Kelmendi: Pako fiskale ndihmon prodhuesit vendor

Ekonomi

Kelmendi: Pako fiskale ndihmon prodhuesit vendor

Më: 27 prill 2017 Në ora: 15:48
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi gjatë vizitës në Istog

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka vizituar sot komunën e Istogut, ku ka thënë para biznese se kanë arritur t’i heqin ndëshkimet që kishin prodhuesit për makineritë prodhuese.

Kelmendi fillimisht pati takim me kryetarin e Istogut,  Haki Rugova të cilin e njoftoi për planet e Qeverisë së Kosovës sa i përket zhvillimit ekonomik e veçanërisht sektorit të bujqësisë.

Kelmendi: Istogu zonë agro industriale

“E njoftova kryetarin për punë që Qeveria e Kosovës po e bënë dhe për planet që Qeveria e Kosovës, ka për zhvillimin e Kosovës e në veçanti edhe zhvillimin e bujqësisë. Meqenëse Istogu është një pjesë e Kosovës ku mund të zhvillohet agro industria dhe industria e letë dhe në këtë rast u informova çka ne po bëjmë për të ardhmen e Istogut“, tha Kelmendi.

Ndërsa, Haki Rugova, kryetari i Komunës së Istogut, ka lavdëruar Kelmendin duke thënë se ai vazhdimisht është përkrahës i bizneseve.

Rugova: Kelmendi gjithmonë ka përkrahur bizneset

“Në këtë rast zëvendëskryeministri është person i njohur afarist i njohur i cili gjithmonë ka qenë në  përkrahje të bizneseve tona, sidomos te prodhuesve tonë, fermerëve tonë dhe këtë po e dëshmon çdo ditë e më shumë . Ky është ai interesi si Komunë, e kemi këta sektor si potenciale zhvillimore, në të cilat ne bazohemi dhe në të cilat do të bazohemi të cilat i kemi edhe në plane strategjike zhvillimore në mënyrë që të krijojmë mundësi , njerëzve, bizneseve të iu krijohet një klimë shumë më e favorshme në tërësi. Me masat që po i merr Qeveria me sukses Qeveria Mustafa, të cilat po japin rezultate në mënyrë parmanente. Unë e shoh aty perspektivën edhe për qytetaret edhe për Komunën, edhe për gjithë bizneset që veprojnë këtu në këtë pjesë në komunën tonë”, tha Rugova.

Kelmendi më pas ka takuar përfaqësuesit e bizneseve, ku ka premtuar lehtësira duke thënë se edhe gjatë mandatit të tij ka pasur lehtësira për prodhuesit vendor.

Kelmendi: Prodhuesit kanë pasur ndëshkime                        

“Çdo makineri prodhuese që është importua në Kosovë deri në vitin e kaluar ka qenë e ngarkuar me taksë doganë me 10 përqind, dhe TVSH 16 deri në 18 përqind. Të gjitha është dashur me i pagu më përpara për me mund me i importu makinat prodhuese. Çdo prodhues në Kosovë është dashur me pagua paraprakisht taksën prej 30 pëqind. Asnjë prodhues i regjionit, as i EU-së nuk e ka asnjë taks në këto makina. Prandaj më shumë e kemi ngarkuar sektorin prodhues. Çdo prodhues e ka pasur e ka edhe sot një pjesë me paguar doganën në repromateriale, e ka pasur TVSH-në me paguar në hyrje dhe të gjitha mu pagua avans apo me lëshuar garancion bankar. Për me mund me e zhvillu procesin zhvillues. ..këto ndëshkime i ka zgjedhur pako fiskale 1 “, tha Kelmendi.

Ai ka thënë se me pakon fiskale 2, do të lirohen nga dogana mbi 100 mijë artikuj. Ai më pas ka vazhduar vizitat në kompaninë e kultivimit të peshkut “Trofta”, në Istog, kompaninë “Devolli”, qumështi Vita, fermën “Graniti” në Istog, fermerët “Kovrage”, si dhe fabrikën e prodhimit të lëngjeve “Sinalco”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat