Hoti zotohet për reforma më të thella ekonomike që i ka njohur Kosova deri më tash

Ekonomi

Hoti zotohet për reforma më të thella ekonomike që i ka njohur Kosova deri më tash

Më: 6 qershor 2017 Në ora: 11:38
I shoqëruar nga Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti ka vizituar të martën kompaninë prodhuese dhe eksportuese “M- Technologie”

I shoqëruar nga Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti ka vizituar të martën kompaninë prodhuese dhe eksportuese “M- Technologie” dhe ka deklaruar se me qeverinë e re do t'i bëjë reformat më të thella ekonomike që i ka njohur Kosova deri më tash.

“Në bashkëpunim me z. Pacolli dhe partnerët e koalicionit tonë, do të bëjmë reforma në mënyrë që ta fuqizojmë sektorin privat dhe të nxisim eksportin. Reformat tona do të ndikojnë në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinj dhe të reja”, ka thënë Hoti.

Image

Ai ka deklaruar se është i impresionuar me punën e suksesshme që po bëjnë kompania “M- Technologie”.

“Jam i kënaqur që në koalicionin tonë dhe në listën tonë kemi një njeri të jashtëzakonshëm si z. Pacolli, me atribute globale të të bërit biznes. E përgëzoj z. Pacolli që një fabrikë e tillë e ka vendosur në Kosovë. Në qeverinë e re, së bashku me z. Pacolli dhe me partnerët tanë do të nisim punën për krijimin e një Kosove që e meritojnë qytetarët tanë”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se koalicioni ynë ka qasje pro biznesit. “Pako fiskale 2 do të hapë mundësi të reja për investime, për t'i liruar investimet e jashtme nga çfarëdo obligimi tatimor, duke aplikuar edhe pushimet tatimore në mënyrë që të kthehen ato investime sa më parë. Çdo lirim nga tatimi që ne e bëjmë, ai na kthehet në zgjerim biznesi dhe krijim të vendeve të reja të punës”, ka thënë Hoti.

Image

Presidenti i ARK-së, Behgjet Pacolli ka thënë se vetëm koalicioni jonë krijon perspektivë më të mirë për Kosovës, dhe përmirësimin e standardit jetësor të popullatës.
“Kosova duhet ta marrë drejtimin e duhur dhe të ecë drejt familjes evropiane. Ne e kemi dijen, përvojën dhe guximin për ta zhvilluar vendin dhe për të krijuar vende pune”, ka thënë Pacolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat