Liberalizimi i tregut të çmimeve energjetike prej 1 prillit

Ekonomi

Liberalizimi i tregut të çmimeve energjetike prej 1 prillit

Më: 17 mars 2017 Në ora: 11:24
Tryeza e diskutimit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë

(E plotësuar) -  Prej 1 prilli të këtij viti liberalizohet tregu i çmimeve të energjisë elektrike në Kosovë, duke pësuar ndryshime thelbësore të rregullimit të këtyre çmimeve. Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRRE) pas kësaj date do të jetë rregullues i çmimeve të energjisë vetëm për furnizuesit, ndërsa për gjeneruesin, në këtë rast KEK-un, çmimet do t’i rregullojë tregu.

Kështu u tha të premten në tryezën e diskutimit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të organizuar nga ZRRE, me ç’rast u tha se hapja e tregut për rregullimin e çmimit në mes të kontratave të furnizimit dhe gjenerimit është e nevojshme.

Ushtruesi i detyrës së  kryesuesit të Bordit në ZRRE, Krenar Bujupi, theksoi se Kosova ka aprovuar ligjet përkatëse për liberalizimin e tregut, që nënkupton rregullimin e çmimeve të energjisë elektrike, edhe pse sipas Bujupit nuk do të ketë ndryshime rrënjësore të çmimeve.

Bujupi tha se çmimet e energjisë aktualisht janë më të lira në Kosovë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian. Sipas tij, Kosova ka çmime më të lira të energjisë elektrike sesa  Maqedonia dhe Shqipëria, mirëpo, Serbia ka çmime të energjisë aktualisht më të lira se Kosova.

Ai ka bërë të ditur se janë licencuar edhe dy operatorë, përveç KEDS-it për furnizim me energji elektrike, njëri është nga Shqipëria dhe i dyti nga Kroacia.  

Bujupi: Nuk do t’i rregullojmë më çmimet e KEK-ut nga 1 prilli, vetëm të furnizuesit

Video

“Rregullimi i çmimeve në sektorin e energjisë deri më tani është bërë komplet nga Rregullatori, që nga gjenerimi deri te furnizimi, ndërsa me hyrjen në fuqi të ligjeve të reja sa i përket gjenerimit dhe furnizimit do të kemi një qasje tjetër të përcaktimit të çmimit. Ajo qasje tjetër është forcat e tregut. Sa i përket çmimit të gjenerimit dhe furnizimit, këto reforma në sektorin e energjisë kanë për qëllim një çmim të tregut për këto dy funksione. Normalisht, funksionet e rrjetit mbesin si funksione monopole, natyrale të cilat do të mbesin të rregulluara nga Rregullatori”, theksoi Bujupi.  

Këshilltari për rritje ekonomike në USAID, Theodore Heisler, tha se liberalizimi i tregut mundëson investimet në infrastrukturën e energjisë dhe se liberalizimi i tregut të energjisë duhet të ndodhë për çmime të arsyeshme për bizneset dhe konsumatorët tjerë.

Heisler: Liberalizimi i çmimit të energjisë ndikon në nivelin furnizues dhe shitjes me pakicë

“Miratimi i ligjit të ri për energji në verën e vitit të kaluar ka ngushtuar boshllëkun mes sektorin energjetik të Kosovës dhe standardeve të BE-së, dhe shënon një periudhë të re për liberalizmin për sektorin energjetik të Kosovës. Ligjet e reja për energjinë prezantojnë dispozita që kanë për qëllim liberalizimin e vendosjes së çmimit  në nivelin furnizues të shitjes dhe shitjes me pakicë, në mënyrë që të lehtësojnë konkurrencën. Liberalizimi i çmimit do të mundësonte integrimin regjional të tregjeve energjetike duke promovuar investime shtesë në infrastrukturën energjetike dhe rritjen e sigurisë të furnizimit me energji”, theksoi Heisler.  

Eksperti për energji elektrike në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Arben Kllokoqi konsideron se hapja e tregut për rregullimin e çmimit në mes të kontratave të furnizimit dhe gjenerimit është jashtëzakonisht e nevojshme.

Sipas tij, Qeveria dhe Kuvendi duhet të krijojnë politika që të ketë lehtësira hyrja në treg e tregtarëve dhe furnizuesve të tjerë, të cilët do të jenë në gjendje që sjellin likuiditet në treg dhe një lloj konkurrence.

Kllokoqi: Rregullimi i tregut të energjisë ishte e nevojshme

“Gjithsesi e konsiderojmë hapjen e tregut për rregullimin e çmimit në mes të kontratave të furnizimit dhe gjenerimit si diçka që është jashtëzakonisht e nevojshme që tregu të mund të funksionoj dhe konkurrenca të hyjë në treg. Ky është një ndryshim i madh i tregut, është një ndryshim struktural që kemi të bëjmë me një evolucion nga kontrata të rregulluara në kontrata që duhet të negociohen në mes palëve... Këtë evolucion duhet edhe një ri-definim edhe i aktiviteteve të pjesëmarrësve në treg, duke filluar prej parlamentit, Qeverisë, Rregullatorit dhe pjesëmarrësve të tjerë në treg që furnizojnë konsumatorët me pakicë”, tha Kllokoqi.

Përderisa edhe Qeveria luan një rol të rëndësishëm për liberalizmin e tregut, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se nuk mund të ketë transformim të sektorit pa një reformë të mirëfilltë ligjore. Ai tha se duhet përmbushur dy objektiva kryesore, ajo e sigurisë së furnizimit dhe e përballueshmërisë së çmimeve të energjisë elektrike.

Stavileci: E ardhmja e Kosovës është në tregun e integruar të energjisë

“Natyrisht që e ardhmja jo vetëm e Kosovës, por edhe të shteteve të tjera është në një treg të integruar të energjisë me veprime konkrete të cilat janë ndërmarr dhe të cilat po i ndërmarrim në mënyrë që të gjitha shtetet t’i kenë të përmbushura dy gjërat kryesore pas një lidhje më të mirë infrastrukturore fizike, atë të sigurisë së furnizimit dhe ajo e përballueshmërisë së çmimeve. Besojmë që hapja e tregut dhe parimet e një tregu të liberalizuar më shumë se çka do tjetër janë në funksion të kompletimit të këtyre dy objektivave”, tha ministri Stavileci.  

Ndryshe, nismën për liberalizmin e tregut energjetik, e ka ndihmuar edhe USAID-i me projektin e  financuar amerikan “Repower Kosovo”, e cila konsiderohet si një vazhdimësi e mbështetjes së SHBA-ve për institucionet e Kosovës në arritjen e objektivave strategjike në sektorin e energjisë.

Prej 1 prillit liberalizohet tregu i çmimeve të energjisë elektrike

Zyra e Rregullatorit të Energjisë organizoi sot një tryezë diskutimi për Liberalizimin e Tregut të Energjisë.

Ushtruesi i detyrës së  kryesuesit të Bordit në ZRRE, Krenar Bujupi, theksoi se qëllimi i kësaj konference është për liberalizimin e tregut të energjisë ngase Kosova ka aprovuar ligjet përkatëse.

Liberalizim sipas tij, nënkupton rregullimin e çmimeve të energjisë elektrike edhe pse sipas Bujupit nuk do të ketë ndryshime rrënjësore të çmimeve.

 Bujupi tha se çmimet e energjisë aktualisht janë më të lira në Kosovë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.

 Sipas tij, Kosova ka çmim më të lirë të energjisë sesa  Maqedonia, Shqipëria, por  Serbia ka çmime të energjisë më të lira se Kosova.

 Ai tha se janë licencuar edhe dy operatorë për furnizim me energji elektrike.

 Këshilltari për rritje ekonomike në USAID, Theodore Heisler, tha se furnizimi i rregullt me energji elektrike paraqet zhvillim dhe rritje ekonomike për Kosovën.

Liberalizimi i tregut sipas tij, mundëson investimet në infrastrukturën e energjisë.

Gjithashtu Heisler tha se liberalizimi i tregut të energjisë duhet të ndodhë për çmime të arsyeshme për bizneset.

Eksperti për energji elektrike në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Arben Kllokoqi, tha se liberalizimi I tregut të energjisë per cmimet është I nevojshëm dhe konkurrenca e kësaj lëmie të futet në treg. 

Sipas tij, Qeveria dhe Kuvendi duhet të krijojnë kushte për hapësirë më të madhe në tregun e energjisë, andaj, lehtësimi i kushteve ka mjaft rëndësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat