Hapet panairi i punës, ofrohen afër 3000 mijë vende të lira

Ekonomi

Hapet panairi i punës, ofrohen afër 3000 mijë vende të lira

Më: 19 maj 2017 Në ora: 10:43
Panairi i Punës

(E plotësuar) -  “Ejani takoni punëdhënësin tuaj potencial” është motoja e Panairit të Punës i cili është hapur sot për herë të dytë në Kosovë.

Ky panair i organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Odën Ekonomike Shqiptaro-Gjermane dhe Unionin e Bizneseve Shqiptaro - Gjermane, ka për qëllim  vënien në kontakt të punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe punësimin e sa më shumë personave.

Ministri në detyrë i Punës Arban Abrashi u shpreh  shumë i  kënaqur me këtë aktivitet duke konsideruar se në këtë mënyrë po  tregojnë se  Kosova është vend atraktiv për investime dhe për punë.

Abrashi: Kosova vend atraktiv për investime dhe për punë

 “Diku rreth 3000 vende të lira të punës flasin vet. Bashkëpunimi ka filluar në funksionalizimin e disa masave të punësimit siç janë subvencionimi i pagave, trajnime për vetëpunësim, grante por edhe Panairi i Punës në këtë rast. Prandaj ky aktivitet i sotëm është vetëm një prikë e aktiviteteve të cilat ne i kemi të përbashkëta me GIZ-n  në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës.  Prandaj është një mundësi e mirë t’i tregojmë edhe vetes edhe publikut se në Kosovë ka vende të lira të punës, në Kosovë mund të bëhet biznes, Kosova është vend atraktiv për investime dhe vend atraktiv për kryerjen e shërbimeve dhe shitjen e shërbimeve”, tha Abrashi.

Martin Menger  nga ambasada gjermane në Kosovë  tregoi se mangësia kryesore në Kosovë sipas tij është mungesa e vënies në kontakt të punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe se qëllimi kryesor i Panairit është që të mundësojë krijimi i kontakteve.

Menger: Qëllimi i Panairit vënia në kontakt e punëdhënësve dhe punëmarrësve

 “Për momentin ne shohim një mangësi në ndërmjetësim ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit, si ata të vihen në kontakt dhe për shkak të kësaj mungese punëdhënësit e kanë shumë të vështirë t’i gjejnë kandidatët e tyre potencial .100 kompani nga Kosova dhe nga Gjermania sot janë këtu prezent dhe të gjithë së bashku arrin një numër të pozitave të lira për punës në mbi 2500”, tha Menger.

 Edmond Gashi nga GIZ-i që është edhe bashkëorganizator i Panairit tha se në këtë Panair po ofrohen rreth 3000 vende të lira të punës.

Gashi: Kemi rreth 3000 vende të lira

 “Kemi 2500 vende të lira të punës ,kemi rreth 300 në praktikë dhe rreth 3000 shkon në total. Kur them 2500 vende të lira këto janë  kontrata të rregullta nuk janë punë  sezonale. Shumica është një pjesë rreth 30 përqind  për Gjermani. Ne kishim 280 kërkesa, 280 kompani, ku kemi përzgjedhur vetëm 100, s’kemi hapësirë më shumë. Kemi tentuar  tii përzgjedhim kompanitë që janë më të përgjegjshme. Profesionet janë të ndryshme fillon nga profesionet elitare mjekë, inxhinierë pastaj profesione të tjera në  administratë,  gjithashtu me shkollë të mesme ndërtimtari, zdrukthëtar , metalpunues e kështu me radhë”, tha Gashi.

 Vllaznim Kelmendi ka nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-gjermane tregoi se në Panair rreth 50 përqind janë kompani gjermane me pronarë nga Kosova.

Ai tha se qëllimi për pjesëmarrje është që përmes këtij Unioni t’iu hapen dyert njerëzve të cilët kanë nevojë për punë në Gjermani.

 Në Panair kanë marrë pjesë edhe kompani nga Kosova. Përfaqësuesja e kompanisë Baruti Yllresa Shala tha se numri i të interesuarve për të aplikuar është shumë i madh.

Shala: Interesimi është shumë i madh

 “Kompania Baruti mundëson që të rinjtë të vinë dhe sa më shumë të informohen për veprimtarinë me të cilën merret  Baruti...Interesimi është relativisht i madh”, tha ajo.

Ata që më së shumti ishin të interesuar për të aplikuar në Panair të Punës janë studentët.

Festim Konushevci, i cili studion në Universitetin e Prishtinës tregoi pse ka vendosur të vijë në këtë Panair.

Konushevci: Po më intereson çka ofrohet për të punuar

 “Sot kena ardhë pak me vizitu Panairin e Punës me kqyrë çka ofrohet sigurisht më shumë për neve të rinjve çfarë vendesh edhe për shoh që shumica janë orientuar nga jashtë me shku mirëpo edhe interesimi për Kosovën është  relativisht goxha i mirë kështu që vende ka të lira”, tha Konushevci.

 Edhe një i ri me mbiemrin Sadiku ka treguar pse ka zgjedhur që të vizitojë Panairin e Punës. Por ai shpreh mëdyshje në seriozitetin e Panairit për të punësuar njerëz.

 Sadiku: S’po di sa mundet me qenë serioze

“Kom ardh në Panair për shkak se në Kosovë nuk po ka shumë punë ose s’po ka shumë komoditet ose rroga të mira për atë arsye edhe jena ardhë këtu. S’po mund ta vlerësojmë punën e tyre se nuk po e dimë sa oshtë serioze hala nuk është diçka e garantueme”, tha ai.

 Organizime të tilla pritet edhe gjatë viteve të ardhshme ndërsa Panairi do të jetë i hapur deri në orën 19:00.

***

Për herë të dytë është hapur sot Panairi i Punës i cili si qëllim kryesor ka rritjen e numrit të të punësuarve dhe vënien në kontakt të punëdhënësve dhe punëmarrësve.

Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se diku rreth 3000 vende të punës flasin vet dhe ky aktivitet është një mundësi e mirë për t'i treguar publikut dhe vetës se në Kosovë ka vende pune.

“Ne e kemi organizuar edhe vitin e kaluar por përmasat këtë vit janë shumë më të mëdha, kjo tregon që ka një aktivitet të shtuar ekonomik”, tha ai.

Kryetari i bordit të Odës Ekonomike, Fadil Hoxha tha se në Kosovë duhet të ketë vetëm zhvillim.

Përfaqësuesi i unionit të bizneseve, Nazmi Vica potencoi se unioni i bizneseve prezantohet me 27 kompani të cilat janë anëtare të bizneseve shqiptaro-gjermane.

“Një numër prej 5000 punëtorësh janë të punësuar në firma shqiptare përmes këtij unioni. Ky union ka parë me shqetësim gjendjen në Kosovë dhe ka vendos që sado pak të ndikoj në zbutjen e situatës”, ka thënë ai.

Ky panair është mbështetur nga GIZ-i, i cili ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të ketë aktivitet për praktikantët.

Panairi i Punës ofron 2500 vende të punës

Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë është hapur Panairi i Punës.

Edicioni i dytë i organizuar nga GIZ-i gjerman në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale e po ashtu Odën Ekonomike Gjermano Kosovare ofron 2 mijë e 500 vende të lira pune nga 103 kompani pjesëmarrëse, 30 nga të cilat janë nga Gjermania.

Një nga organizatorët, Edmond Gashi ka thënë se në Panair mund të paraqitet secili që është i interesuar për punë, pavarësisht a është student, di gjuhë të huaja, apo ka ndonjë vend tjetër të punës.

E tëra që duhet të bëjnë sipas Gashit është paraqitja e një CV-je.

Edhe çështja e pajisjes me dokumentacion sic tha Gashi nuk do të paraqes problem pasi kompanitë gjermane që do të arrijnë të lidhin kontratë me kosovarë do të ofrojnë zgjidhje për këtë punë.

Kompanitë pjesëmarrëse po ofrojnë nga punët fizike e deri te profilet e larta si inxhinier e profesione të ndryshme. Panairi do të jetë i hapur deri në orën 19:00.

Motoja e këtij panairi është “Ejani, takoni punëdhënësin tuaj potencial”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat