Ndryshimet në pakon e re fiskale në duar të FMN-së

Ekonomi

Ndryshimet në pakon e re fiskale në duar të FMN-së

Më: 14 mars 2017 Në ora: 10:37
Ministri i Financave Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Masat që Ministria e Financave i parasheh t’ fus në pakon fiskale2.0 , nuk mund të aprovohen në Qeveri pa pëlqimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Kjo organizatë e ka pranuar një draft me propozim-ndryshimet që Ministria e Financave ka përgatitur kohë më parë me rekomandime dhe kërkesa nga komunitete të ndryshme të biznesit.

 FMN është duke i analizuar propozimet për t’i parë nëse ato kanë implikime buxhetore.

Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se për ndryshimet që parashihen me pakon fiskale 2.0  janë duke pritur vlerësimin e FMN-së.

Hoti: Jemi në diskutime me FMN për pakon fiskale

Jemi duke e diskutuar draftin e masave fiskale me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Presim që brenda disa ditëve të kemi vlerësimin e tyre. Për ato mallra siç e keni parë në disa paraqitje publike që kemi pasur janë pothuajse të balancuara dhe masa që në fakt inkurajojnë zhvillimin ekonomik dhe kompensojnë çfarëdo zvogëlimi të të hyrave të menjëhershme që mund të ketë si rezultat i ofrimit të lehtësirave fiskale”, tha Hoti.

Këtë e ka konfirmuar edhe shefi i FMN-së për Kosovë Ruud i cili tha se janë duke punuar ngushtë me Qeverinë në analizimin dhe shqyrtimin e pakos fiskale.

Vermeulen: Jemi  në fazën e vlerësimit të pakos fiskale

“Ashtu siç tha edhe ministri ne kemi pranuar skicën e parë për pakon e dytë fiskale por është shumë herët që të themi diçka për substancën sepse është ende në procesin e vlerësimit të masave të propozuara lidhur me pakon për të cilën jemi duke bashkëpunuar me Qeverinë për vlerësimin dhe rishikimin e saj”,  tha Vermeulen.

Ai ka shtuar se është herët të flitet se çfarë vlerësimi do të jap pasi nuk i kanë analizuar draftin me ndryshimet. 

Disa prej masave, të cilat tash e sa kohë janë duke u proklamuar nga Ministria e Financave kanë të bëjnë me lista të produkteve që konsiderohen si lëndë e parë që parashihen të lirohen nga tatimi doganor.

Po ashtu me këto masa parashihet heqja e normës së mazutit që përdoret për produktet bujqësore.

Si masë tjetër Qeveria ka  paraparë edhe udhëzimin administrativ për pushimet tatimore që derivon nga ligji për të ardhurat në korporata.

Një masë tjetër që Qeveria po planifikon ta ndërmarr që është më shumë reformë administrative është krijimi i listingut  të rejtingut të kompanive vendore , prodhuese dhe kompanive të tjera që janë të rregullat në kryerjen e obligimeve ndaj ATK-së dhe Doganave.

 Po ashtu si masa që parashihen në pakon fiskale është trajtimi i telefonisë mobile që përmes një udhëzimi administrativ që Ministria parasheh ta nxjerrë, me anë së cilës   i detyron dy kompanitë e telefonisë mobile që mos t’i aktivizojnë në fakt aparatet e telefonisë mobile nëse nuk është kryer pagesa , detyrimi doganor për ato pajisje.

Propozim tjetër i Ministirsë është edhe trajtimi i akcizës në pije të gazuara dhe jo të gazuara.

Momentalisht bizneset që operojnë në këtë sektor paguajnë 4.5 centë për litër të pijeve që nuk janë natyrale që janë të gazuara, ndërsa  është kërkesë e tyre që të ulet ose të hiqet kjo akcizë.

Image

Kosova siguron rreth 100 milionë euro nga FMN-ja

Përmbushja e kritereve dhe masat që Qeveria i ka ndërmarr ka bërë që Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar Kosovës t’i mundësojë qasje në 100 milionë euro financim direkt buxhetor.

Vendimi i Bordit të FMN-së, është bërë i ditur sot nga shefi i FMN-së në Kosovë, ministri i Financave dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës. 

Ruud Vermeulen ,shefi i FMN-së në Kosovë, ka përmendur kriteret të cilat Kosova i ka plotësuar dhe ka arritur që të rimbursojë edhe 100 milionë euro,  të cilat janë të destinuara si të hyra buxhetore.  

Vermeulen: Rritja e Kosovës ka qenë e mirë , por jo e mjaftueshme për ulje të papunësisë

“Dje bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, përfundoi rishikimin e dytë dhe të tretë të programit që do të thotë kanë vlerësuar si të kënaqshme përmbushjen e kërkesave dhe kanë lëshuar disbursimin e rreth 100 milionë euro. Që sjell gjithsej rimbursimin me rreth 172 milionë euro nga gjithsej rreth 184 milionë euro....Rritja në Kosovë ka qenë e mirë. Në krahasim me vendet tjera në rajon, por një rritje më e madhe do të  duhet për ta ulur papunësisë ...Ne po  shohim që ka një rimëkëmbje të vazhdueshme të një rritje të ekonomisë 3.5 përqind vitin e kaluar ..Këtë vit presin 3 deri në 4 përqind rritje ekonomike që është mbi mesataren e vendeve të rajonit...Kosova duhet të largohet nga ekonomia e nxitur për rritje ekonomike nga remitencat i duhet një ekonomi e nxitur brenda vendit që është qëllim më afatgjatë....Performanca fiskale në Kosovë ka qenë shumë e fortë por është kritike qenë periudhën në vijim  të jemi më vigjilent sidomos në prag të zgjedhjeve të reja....Një pikë tjetër e rëndësishme që duhet pasur parasysh është që skema e asistencës sociale duhet të dizajnohet sepse kjo aktualja nuk është adekuate “, tha Vermeulen.

Ai ka theksuar se programi është i fokusuar në fuqizimin e prokurimit publik, me qëllim që kjo të krijojë një ambient konkurrues për të gjithë. Ministri i Financave Avdullah  Hoti, ka përmendur kriteret të cilat kanë sjell aprovimin e suksesshme të rishikimit të dytë dhe të tretë të programit nga Bordi i FMN-së.

 Ai ka përmendur një varg ligjesh, të cilat kanë qenë obligative për përmbushjen e programit me FMN-në.

Hoti: Kemi  përfituar rreth 172 milionë euro nga FMN

“Në shkurt të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës me propozim të Qeverisë ka emëruar anëtarët e bordit të OSHP-së, vende që kanë qenë të zbrazëta në këtë bord..... Po ashtu Kuvendi i Kosovës ka bërë të mundur ndryshimin e ligjit për veteranët e luftës . Për të adresuar disa çështje të ngritura për të bërë këtë skemë të qëndrueshme në afat të gjatë...Qeveria pret që sot  të pranoj disbursimin nga FMN me vlerë që është afër 100 milionë euro. Kur i shtohen edhe 72 milionë euro që i kemi pranuar me rastin e rishikimit të parë me aprovim të programit kjo e çon krejt mbështetjen deri tash nga FMN  në 172 milionë euro”, tha Hoti.

Po ashtu ai ka përmendur edhe procesin e prokurimit elektronik i cili tashmë është funksionalizuar.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, ka përmendur  të arriturat në sektorin financiar duke i cilësuar si pozitive perfomancën e bankave në depozita dhe kredi.

Hamza: Kemi rritje të kreditimit, kjo ndikoj pozitivisht në zhvillim ekonomik

“Rritja e kreditimit në vitin e kaluar për herë të parë e kalon shifrën 10 përqind. Del se kreditimi është një prej faktorëve të rëndësishëm në rritjen ekonomike në vend. Gjithashtu kemi pasur edhe rritje të depozitave për mbi 8.4 përqind , kreditë jo përformuese kanë shënuar nivelin më të ulët pesë viteve të fundit që në fund të vitit 2016 kanë qenë 4.8 përqind dhe janë mjetet të provizioneve”, tha Hamza.

Ai po ashtu tha se një numër i kufizuar i kompanive të sigurimeve ka afat deri në fund të vitit dhe shpreson që do të reflektojnë dhe të vijnë në përputhje me kërkesat që dalin nga FMN siç është edhe çështja e tatimit të tyre dhe kjo sipas tij pritet të bëhet në bashkëpunim dhe përkrahje të FMN-së.

Kriteret të cilat Qeveria, duhet t’i arrij në mënyra që të përmbyll rishikimin e katërt të programit që pritet të jetë në mesin e këtij viti.

FMN edhe 100 milionë euro për Kosovën

Bordi i Fondit Monetar e ka miratuar fazën e dytë dhe të tretë të programit SBA me Kosovën, ku ka aprovuar edhe fondin prej 100 milionë eurove që do të derdhet në buxhetin e shtetit.

Ky vendim ka ardhur pas shikimit të performancës së shtetit të Kosovës në aspektin financiar gjatë vitit 2016.

Përfaqësuesi rezident i FMN-së në Kosovë Ruud Vermeulen, ka deklaruar se institucionet e Kosovës po e zbatojnë marrëveshjen me FMN-në konform zotimeve.

Por ai ka shtuar se zhvillimi ekonomik i vendit nuk duhet bazuar në remitencat, por në uljen e papunësisë dhe në investimet e buxhetit aty ku do të kishte zhvillim më të qëndrueshëm.

Ministri i Finanvace, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria është zotuar që të zbatojë pikë për pikë programin me FMN-në, jo për shkak të përfitimeve nga ky fond, por për shkak që ky program ndikon në zhvillimin ekonomik ashtu siç parashihet edhe me strategji të Qeverisë.

Mjetet prej 100 milionë eurove nuk kanë destinim të caktuar për projekte, por do të derdhen në buxhetin e Kosovës e më pas ato do të shpenzohen konfrom planifikimeve buxhetore.

Rishikimi i katërt i kësaj marrëveshjeje pritet të bëhet në mes të vitit nga FMN-ja, e nëse rezulton pozitiv shteti i Kosovës pritet të merr më shumë fonde nga ky institucion financiar.

Shefi i FMN-së për Kosovën: Papunësia duhet të ulet

Rritja ekonomike në Kosovë ka qenë e mirë por i duhet një rritje më e madhe për të ulur numrin e papunësisë.

Kështu tha shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë Ruud Vermeulen në një konferencë për media që ka mbajtur bashkë me ministrin e Financave Avdullah Hoti.  

Sipas tij papunësia në Kosovë ka  rënë nga  35   në 27 përqind por kjo përqindje sipas tij duhet të ulet.

Shefi i FMN-së për Kosovë tha se porosia e performancës financiare është e mirë por duhet të ketë kujdes tash në prag të zgjedhjeve.

Vermulen tha se pret reformë në skemën e veteranëve të luftës në mënyrë që shpenzimet të mbeten ashtu siç është lejuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat