Zgjedhjet e parakohshme ndikojnë tek investimet e huaja

Ekonomi

Zgjedhjet e parakohshme ndikojnë tek investimet e huaja

Më: 8 qershor 2017 Në ora: 10:44
Ilustrim

Zgjedhjet e parakohshme do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe tek investimet e huaja të cilat vitin e kaluar ishin në rënie. Asnjë investitorë i ri nuk do të investojë në një vend pa Qeveri.

Kështu vlerësojnë ekspert të ekonomisë dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Ndërsa sipas të dhënave të Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), nga periudha janar-shkurt të këtij viti në Kosovë, investimet e huaja arrijnë vlerën 43.3 milionë euro.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë se stabiliteti politik i një vendi ndikon edhe tek investitorët e huaja.

Shatri: Ka ngecje dhe do të ketë ngecje deri në formimin e qeverisë së re

“Në këto kushte ndërrimi i qeverisë domosdo që shënon njëfarë ngecje në pritjet të them të investitorëve. Askush i ri nuk e besoj që vjen derisa Qeveria të jetë në largim dhe të konsolidohen organet e reja, Kuvendi, Qeveria e re të shihet kush do të jetë në krye të dikastereve që kanë të bëjnë me zhvillim ekonomik me investim me krijim të ambientit biznesor“, tha Shatri.

Ndërsa, Arton Demhasaj, vlerëson se gjendja politike krijon pasiguri tek investitorë e huaj. 

Demhasaj: Investitorët ndihen të pa sigurt për të investuar në Kosovë

“Çështja e zgjedhjeve ndikon sidomos tek siguria që investitorët e huaj që kanë për të investuar në Kosovë. Kur e shohin që qeveritë nuk janë stabile nuk po mbërrin me përfundu mandatin e tyre, atëherë ata investitorë ndihen të pa sigurtë me hy në Kosovë me nënshkrua marrëveshje më një qeveri, derisa nuk e kanë të sigurtë që ajo qeveri ka me përfundua mandatin. Edhe gjithmonë e kanë frikën që pas kësaj mundet me ardhur një qeveri tjetër që mundet me prishë marrëveshje tona dhe në njëfarë mënyre, investimi ynë që është hy mundet me ra poshtë edhe mundet me shkaktuar humbje, kështu që kjo është një ndjenjë shumë e madhe pasigurisë“, tha Demhasaj.

Në ndërkohë, drejtori i KIESAS, Besjan Mustafa, përmes përgjigjeve elektronike ka thënë për KosovaPress, se Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), rreth IHD-vë në Kosovë bazohet në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), dhe sipas të dhënave që i kanë publikuar përfshijnë periudhën janar – shkurt 2017, IHD-të në Kosovë arrijnë vlerën 43.3 milionë euro.

Mustafa duke i cituar të dhënat e BQK-së, tha se shtetet që kanë investuar më së shumti gjatë kësaj periudhe janar- shkurt janë Gjermania, Zvicra, Austria, Turqia, Shqipëria, SHBA, Sllovenia dhe Spanja. 

“Si rrjedhojë, investitorët parapëlqejnë të presin zgjedhjen e qeverisë së re dhe shpalosjen e strategjive, planeve, reformave dhe programeve qeveritare të asaj qeverie për të përshtatur më mirë vendimet e tyre investive. Njësoj, edhe në Kosovë vërejmë që investitorët vendor e të huaj janë në pritje të zgjedhjeve për të marrë vendimet e mëtutjeshme investive afatshkurta dhe afatmesme.”, tha Mustafa, përmes përgjigjeve elektronike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat