OEK publikoi rezultatet e studimit “Klima e biznesit në Kosovë”

Ekonomi

OEK publikoi rezultatet e studimit “Klima e biznesit në Kosovë”

Më: 13 maj 2017 Në ora: 13:26
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka publikuar rezultatet e studimit “Klima e biznesit në Kosovë”

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), të shtunën, ka publikuar rezultatet e studimit “Klima e biznesit në Kosovë”, i cili është projektuar për të identifikuar dhe artikuluar pengesat e të bërit biznes për komunitetin e biznesit në vend dhe parashikimin e trendeve të ekonomisë në periudhën tre mujore dhe gjashtë mujore.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se e veçanta e këtij studimi është të sigurojë të dhëna mbi gjendjen biznesit dhe gjendjen e përgjithshme të ekonomisë në Kosovë. Sipas tij, pavarësisht agjendës politike, e cila është duke dominuar në vend, sektori i ekonomisë duhet ta ketë prioritetin e vet të merituar.

Gerxhaliu: Gjendja e bizneseve në Kosovë në këtë tremujor është vlerësuar pozitive

“Gjendja e përgjithshme e bizneseve në Kosovë në këtë tremujor është vlerësuar të jetë mjaft pozitive në të gjithë sektorët , gjendja në  përqindje është e njëjtë në  tremujorin paraprak e manifestuar me një rritje të lehtë të pritjeve të bizneseve për gjendjen aktuale. Rreth 85 për qind e bizneseve e vlerësojnë gjendjen të kënaqshme, ndërsa vetëm 15 për qind si gjendje të pakënaqshme në aktivitetet e tyre biznesore,” ka thënë ai. 

Sipas tij, problemi i papunësisë është duke u paraqitur në forma të ndryshme dhe rezultati më i mirë është ai kur merret nga vetë biznesi dhe opinioni. 

Gërxhaliu: 42 për qind të kompanive presin të rritet punësimi në tre muajt e ardhshëm

“Vetë fakti që kemi 42 për qind të kompanive kosovare presim të rrisim numrin e të punësuarve në tre muajt e ardhshëm dhe vetëm dy për qind e kompanive të anketuara presin rënie në punësim. Besoj se është një rezultat i cili duhet të na inkurajojë, jo të na ofrojë komoditet, por të bëjmë më tepër që t’i mbështesim këto reforma ekonomike dhe vërtet punësimi të ketë një anë që krahas zhvillimit ekonomik dhe rritjes ekonomike të kemi edhe vende të reja të punës,” tha ai. 

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Hykmete Bajrami, ka thënë se gjatë kësaj periudhe tremujore të gjithë indikatorët në fushën e ekonomisë janë pozitivë dhe pret që rezultate të ngjashme të ketë edhe në tremujorin e ardhshëm.

Bajrami: Jemi përmirësuar në raportin e Bankës Botërore 

“Përmirësimi i ambientit të biznesit nuk është treguar dhe nuk është pranuar vetëm nga komuniteti i biznesit, por edhe nga institucionet shumë kredibile kemi marrë përmirësime shumë të hatashme. Jemi përmirësuar në raportin e Bankës Botërore në indikatorë të ndryshëm për mbi 34 pozita, mirëpo në përgjithësi si vend gjatë këtij mandati jemi përmirësuar për 26 pozita,” ka thënë Bajrami.

Ndërsa, ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Arban Abrashi, tha se politikat e kësaj ministrie kanë dhënë efekte për krijimin e vendeve të punës.

Abrashi: Për krijimin e vendeve të punës kanë ndikuar edhe politikat qeveritare 

“Patjetër që për krijimin dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës kanë ndikuar edhe politikat tjera qeveritare, lehtësirat në të bërit biznes, nxitja edhe ideja që duhet të bëhet më shumë vetë bisedat rreth ndërrmarrësisë kanë pasur efektin e vet, pako fiskale 1 ka pas efektin e vet, rritja e pakos fiskale 2 gjithashtu ka qenë një shtytje shtesë,” ka thënë Abrashi. 

Ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se politikat zhvillimore ekonomike janë treguar efikase dhe këtë sipas tij e dëshmon edhe fakti se 61 për qind e bizneseve konfirmojnë se ka pasur përmirësim të ambienteve të të bërit biznes krahasuar me 36 për qind sa ka qenë para dy viteve.

Hoti: Sot kemi mbi 40 mijë persona që janë me emër e mbiemër në Trust 

“Sot kemi mbi 40 mijë persona që janë me emër dhe mbiemër që janë në Trustin Pensional që paguajnë kontributin pensional dhe paguajnë tatime mbi të ardhurat e tyre. Unë jam shumë i bindur që po aq janë edhe në sektorin jo formal që nuk kanë arritur ende të formalizohen. Përmes politikave të ndryshme do t’i nxisim edhe ata që të hyjnë në veçanti në sektorin e ndërtimtarisë, bujqësisë dhe në disa sektorë që janë më intensivë sa i përket faktorit të punës”, ka thënë Hoti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat