Çmimet e prodhimeve bimore e blegtorale vjet shënuan rënie

Ekonomi

Çmimet e prodhimeve bimore e blegtorale vjet shënuan rënie

Nga: BOTA SOT Më: 24 shkurt 2017 Në ora: 16:28
Prodhime bimore, ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e çmimeve të prodhimeve dhe çmimet në bujqësi“ për vitet 2010- 2016 (2010=100 ).

Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe në vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen, thuhet në njoftimin për medie të ASK-së.

Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.

Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në kg, litër dhe copë.

Në vitin 2016, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për -4.4%, krahasuar me vitin 2015, kurse indeksi i çmimeve prodhimeve blegtorale ka rënie për -1.1% në vitin 2016, krahasuar me vitin 2015. Indeksi total i çmimeve të prodhimeve bujqësore ka rënie për -2.6% për këtë periudhë.

Në vitin 2016 indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 11.1%, krahasuar me vitin 2010. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 4.9% në vitin 2016, krahasuar me vitin 2010. Ndërkaq, indeksi vjetor total i prodhimeve bujqësore ka rritje për 7.6% në vitin 2016, krahasuar me vitin 2010./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat