Haradinaj ofron përkrahjen e Qeverisë për bizneset nga diaspora

Ekonomi

Haradinaj ofron përkrahjen e Qeverisë për bizneset nga diaspora

Më: 28 shtator 2017 Në ora: 17:42
Takimi Haradinaj-biznese

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim bizneset kosovare-gjermane nga diaspora në kuadër të Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare. Takimin e nderoi me pjesëmarrjen e tij ambasadori gjerman, Christian Heldt.

Haradinaj theksoi se qeverisja nën drejtimin e tij do të fokusohet në hapjen e bizneseve të reja dhe krijimin e vendeve të reja të punës, duke shtuar mundësinë e përfshirjes së tyre sa më të madhe në politikë bërje.

Nga përfaqësuesit e bizneseve të diasporës, Haradinaj kërkoi që të jenë konkretë në kërkesat e tyre, në mënyrë që Qeveria e Kosovës, të marrë parasysh sfidat me të cilat ballafaqohen.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se çdo investitorë i jashtëm është i mirëpritur dhe do të ketë angazhime konkrete lidhur me përkrahjen e bizneseve, përmes përmirësimit të politikave fiskale dhe lehtësirave tjera të cilat gjithmonë do të jenë në favor të bizneseve dhe investitorëve potencialë.

Nga ana e tyre, përfaqësues të komunitetit të biznesit nga diaspora shprehën besimin në vullnetin e kryeministrit për të bërë atë që ata e shohin si interes, në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të punës.

Nora Hasani, drejtoreshë menaxhuese në Odën Ekonomike Gjermane-Kosovare, theksoi nevojën e një takimi të bizneseve të diasporës me ato kosovare dhe nevojën e kthimit të besimit të investitorëve që të investojnë në Kosovë. Ajo tha se sundimi i ligjit dhe zbatimi i kontratave është qenësore për investitorët e huaj, duke potencuar se ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme duhet dhënë rëndësi të veçantë.

Kryetari i Unionit të bizneseve shqiptare në Gjermani, Nazmi Viqa tha se nevojitet zbatimi i ligjit, infrastrukturë e duhur, në mënyrë që të kontribuohet për vendin dhe mirëqenien për të gjithë qytetarët.

Fadil Hoxha, president i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare, shprehu besimin në kryeministrin Haradinaj dhe në Qeverinë e Kosovës, duke vlerësuar se Kosova ka resurse të mjaftueshme humane për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat