuar mënyrën e menaxhimit dhe llogaridhënies së ndërmarrjeve publike, Qeveria ka në plane të nxjerrë ligjin e veçantë për këto ndërmarrje.

Stavileci: Ndërmarrjet publike ndodhen në gjendje të rëndë

“Ndërmarrjet publike edhe në periudhën që e lamë pas, po ka edhe disa vite me radhë, që gjenden në një pozitë jo të favorshme. Pjesa më e madhe e tyre përballen me vështirësi nga më të ndryshmet. Ne jemi munduar që edhe në vitin që e lamë pas. për një pjesë të madhe të tyre të cilat ofrojnë shërbime vitale për qytetarët, të ju dalim në ndihmë për t’i përkrahur sado që unë këtu e ndaj një koncept tjetër e që besoj një mendim dhe këndvështrim tjetër që do të reflektohet në ligjin e ri për ndërmarrjet publike. Projekti kryesor që do ta kemi në kuadër të agjendës për ndërmarrjet publike do të jetë një ligj i ri i cili do të reflektoj nevojat bashkëkohore që kanë ndërmarrjet publike në raport me shërbimet që ato i ofrojnë për qytetarët, por mbi bazën e një koncepti të mirëfilltë të qeverisjes së korporatave me parimet e fundit të qeverisjes kooperative... Do të ketë qasje krejt tjetër sa i përket raportit të llogaridhënies në mes aksionarit dhe drejtuesve të këtyre ndërmarrjeve publike”, tha Stavileci.

Sa i përket sektorit të energjisë, ministri i Zhvillimit Ekonomik ka treguar për hapat që do të bëjë Qeveria për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re. Blerand Stavileci ka treguar se është duke u punuar modeli se si do të veprohet me këtë projekt.

Stavileci: Mendojmë që termocentrali pas 20 viteve i kthehet Kosovës

“Ne jemi në faza të avancuara të negociatave dhe jemi marrë vesh që gjithçka të përfundoj gjatë këtij tre mujori të parë në këte vit. Nga momenti kur kemi nisur negociatat e deri më sot, ne kemi marrë një varg vendimesh të cilat janë në favor të qëllimeve të cilat i kemi parashtruar që nga fillimi. E dy prej tyre që janë nga më të rëndësishmet janë siguria e furnizimit, pranueshmëria e çmimit për bizneset dhe për konsumatorët janë dy nga fushat ku ne i kemi arritur gjërat më të mëdha. Pas 20 viteve ky termocentral do të jetë në pronësinë tonë. Ne gjatë këtyre dy javëve ekipet e ekspertëve financiar dhe të ekspertëve ligjor janë duke punuar në mënyrë që të bëjnë gati modelin. Këtë model do të mundohemi ta konvertojmë në të gjitha pjesët e marrëveshjes, janë gjithsej 9–të sosh.”, tha Stavileci.

Sipas tij, pritet që të ketë garë më të madhe të ndërtuesve, bilës, Stavileci thotë se ka interesim të madh edhe të ndërmarrjeve të mëdha ndërkombëtare të cilët do të jenë pjesë e kësaj gare. Ministri ka prezantuar edhe projektet për sektorin minerarë, ku në veçanti është ndalur tek ligji për Trepçën dhe ka shpalosur planet për këtë aset që Qeveria ka.

Stavileci: Trepça në muajin e ardhshme do të prezantohet në konferencën më të madhe të minierave

“Ligji për Trepçën që besoj që tashmë është një mburrje për gjithë neve, është një rezultat i një pune mes të gjitha palëve, me pothuajse një konsensus nga të gjitha palët. Qysh nga muaji i ardhëm Trepça do të prezantohet në konferencën më të madhe që mbahet për sektorin e minierave dhe mineraleve. Për herë të parë ku ne edhe gjatë këtyre ditëve kemi interesime të ndryshme prej investitorëve në mënyrë që ato zotime të cilat i kemi marrë, që pjesa më e madhe e tyre reflektohen edhe në kuadër të ligjit për Trepçën, ta bëjmë realitet”, tha Stavileci.

Po ashtu Stavileci ka treguar se shumë shpejtë do të bëhet inaugurimi i fabrikës së ujit në Shakabaj, i cili do t’u mundësoj ujë të pijshëm rreth 400 mijë qytetarëve të Prishtinës me rrethinë. Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik në planë janë edhe projekte tjera të cilat do të vazhdojnë të përkrahen dhe finalizohen nga qeverisja e tyre, përfshirë projektin e hekurudhave, linjën 400 kilovatësh dhe projektet të tjera të teknologjisë informative. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat