Përgjegjësitë familjare shkaktari kryesor i papunësisë tek femrat

Ekonomi

Përgjegjësitë familjare shkaktari kryesor i papunësisë tek femrat

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 14:20
Ilustrim

Femrat po del të jenë në shifra të ulëta pjesëmarrëse në tregun e punës. Arsyeja kryesore po del të jetë obligimi i tyre familjar që ua pamundëson të punojnë.

Në anketën e fuqisë punëtore e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tre mujorin e dytë të vitit 2017 nxjerr në pah shifra të ulëta të pjesëmarrjes në punë të grave .

“Nga 43.0 % e popullsisë, që është ekonomikisht aktive, 30.6 % (157,752 persona) janë të papunë. Kjo do të thotë se 69.4 % (357,608) e personave ekonomikisht aktivë janë të punësuar, duke krijuar një raport punësimi ndaj popullsisë (shkalla e punësimit) prej 29.9 %.  57.0 % e popullsisë në moshë pune, që është joaktive”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas kësaj ankete, ekzistojnë dallime të mëdha gjinore në tërë tregun e punës.

“Një në pesë (20.0 %) femra në moshë pune janë aktive në tregun e punës, krahasuar me rreth tri të pestat (65.7 %) e meshkujve në moshë pune. Në mesin e personave në fuqinë punëtore, papunësia është më e lartë për femrat se sa për meshkujt (36.6 % krahasuar me 28.8 %). Shkalla e punësimit në mesin e femrave në moshë pune është vetëm 12.7 %, krahasuar me 46.8 % për meshkujt. Kjo shkallë shumë e ulët e papunësisë te femrat rrjedh nga kombinimi i  pjesëmarrjes shumë të ulët në fuqinë punëtore dhe papunësisë së lartë. Përgjegjësitë familjare ishin arsyeja kryesore për mos-aktivitetin e femrave në  tregun e punës, 38.3 % e femrave të intervistuara kanë dhënë këtë arsye”, thotë raporti.

Janë tri sektore që femrat janë më së shumti të punësuara: arsimit, shëndetësisë dhe të tregtisë (47.1 % e femrave të punësuara). Ndërsa meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e  ndërtimtarisë, prodhimit dhe tregtisë (duke punësuar 47.4 % të meshkujve të punësuar).

Papunësia tek të rinjtë e Kosovës po del të jetë problem serioz. Gjasat që të kenë një vend pune, sipas këtij raporti, janë dy herë më të vogla tek mosha e re.

“ Në tremujorin e dytë të vitit 2017, të rinjtë në Kosovë kishin gjasa dy herë më  shumë të jenë të papunë krahasuar me të rriturit. Në mesin e personave të  moshës 15-24 vjeçare dhe në fuqinë punëtore, 50.9 % ishin të papunë. Papunësia është më e lartë te femrat e reja (60.2 %) se te të rinjtë meshkuj (47.1%)”.

Raporti vë në pah se vetëm 29 për qind e të të punësuarve kanë kontrata të përhershme, ndërkaq 71 për qind kontrata të përkohshme.

“Vetëm 29.0 % e personave të punësuar kishin kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 71.0 % kishin kontratë të përkohshme, pa dallime sinjifikante midis meshkujve dhe femrave. Personat, që kishin kontrata të përkohshme, u pyetën se pse kishin këtë lloj kontrate dhe 93.0 % e të intervistuarve raportuan se nuk kishte kontratë tjetër në dispozicion.  Pagat neto të shumicës së punonjësve ishin midis 400 € deri 500 € në muaj.  Janë vërejtur dallime shumë të vogla gjinore”, thotë raporti./

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat