ISEAL në Kosovë me projektin "Diaspora, urë e shkëmbimit të njohurive ekonomike"

Ekonomi

ISEAL në Kosovë me projektin "Diaspora, urë e shkëmbimit të njohurive ekonomike"

Nga: Arbesë Hoxha Më: 27 shkurt 2017 Në ora: 22:16
Ekspertë nga Zvicra, shqiptarë dhe zviceranë zhvilluan një sërë aktivitetesh në Kosovë.

Ura komunikimi për përcjelljen dhe shkëmbimin e njohurive në mes të ekspertëve nga Zvicra dhe institucioneve në Kosovë po krijohen nga ISEAL-i. Ai këtë radhë vjen në Kosovë me projektin «Diaspora, urë e shkëmbimit të njohurive ekonomike».

Ekspertë nga Zvicra, shqiptarë dhe zviceranë, me nismën e ISEAL-it, zhvilluan një sërë aktivitetesh në Kosovë më 22, 23 e 24 shkurt 2017. Në kuadër të këtij projekti të Institutit, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, u mbajt një Forum Ekonomik dhe u zhvilluan një sërë aktivitetesh.

Në kuadër të kësaj vizite, Prof. dr. Peter Knoepfel nga Institutiti Zviceran me renome ndërkombëtare i Studimeve të Larta në Administratë Publike (IDHEAP), pati takime me zv.ministrin e Administratës Publike të Kosovës, Hajredin Hyseni dhe me drejtoreshën e përgjithshme të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP), Refike Sülçevsi. Qëllimi: shkëmbimi i ideve dhe propozimeve për një bashkëpunim të mirëfilltë në të ardhmen. Knoepfel është edhe një nga anëtarët themelues të ISEAL-it.

Prof. dr. Sokrat Sinaj, shef i projektit të Konfederatës Zvicerane «Ushqimshmëria e bimëve – Agroscope»,  së bashku me Dr. Valdet Gjinovcin, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, zhvilluan takime pune. Një sërë nismash për një bashkëpunim të mirëfilltë e konkret, ishin rezultat i këtyre takimeve. Prof. Sinaj pati takim edhe me Prof. dr. Skënder Kaçiun, dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe Prof. asoc. dr. Mentor Thaçi, prodekan për çështje mësimore.

Prof. dr. Claudio Bolzman nga Shkolla e Lartë për Punë Sociale e Gjenevës zhvilloi takime të ndara me profesorë të Universitetit të Prishtinës: Dr. Naim Jerliun, Prof. dr. Ibrahim Berishën dhe Prof. dr. Nerimane Kamberin. Qëllimi i këtyre takimeve ishte që të shkëmbenin ide për një bashkëpunim konkret.

Image

Ing. Mentor Ilazi dhe Prof. dr. Agron Bajraktari, rektor i Universitetit të Shkencave të Aplikuara, patën një takim pune. Prof. Bajraktari organizoi edhe një konferencë-debat me studentët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara, para të cilëve Ing. Ilazi bëri një paraqitje dhe një shkëmbim me studentë, të cilët krijuan një pasqyrë mbi përvojat e Mentor Ilazit, që drejton një sektor të rëndësishëm të prodhimit të energjive në Satom, pronë publike në Monthey të Zvicrës.

Dr. Igli Tashi pati një takim me Kujtim Gashin, drejtor i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.

Në vazhdën e këtij projekti, ISEAL, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, më 23 shkurt 2017 organizuan Forumin me temën «Diaspora, urë e shkëmbimit të njohurive ekonomike». Ai u mbajt në ambientet e Odës Ekonomike të Kosovës, i cili filloi në orën 10.00 dhe vazhdoi për gjashtë orë me radhë.

Ambasada Zvicerane në Kosovë, është financuese i këtij projekti, në kuadër të të cilit u organizua forumi. Ky u pasurua me praninë e personaliteteve të njohura në fushën e ekonomisë në Kosovë dhe të jetës akademike në Zvicër. U paraqitën referate në fushën e ekonomisë, të administratës publike, të studimeve sociale dhe në atë të sektorit bankar, prej referuesve zviceranë dhe shqiptarë, që jetojnë në Zvicër.

Pjesë e këtij forumi ishin drejtori i Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare dhe mësimdhënësi në Kolegjin zviceran Léon-Michaud, Driton Kajtazi, i cili i mblodhi ekspertët në këtë tryezë të rëndësishme ekonomike, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, zëvendësudhëheqësja e Misionit në Ambasadën e Zvicrës, Anita Schlüchter Roth, njëri nga themeluesit dhe anëtari i Këshillit të Fondacionit të ISEAL-it si dhe profesor në IDHEAP, Prof. dr. Peter Knoepfel, shefi i projektit Ushqimshmëria e bimëve «Agroscope», Prof. dr. Sokrat Sinaj, përgjegjësi i Departamentit Ngrohje në Distancë dhe anëtar i Drejtorisë Satom SA, Ing. Mentor Ilazi, eksperti i transaksioneve bankare, Dr. Igli Tashi, Profesori HES-SO në Gjenevë, Pof. dr. Claudio Bolzman, përfaqësuesi i Rrjetit të Biznesit Shqiptar në Zvicër, Qamil Isufi, si dhe kryetari i Shoqatës së Miqve të ISEAL-it, Visar Qusaj.

Morën pjesë edhe përfaqësuesi nga Ministria e Diasporës, Osman Shahini, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Diasporës, pastaj nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, biznesmenë kosovarë, përfaqësues të organizatave joqeveritare si dhe mediet.

Udhëheqësja e Misionit në Ambasadën e Zvicrës, Roth, mbajti fjalën hyrëse në forum. Ajo e  falënderoi Driton Kajtazin për organizimin e këtij forumi. Vetë Kajtazi pos të tjerash, theksoi: «Rilindja Kombëtare ka lindur në Diasporë, atëherë edhe rritja ekonomike do të bëhet me diasporën. Dhe meqë Diaspora është «aksionare e lirisë, atëherë Diaspora duhet të jetë edhe aksionare e privatizimit në Kosovë». I gëzohemi bashkëpunimit me OEK-un dhe kryetarin e saj, Safet Gërxhaliu, theksoi në përmbyllje Kajtazi.

Qëllimi i forumit ishte që të krijohet një urë lidhëse për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ekonomike të Diasporës shqiptare. Rëndësi të veçantë në forum kishin remitencat e Diasporës në vendin e origjinës. Raportet dhe hulumtimet e bëra dëshmojnë se remitencat e Diasporës, të shoqëruara me një planifikim ekonomik, ndikojnë dukshëm në zhvillimin ekonomik të një vendi.

Në pjesën e parë të forumit u diskutua lidhur me klimën e krijuar nga institucionet e Kosovës për tërheqjen e investitorëve të huaja. Po ashtu janë shkëmbyer edhe përvoja nga ekspertët zviceranë, rreth mënyrës së shfrytëzimit të kapaciteteve financiare dhe profesionale në zhvillimin ekonomik, ngritjen dhe forcimin e besimit, për të parë Kosovën si një vend të mundësive për investime.

Qëllim i ISEAL-it nuk është që të bëjë nisma afatshkurtra dhe me reflekse të politikës ditore, por refleksione afatgjata. Ndaj, përveç forumit, u organizuan dhe do të organizohen një serë aktivitetesh për krijimin e urave të bashkëpunimit me anë të njohurive nga diaspora në Kosovë. Bashkëpunim me institucione të ndryshme të Kosovës, të cilat organizohen nga Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare (ISEAL), i cili ka punuar me vite të tëra në këtë temë dhe do të vazhdojë të punojë edhe më tej.

Për ilustrim, ISEAL-i në vitin 2013 ka organizuar Forumin «Diaspora, levë ekonomike transnacionale» në Universitetin e Lozanës, me po të njëjtën temë ka bërë edhe një botim në gjuhën frënge dhe gjermane. Ky angazhim i ISEAL –it në këtë drejtim, por edhe me paraqitjen dhe debatet në Forumin në fjalë, ka për qëllim të krijojë mundësi për vazhdimësinë dhe thellimin e shkëmbimeve të përvojave në të ardhmen.

Rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit vazhdon të luajë Oda Ekonomike e Kosovës. Kryetari i saj, Gërxhaliu, kërkon nga institucionet vendore krijimin e një klime sa më të favorshme për investime në Kosovë, ku të krijohen politika më të përshtatshme në lidhje me emigracionin dhe statusin e diasporës kosovare. Në rast të zbatimit të politikave të tilla, kontributi i Diasporës do të ishte më efikas në ngritjen e kapaciteteve të ndryshme ekonomike. Vlen të theksohet shifra e dalë nga hulumtimet e bëra, sipas të cilave Kosova është vendi i cili fiton më së shumti remitenca nga diaspora: shuma sillet rreth 700 milionë euro në vit.

Nga përfundimi i forumit u hap debati me këto tri pyetje: Diaspora - aktor apo spektator ekonomik në Kosovë? Mundësitë e kontributit në Kosovë nga diaspora në Zvicër? Diaspora – urë e shkëmbimeve të ndërsjella ekonomike në mes të Zvicrës dhe Kosovës? U shkëmbyen përvoja e ide nga ekspertët e fushave të ndryshme, të cilat në fokus kishin ekonominë dhe gjithashtu do të shërbejnë si rekomandime për bizneset vendore. Qamil Isufi, Mentor Ilazi, Igli Tashi dhe Sokrat Sinaj ishin panelistë të debatit.

Debati zgjoi shumë interes. U shtruan pyetje të shumta. Për shkak të kohës së kufizuar dhe vazhdimësisë së aktiviteteve të radhës në kuadër të projektit, duhej të respektohej agjenda. Gjithsesi prania e këtij profili panelistësh dhe numrit të madh të pjesëmarrësve dhe panelistëve, tregon për rëndësinë e diasporës dhe shkëmbimit të njohurive ekonomike në vendin tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat