BERZH përgëzon Qeverinë e Kosovës për implementimin e reformave ekonomike

Ekonomi

BERZH përgëzon Qeverinë e Kosovës për implementimin e reformave ekonomike

Më: 9 maj 2017 Në ora: 16:46
Ministri i Financave Avdullah Hoti në takimet vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim

Ministri i Financave Avdullah Hoti, po merr pjesë në takimet vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim të cilat këtë vit po mbahen në Qipro.

Delegacioni i Kosovës të martën u takua me zëvendës presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Pierre Heilbronn, me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në BERZH Holger Muent, drejtoreshën për Transport Sue Barret,  si dhe drejtorin Ekzekutiv të Konstituencës, Ove Jensen.

Në të gjitha takimet, zyrtarët e BERZH-it kanë përgëzuar Qeverinë e Kosovës dhe  Ministrinë e Financave për implementimin me sukses të të gjitha reformave që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjatë takimeve gjithashtu u diskutua edhe për projektet të cilat financohen nga ana e BERZH, me një portfolio totale prej 227 milion euro, prej të cilave 157 milion janë projekte aktive.

Ministri Hoti gjatë takimeve me zyrtare të lartë të BERZH-it i njoftoi ata për progresin e arritur në projekte, ku në veçanti u diskutua për projektet e infrastrukturës të cilat së shpejti fillojnë së implementuari.

Ndërsa gjatë takimit të ministrit Hoti me drejtorin e BERZH-it për Ballkanin Perëndimor Holger Munet dhe ekipin i cili ka punuar në finalizimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, i cili ditë më parë është nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa, u diskutuan për fillimin e implementimit të këtij memorandumi.

Gjatë këtij takimi në veçanti u diskutua për fillimin e projektit për zhvillimin e zonave industriale në të gjitha regjionet e Kosovës, si dhe mbajtjen e një tryeze të përbashkët me odat ekonomike dhe me bizneset, në mënyrë që të informohen për përfitimet që mund të kenë bizneset nga memorandumi i bashkëpunimit me BERZH-in.

Gjithashtu ministri Hoti në cilësinë e guvernatorit të Republikës së Kosovës pranë BERZH-it, nesër do të merr pjesë në sesionet plenare të Bordit të Guvernatorëve të BERZH-it, ku do të diskutohen raportet e ndryshme vjetore të BERZH-it dhe do të votohet për drejtor të konstituencave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat